E Diel, 1 Nëntor 2026

Rumania hap kutitë e votimit, PS: Vetëm ne dhe Irani nuk i hapimNga Tema Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në Rumani për hapjen e kutive të zgjedhjeve, pas kontestimeve, është marrë si një shembull nga ana e PS, për atë që bota demokratike ofr

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Rumania hap kutitë e votimit, PS: Vetëm ne dhe Irani nuk i hapimNga Tema

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në Rumani për hapjen e kutive të zgjedhjeve, pas kontestimeve, është marrë si një shembull nga ana e PS, për atë që bota demokratike ofron në hapjen e kutive, në rastet kur ka dyshime për manipulime. Deputeti i selisë rozë, Taulant Balla, është shprehur se hapja e kutive është një element themelor, që garanton transparencën dhe legjitimitetin e institucioneve. Sipas tij, rasti i Rumanisë është një ndër të shumtët në botë, kur kutitë e zgjedhjeve hapen në raste dyshimesh për manipulime.

“Bota demokratike ofroi këto ditë edhe një shembull tjetër të rëndësisë që ka transparenca e proceseve zgjedhore për legjitimitetin e institucioneve që burojnë nga vota e lirë. Në Rumani filloi dje procesi i rinumërimit dhe rivlerësimit të votave dhe bëhet fjalë për një vend, ku kanë marrë pjesë më shumë se 10 milionë votues dhe ku ka pasur 140 mijë vota të pavlefshme. Pak rëndësi ka, nëse nga rinumërimi do të ndryshojë apo nuk do të ndryshojë rezultati përfundimtar, e rëndësishme është që nga ky proces fiton demokracia, fitojnë qytetarët. Ja pra një shembull tjetër dhe konkret që në demokraci hapja e kutive është një element themelor që garanton transparencën dhe legjitimitetin e institucioneve”, - u shpreh Balla.

Sipas këtij të fundit, shembujt në botë për hapjen e kutive janë të shumtë, ndërsa një gjë e tillë nuk ndodh vetëm në Shqipëri dhe Iran. “Shembujt për hapjen e kutive janë të shumtë.

Në djepin e demokracisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000, kutitë u hapën, ndërsa rinumërimin e bënë gazetarët. Në Itali pak vite më parë u respektua kërkesa e Berluskonit për hapjen e kutive dhe rinumërimin e fletëve të votimit. Edhe në Afganistan, ku ne kontribuojmë me Forcat tona të Armatosura, u hapën kutitë dhe u rinumëruan votat. Vetëm në Iran dhe në Shqipëri nuk hapen kutitë”, - tha deputeti i PS.

Këta shembuj, sipas Ballës, janë paralele që tregojnë se kërkesa e PS është një kërkesë legjitime dhe normale. “Sali Berisha bën sikur nuk kupton se hapja e kutive është një imperativë e demokracisë dhe për asnjë moment nuk mund të bllokohet e drejta për hapjen e kutive. Shembulli që vjen nga Rumania, një vend anëtar i Bashkimit Evropian, konfirmon qartë se kërkesa e Partisë Socialiste dhe e opozitës në tërësi, është një kërkesë legjitime që gjen paralele në shumë demokraci evropiane dhe botërore”, - pohoi deputeti Taulant Balla. Sipas Ballës, “sot ka vetëm një kusht: Sali Berisha, o hap kutitë, ose largohu!”

Gumi: Precedentët për hapjen e kutive nuk janë zgjidhje për realitetin shqiptar

Deputeti i PD, Viktor Gumi, është shprehur lidhur me shembujt e dhënë nga opozita për hapjen e kutive në vende të ndryshme të botës, kur ka pasur dyshime për manipulime. Ai tha se precedentët e bërë publikë nga ana e PS për hapjen e kutive të votave nuk kanë lidhje me realitetin shqiptar. “Së pari, unë dua të theksoj se nuk mund të jetë zgjidhje për realitetin shqiptar dhe për bojkotin e PS gjetja e elementeve apo precedentëve të shkëputur majtas apo djathtas për t’u implementuar në realitetin shqiptar”, - tha Gumi.

Sipas tij, vendimet e KQZ, “janë përfundimtare dhe janë me forcën e ligjit për këdo qytetar në Republikën e Shqipërisë”.

“Kemi vendime të Kolegjit Zgjedhor, të cilat janë përfundimtare, të formës së prerë dhe të detyrueshme për zbatim nga kushdo në Republikën e Shqipërisë dhe besoj se jemi para rastit klasik të parimit të gjësë së gjykuar”, - u shpreh deputeti i PD.

Duke komentuar rastin e Rumanisë, Gumi tha se në Rumani ka qenë një vendim gjykate që ka urdhëruar hapjen e kutive të votimit. “Në Rumani diferenca midis kandidatëve ka qenë më e paktë sesa numri i votave të pavlefshme”, - shtoi Gumi.

Për këtë të fundit, zgjedhjet e 28 qershorit janë një kapitull i mbyllur dhe hapja e kutive apo veprime të tjera janë të pamendueshme nga ana e mazhorancës. Gjatë fjalës së tij Gumi ka vijuar sulmet e ndërmarra nga ana e pozitës në drejtim të kreut të PS, Edi Rama.

“Ti në parlament nuk hyn dot kurrë, se para mandatit të parlamentit ti zgjodhe lejet e ndërtimit. Në parlament ti nuk mund të hysh, sepse ti dhe grupi i bllokmenëve të rinj në krye të Partisë Socialiste urreni pluralizmin politik dhe institucionin e parlamentit, sepse përmbysi pushtetin e etërve tuaj që firmosnin varje, pushkatime, internime të qytetarëve, të intelektualëve, të rinjve shqiptarë të vërtetë, të shqiptarëve të pafajshëm. Në parlament ti nuk mund të hysh, sepse nuk ke asnjë interes për ata që votuan deputetët tuaj, por ke interes vetëm për qytezën Rama-Delijorgji. Ti ke vendosur bojkotin, sepse ty s’të lidh asgjë me interesat e zgjedhësve socialistë”, - përfundoi sulmet personale ndaj Edi Ramës deputeti i PD, Viktor Gumi.

Klosi: Të hënën fillon vala e re e protestave popullore

Deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka konfirmuar dje nisjen e një vale të re protestash. Sipas tij, këto protesta do të nisin ditën e nesërme dhe do të kenë në qendër të tyre, jo vetëm hapjen e kutive të zgjedhjeve, por edhe problemet e tjera që shqetësojnë vendin.

Protesta pritet që të nisë në qytetin e Durrësit, për t’u shtrirë më pas në qytetet e tjera të vendit dhe do të zgjasë për një javë. “Nga dita e hënë, 14 dhjetor, Partia Socialiste e Shqipërisë, së bashku me opozitën e bashkuar qytetare, do të organizojë në të gjithë vendin një valë protestash popullore, për t’i treguar Sali Berishës, kryeministrit të votave të vjedhura e kutive të mbyllura, se qytetarët duan zgjidhje për krizën ekonomike dhe mbrojtje për bizneset e tyre. Të hënën fillon me Durrësin protesta jonë njëjavore për krizën e demokracisë e të ekonomisë së familjeve shqiptare. Të hënën ne do të protestojmë në Durrës për të gjitha pasojat e kutive të mbyllura, që nga rritja e çmimit të energjisë apo vizitave në spital, ngritjes se TEC-it famëkeq me qymyr të zi, te mos-liberalizimi i vizave edhe për Shqipërinë bashkë me Serbinë, Malin e Zi e Maqedoninë. Të hënën, më 14 dhjetor, ne do të protestojmë në Durrës për kapjen e shtetit nga fijet e interesave të një familjeje të vetme që dikton qeverisjen e vendit në favor të një grushti njerëzish. Të hënën, më 14 dhjetor, ne do të protestojmë në Durrës për shkeljen e autonomisë vendore dhe prerjen e fondeve për qytetin nga kjo qeveri ilegjitime. Të hënën, më 14 dhjetor, ne do të protestojmë në Durrës për liri e të drejta që kërcënohen përditë nga ky pushtet që grabiti votat për të grabitur Shqipërinë. Të hënën, më 14 dhjetor, ne do të protestojmë në Durrës për të bashkuar më tej zemrat e zërat e të gjithë shqiptarëve që nuk e pranojnë këtë qeveri të kthyer në regjim dhe këtë qeverisje të kthyer në sundim”, - tha gjatë fjalës së tij deputeti i PS, Blendi Klosi.

Sipas këtij të fundit, përveç zgjatjes njëjavore të protestave, ato do të vijojnë më masivisht edhe pas Vitit të Ri. “Java e ardhshme do të jetë ura që do të lidhë protestat që lamë pas, me protestat që do të rifillojnë edhe me fuqishëm pas Vitit te Ri”, - tha Klosi. Në qendër të tyre tashmë duket se nuk është më vetëm hapja e kutive, por gjithë situata dhe problemet që shqetësojnë qytetarët e këtij vendi.

Strazimiri: Edhe ndërkombëtarët thonë se vendet me mafie nuk pranohen në BE

Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, ka vijuar akuzat ndaj opozitës, duke e cilësuar atë si kriminale dhe mafioze. Madje, sipas Strazimirit, këtë gjë e kanë pohuar edhe ndërkombëtarët. Duke iu referuar opozitës, deputeti i PD tha se, “ky shtet drejtohet sot nga ligjet dhe zbatimi i ligjit do të fitojë, sepse, siç tha dje ministri francez për Evropën, Pierre Lellouche, BE nuk pranon si anëtare vende me korrupsion dhe mafie”.

Strazimiri e ka cilësuar Partinë Socialiste si një polici private, e cila ka dalë në mbrojtje të biznesmenëve të paligjshëm dhe të lidhur me krimin. “Aksioni politik i grupit parlamentar të PS është reduktuar në mbrojtjen fizike me sistem dezhurni nga deputetët të “Dash pallatit”, i cili ka mbirë në mes të njërës nga rrugët e Tiranës, si dëshmi e përbuzjes së shtetit, ligjit dhe qytetarëve. Reduktimi i grupit parlamentar në polici private e “Dash pallateve”, “Fidel kullave” etj., e vendos votën e socialistëve të dhënë më 28 qershor për integrimin e Shqipërisë në Evropë, në nivelin më të ulët e më përçmues në historinë e zgjedhjeve shqiptare”, - tha Strazimiri.

Sipas këtij të fundit, vota e socialistëve ka qenë për një parti që duhet ta bëjë luftën e saj në parlament dhe jo në rrugë. “Reduktimi i PS në një sindikatë zaptuesish të trojeve publike është sinjali më dëshpërues që mund të emetohet nga zaptuesi aktual i PS, për ata mijëra votues, anëtarë e simpatizantë që votën e dhanë me shpresën dhe besimin për një betejë politike e parlamentare, e jo për politikë rruge e rrugaçësh”, - u shpreh përfaqësuesi i mazhorancës.

Strazimiri shprehu vendosmërinë e mazhorancës për të vazhduar luftën ndaj atyre biznesmenëve, që, sipas tij, kanë zaptuar në mënyrë të paligjshme pronën publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›