Incident i rëndë, policia nuk lejon inspektimin e të paraburgosurit të dhunuarNga TemaNjë incident i rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme, kur Policia e Tiranës është konfliktuar me përfaqësues të Institutit Evropian të Tiranës dhe Zyrës së Avokati
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Incident i rëndë, policia nuk lejon inspektimin e të paraburgosurit të dhunuarNga TemaNjë incident i rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme, kur Policia e Tiranës është konfliktuar me përfaqësues të Institutit Evropian të Tiranës dhe Zyrës së Avokatit të Popullit. Shkak për këtë është bërë një kërkesë e tyre për të monitoruar një të arrestuar, familjarët e të cilit kanë deklaruar se ai është dhunuar nga ana e oficerëve të policisë. Sipas burimeve, mësohet se përfaqësuesit e IET, të cilët monitorojnë situatën në qelitë e paraburgimit në vendin tonë, janë konfliktuar me policinë e Komisariatit numër 4 në Tiranë. Këto burime thanë se në zyrën e Institutit Evropian të Tiranës ka mbërritur një telefonatë, e cila bënte me dije dhunën e ushtruar nga ana e policisë. Telefonata është kryer nga ana e familjarëve të një të sapo-arrestuari, me inicialet Sh. M. Familjarët kanë telefonuar edhe zyrën e Avokatisë së Popullit, duke denoncuar dhunën e ushtruar në polici. Për këtë arsye, përfaqësuesit e IET dhe Avokatisë së Popullit janë drejtuar për në Komisariatin numër 4, ku kanë kërkuar verifikimin e rastit të denoncuar. Por kjo gjë është kundërshtuar në mënyrë të prerë nga ana e përfaqësuesve dhe drejtuesve të këtij Komisariati, të cilët nuk kanë lejuar hyrjen e tyre në ambientet e paraburgimit, ku dhe ndodhej i arrestuari, familjarët e të cilit kishin denoncuar dhunën. Pavarësisht këmbënguljes së tyre për të kryer detyrën, përfaqësuesit e IET dhe Avokatisë së Popullit nuk janë lejuar që të hyjnë dhe të vizitojnë personin e arrestuar. Situata është acaruar ndjeshëm dhe është dashur ndërhyrja e drejtorit të Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, për ta normalizuar atë. Ai ka urdhëruar drejtuesit e Komisariatit numër 4 që të lejojnë përfaqësuesit e IET dhe zyrës së Avokatisë së Popullit të hyjnë në ambientet e paraburgimit. Gjatë vizitës që ata i kanë bërë personit të arrestuar, familjarët e të cilit bënë denoncimin, është konstatuar se ai ka pasur hematoma dhe nxirrje në sy. Në fakt, policia shqiptare ka qenë shumë herë e akuzuar për dhunë të ushtruar ndaj personave të arrestuar. Kjo është provuar edhe nga raporte të ndryshme të realizuara nga zyra e Avokatit të Popullit dhe shoqata të tjera. Madje, për shkak të dhunës së ushtruar nga ana e oficerëve të policisë ka pasur edhe raste vdekjesh, të cilat më pas janë mundur të fshihen nga policia. Një rast i tillë ndodhi vetëm dy javë më parë në Durrës, kur një 26-vjeçar u deklarua i vetëvarur në ambientet e paraburgimit nga ana e policisë, ndërsa familjarët thanë se ai vdiq për shkak të dhunës së ushtruar nga policia. Kjo e fundit pezulloi katër oficerë policie, por u mjaftua vetëm me kaq.