Sekretari i LSI-së: “Më 26 shtator do të nisin zgjedhjet për kreun e LSI-së së Tiranës”
Eneida Jaçaj
Lëvizja Socialiste për Integrim këmbëngul që Partia Socialiste të kontribuojë në ndryshimet e reformës zgjedhore sipas standardeve europiane. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, theksoi dje se reforma zgjedhore është një çështje shumë e rëndësishme, ku në të duhet të përfshihen edhe rekomandimet e OSBE/ODHIR-it. Ai i fton të gjitha palët politike të ulen në një tryezë dhe t’i nënshtrohen një dialogu konstruktiv mbi Kodin Zgjedhor. Në deklaratën e tij për shtyp, Rama ka bërë me dije se më datë 26 shtator do të zhvillohen zgjedhjet në strukturat drejtuese të LSI-së në Tiranë. Përsa u përket përgatitjeve për zgjedhjet vendore, Rama tha se LSI-ja është duke punuar me strukturat e saj që të jetë e gatshme në momentin e duhur për të shkuar në tryezën e dialogut dhe konsultave elektorale me kandidatura, alternativa dhe program fitues.
Deklarata
“Reforma zgjedhore është një çështje e rëndësishme dhe fakti që duhet realizuar nuk ka të bëjë me vullnete individuale dhe vullnete që bazohen mbi interesa parciale të individëve të caktuar. Ne, kur jemi shprehur dhe kur insistojmë për domosdoshmërinë e një reforme zgjedhore, korrekte, transparente dhe gjithë përfshirëse, kemi parasysh dhe reflektimin e përgjegjshëm në funksion të përmbushjeve dhe rekomandimeve që kanë dhënë ndërkombëtarët, në mënyrë të veçantë OSBE/ODHIR-i, si trupat e specializuara që merren me monitorimin dhe certifikimin e zgjedhjeve”, - u shpreh Rama. Ai nënvizoi se kjo është një sfidë për politikën shqiptare dhe shprehu gatishmërinë e LSI-së për të kontribuar. “Kemi humbur kohë, kjo është e vërtetë, por është e nevojshme të theksoj gjithashtu se apeli ynë është gjithmonë në funksion të standardeve europiane të zgjedhjeve, dhe nga kjo pikëpamje ne do të vazhdojmë të këmbëngulim”, - tha Rama.
Zgjedhjet në LSI
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Rama, deklaroi se LSI-ja ka shpallur fushatën e zgjedhjeve për strukturat drejtuese të saj në qytetin e Tiranës. “Më 26 shtator, e gjitha organizata e LSI-së të qytetit të Tiranës do të marrë pjesë në zgjedhje, të cilat do të zhvillohen sipas parimit ‘një anëtar, një votë’, për të zgjedhur kryetarin e ri të LSI-së të Tiranës dhe drejtuesit e tjerë të lartë, nënkryetarët dhe sekretarin e Përgjithshëm për Tiranën”, - deklaroi Rama. Ai sqaroi se kjo fushatë ka për synim jo vetëm të rikonfirmojë vitalitetin dhe forcën organizative, politike dhe elektorale të LSI-së për Tiranën, por do të japë dhe modelin e një gare korrekte, të një gare të hapur të ballafaqimit të alternativave të drejtimit për LSI-në e Tiranës, do të dëshmojë që parimet mbi të cilat është krijuar LSI-ja janë parime që marrin jetë dhe zbatohen realisht në të tëra nivelet e funksionimit dhe të drejtimit të saj.
Zgjedhjet vendore
Rama bën me dije se LSI-ja është duke u përgatitur seriozisht për të marrë pjesë në garën e zgjedhjeve vendore. “LSI-ja është duke punuar me strukturat e saj që të jetë e gatshme në momentin e duhur, për të shkuar në tryezën e dialogut dhe konsultave elektorale me kandidatura, alternativa dhe program fitues. Natyrisht që për ne vazhdon dhe mbetet gjithmonë e rëndësishme që ata që duhet të fitojnë zgjedhjet e ardhshme lokale janë qytetarët, janë votuesit, të cilët duhet të zgjedhin më të mirët dhe ata që natyrisht kanë jo vetëm kredenciale të nevojshme, por dhe përgjegjësinë qytetare për t’iu shërbyer votuesve”, - u shpreh Rama.
Përsa u përket kandidatëve për Bashkinë e Tiranës, Rama tha se LSI-ja ka një mori emrash që janë alternativa të njëri-tjetrit, për të shkuar të tryeza e konsultës paraelektorale me emra konkretë, me program konkret dhe të detajuar sipas çdo njësie ku do të zhvillohen zgjedhjet.
Topi dekoron me “Medaljen e Mirënjohjes” ambasadorin Helmuth Lohan
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi dje Ambasadorin e Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, me “Medaljen e Mirënjohjes”, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Tiranë. Ceremonia u zhvillua në Presidencë, në prani të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, të deputetëve të maxhorancës dhe opozitës, ambasadorëve të akredituar në Shqipëri, si dhe anëtarëve të kabinetit të Presidentit. Pas nderimit të Himnit Kombëtar dhe leximit të dekretit nga sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Aleksandër Flloko, Presidenti i Republikës i dorëzoi “Medaljen e Mirënjohjes” ambasadorit Helmut Lohan dhe dekretin me motivacionin: “Për kontribut të veçantë në përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”. Me anë të kësaj dekorate, Presidenti i Republikës shprehu vlerësimin e tij për veprimtarinë e gjerë dhe të dobishme të Ambasadorit Lohan në dobi të zhvillimit të gjithanshëm të Shqipërisë, forcimit të demokracisë e shtetit të së drejtës, me synim integrimin sa më shpejt të vendit tonë në familjen evropiane. Ambasadori Lohan, duke shprehur mirënjohjen për këtë nder të madh, theksoi mes të tjerash: “Dëshiroj t’ju siguroj, zoti President, se Komisioni Europian, Shërbimi i Jashtëm i Veprimit i Bashkimit Europian dhe të tjera institucione europiane, së bashku me punonjësit e tyre do të vazhdojnë të ndihmojnë Shqipërinë në rrugëtimin e saj integrues. Në një analizë përfundimtare është vetë Shqipëria ajo që do të përcaktojë ritmin e përparimit të saj drejt Bashkimit! Në këtë drejtim, ju uroj suksese juve zoti President dhe të gjithë shqiptarëve në përpjekjet tuaja për një bashkëngjitje të shpejtë me Bashkimin Europian”. Kreu i shtetit zhvilloi më pas një takim të shkurtër lamtumire me Ambasadorin e Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, zotin Helmuth Lohan, i cili është në prag të përfundimit të mandatit të tij në krye të këtij delegacioni në Tiranë.
Berisha në Salzburg, do të marrë pjesë në takimin e kryeministrave të vendeve të Europës Juglindore
Kryeministri Sali Berisha u nis dje për në Salzburg të Austrisë, ku do të marrë pjesë në takimin e përvitshëm të kryeministrave të vendeve të Europës Juglindore, që organizohet nga kancelari i Austrisë, Verner Faymann. Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë, pas takimit, kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha, do të ndjekë shfaqjen “Romeo dhe Zhuleta”, e cila jepet në një nga ditët e Festivalit të Salzburgut.
Bumçi: “Rama të deklarojë pasuritë e krijuara nga lejet e ndërtimit”
Partia Demokratike ka vijuar dje ofensivën e saj kundrejt akuzave për korrupsion që vijnë nga Partia Socialiste. Ka qenë deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, i cili i ka kërkuar kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, të përgjigjet pa ekuivoke për pasuritë që ai ka krijuar nëpërmjet sekserëve të tij nga lejet e dhëna për ndërtim. "Duke besuar që nuk do të fshihet më gjatë, uroj që Edvin Rama të gjejë kurajën e t’u përgjigjet disa pyetjeve të thjeshta, pa bërë lojëra fjalësh, pa kallëzuar përralla e pa iu marrë goja. Zoti Rama: Prej sa kohësh e njeh z. Dritan Avllaj, i njohur si Tan Lepri? Sa është numri i lejeve të ndërtimit që përmes Tan Leprit u ke dhënë firmave të ndërtimit? Sa është rritur pasuria e këtij “sekseri” prej lejeve të lëshuara nga Bashkia? Në sa kontrata trojesh ndërtimi je pjesë në emër të Tan Leprit? Sa është sipërfaqja e apartamenteve që mban në emrin e sekserit të Bashkisë e Partisë së Leprit? Sa është pasuria juaj e vendosur në emër të Tan Leprit?” - u shpreh deputeti demokrat Bumçi.
Reagim
Gaçi: “Partia Socialiste do të shkulë përgjithmonë korrupsionin e qeverisë”
Deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaçi, ka reaguar menjëherë pas deklaratës së deputetit të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, i cili u shpreh se opozita do të vijojë të shkulë korrupsionin e qeverisë “Berisha”. “Sikundërse prej ditësh i kemi paralajmëruar shqiptarët, Sali Berishës i ka hyrë lepuri në bark nga të gjitha skandalet korruptive që po denoncohen përditë nga opozita. Aldo Lepuri ka rastin të shkojë në prokurori a gjykatë ku e presin paditë dhe kallëzimet tona për shpifje. E vërteta është se qeveria e Sali Berishës është kthyer kryekëput në shkurren ku fryhen dhe ushqehen lepujt e korrupsionit. Të jetë i sigurt jo vetëm Sali Berisha apo Aldo Lepuri, por dhe të gjithë lepujt e korrupsionit të këtij pushteti, se kjo ferrë e korrupsionit do të shkulet njëherë e mirë nga shqiptarët përmes fuqisë së ndryshimit”, - u shpreh deputeti Gaçi.
28 Gusht 2010