E Martë, 3 Nëntor 2026

Ministri serb shantazhon dy vende anëtare të NATO-s, Rama: Kërcënimet kundër Maqedonisë së V., e Malit të Zi, janë të rrezikshme

Serbia duket se nuk ka hequr dorë nga kërcënimet ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, ndonëse këto dy vende janë anëtare të NATO-s dhe kanë statusin e vendeve kandidate për anëtarësim në BE.

Ky nivel kërcënimi duket se ka marrë një dimension zyrtar, pasi ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq, sipas Thegeopost, referuar edhe televizionit serb Pink, kërcënoi hapur në një intervistë Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut duke u shprehur: “Ata kur u bënë anëtarë të asaj sigurie kolektive, pra të Aleancës së NATO-s, mendojnë se i kanë zgjidhur të gjitha problemet dhe se asgjë nuk mund t’u ndodhë më. Duhet të shikosh çfarë ka në histori, të kuptosh pak rrethanat e tjera dhe të kuptosh se çfarë po ndodh në oborrin e shtëpisë së tyre. Gabuat dhe do iu bie në kokë, ashtu siç iu ra në kokë të gjithë atyre që promovuan Kosovën dhe Metohinë si shtet të pavarur në Ukrainë. Ju keni hapur Kutinë e Pandorës. Përgjigjet tuaja burokratike se Kosova është “sui generis”, se është një rast i veçantë, janë qesharake. As Albin Kurti dhe as Tirana nuk ju besojnë”.

Pa ju referuar drejtpërdrejtë me emër deklaratave të bëra nga ministri serb i Mbrojtjes, ka pasur një reagim të fortë nga kryeministri, Edi Rama.

Nëpërmjet një postimi në X, Rama shkruan se kërcënimet kundër stabilitetit dhe integritetit të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi janë të rrezikshme dhe të papranueshme.

“Të mos harrojmë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit. Ne kemi arritur në dekadën e fundit në këtë rajon atë që askush nuk mund ta imagjinonte në dekada të pafundme më parë dhe nuk mund dhe nuk do të lejojmë askënd të na tërheqë prapa në të shkuarën që po e lëmë pas përgjithmonë! Së bashku! Evropa e Madhe është e ardhmja jonë e vetme.“- shkruan Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›