E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria: Konsumimi i mishit të derrit s'transmeton virus

Ministria e Bujqësisë thotë se konsumimi i mishit të derrit nuk shkakton shfaqjen e virusit H1N1 tek njeriu. Është provuar vetëm transmetimi i virusit nga njeriu tek njeriu dhe jo nga ushqimi. 

TIRANE- Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (MBUMK) garantoi sot konsumatorët për sigurinë e cilësisë së mishit të derrit në vendin tonë.

Në një konferencë për shtyp, Drejtoresha e Përgjithshme e Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në MBUMK, Valbona Paluka tha sot se "mbështetur në të gjitha informacionet e Organizatave Ndërkombëtare të Mbrojtjes së Konsumatorit, rezulton se konsumi i produkteve të derrit nuk konsiderohet rrezik për përhapjen e virusit".

Drejtoresha shtoi më tej se në zonat e shfaqjes së virusit A H1N1, nuk ka pasur prezencë të e virusit në popullata të derrave, ndërkohë që është provuar vetëm transmetimi i virusit nga njeriu tek njeriu dhe jo nga ushqimi.

Duke iu referuar të dhënave më të fundit të organizatave ndërkombëtare për përhapjen e gripit të derrave, Paluka bëri të ditur se Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve (OIE) ka cilësuar se "nuk ka në asnjë rast derra të infektuar në zonat ku është shfaqur infeksioni i gripit në njerëz dhe nuk është e nevojshme për të ndërmarrë masa specifike në tregtinë (import-eksport) të derrave ose produkteve të tyre".

Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore, tha Paluka, bazuar në rezultatet e vlerësimit të riskut, cilëson se ky virus është i ndryshëm nga virusi i gripit që prek derrat. "Nuk ka asnjë evidence shkencore që të sugjerojë se virusi H1N1 mund të transmetohet tek njerezit nëpërmjet konsumit të mishit si ai i derrit ose nënproduktet".
Në këto kushte, ajo garantoi se mishi i derrit dhe nën produktet e tij, nuk përbëjnë asnjë burim infeksioni, në qoftëse ato trajtohen në përputhje me normat e standardet e sigurisë ushqimore, në praktikat më të mira të higjienës dhe kur ato janë të gatuara me trajtim termik mbi 70 gardë celsius.

Gripi i derrave, u shfaq për herë të parë në fund të muajit prill në Meksikë dhe është përhapur në shumë vende të botës. Ai është specifikuar si gripi A( H1N1). Ky vendim është marrë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve (OIE).
(s.g/ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›