Ish-të përndjekurit, 87 emrat që dëmshpërblehen
Qeveria ka miratuar fondin që do të përdoret për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, për pjesën e mbetur të vitit 2011. Sipas deklaratës së bërë nga vetë kreu i qeverisë në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, 2 miliardë lekë do të shkojnë këtë vit për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Po ashtu, në këtë mbledhje është miratuar edhe vendimi për dëmshpërblimin financiar për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist. Në listën e miratuar së fundi janë përfshirë emrat e 87 ish-të përndjekurve, të cilët do të marrin dëmshpërblimin përkatës nga shteti, sipas kohës së vuajtjes së dënimit. Sipas vendimit, masa e dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë dhe familjarët e të dënuarve me dënim kapital do të bëhet me këste, sipas kritereve e kufijve të përcaktuar në nenin 12, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar. Shuma e llogaritur, transferohet në një llogari speciale në Bankën e Shqipërisë. Pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues bëhet nga Ministria e Financave, në llogaritë personale të këtyre përfituesve, të hapura në bankat e nivelit të dytë, të përzgjedhura, sipas nenit 33, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, të ndryshuar.