E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Arsimit: Shkollat do të nisin më 14 shtator

MASH-i publikon udhëzimin për fillimin e vitit të ri shkollor

Jonida Tashi

Shkollat e arsimit parauniversitar do t’i hapin dyert për mësimin e 800 mijë nxënësve në datën 14 shtator. Ministria e Arsimit gjatë një mbledhje të zhvilluar ditën e djeshme me Ministrinë e Shëndetësisë ka vendosur të mos e shtyjë afatin e përvitshëm të hapjes së shkollave. Pas diskutimeve të bëra nga ekspertët e shëndetësisë dhe arsimit, drejtuesit e dy ministrive kanë rënë dakord që viti i ri shkollor në arsimin parauniversitar të fillojë më 14 shtator.
Udhëzimi
Menjëherë pas marrjes së vendimit për datën e nisjes së vitit të ri shkollor 2009-2010, Ministria e Arsimit ka publikuar udhëzimin “Për zbatimin e planeve, programeve dhe teksteve mësimore të arsimit parauniversitar në vitin shkollor 2009-2010”. Në udhëzimin prej 32 faqesh janë detajuar të gjitha pikat kryesore që do të ndjekin strukturat në varësi të MASH-it për mbarëvajtjen e procesit mësimor. Po ashtu, gjatë vitit të ri shkollor do të vihen në zbatim një sërë ndryshimesh që ekspertët e arsimit kanë përcaktuar, pjesa më e madhe e të cilave fokusohet në pjesën e kurrikulës dhe strukturës. Kështu, në vitin shkollor 2009-2010, në mbështetje të gjithë procesit të reformimit të sistemit arsimor parauniversitar do të fillojë të zbatohet për herë të parë struktura e re kurrikulare e gjimnazit e përbërë nga dy pjesë kryesore, kurrikula bërthamë dhe kurrikula me zgjedhje të detyruar dhe të lirë. Kjo kurrikul sjell një konceptim të ri të procesit të mësimdhënies dhe mësimnxënies, duke synuar që sistemi arsimor shqiptar të përafrohet me atë ndërkombëtar në formë dhe përmbajtje. Kurrikula me zgjedhje përfshin kurrikulën me zgjedhje të detyruar dhe kurrikulën me zgjedhje të lirë.
Të rejat
Një risi në këtë vit shkollor do të jetë edhe në kuadrin e mësimit të gjuhëve të huaja. Nxënësit e klasës së VI-të përveç gjuhës së huaj të parë të detyruar do të kenë mundësi të mësojnë edhe një gjuhë të huaj të dytë fakultative (jo me detyrim) për nxënësit. Mësimi do të zhvillohet mbi bazën e orëve ekstrakurrikulare. Synimi i kësaj politike arsimore është shumëgjuhësia në shkollat e arsimit parauniversitar, mundësimi i mësimit të një gjuhe të huaj që në moshë sa më të vogël,(klasa III e CU) vijimësia e gjuhës ( klasa VI ) dhe mundësia e gjuhës së dytë në ciklet pasardhëse. Gjimnazi me kohë të plotë në vitin e ri shkollor do të fillojë i mbështetur në dokumente të reja shkollore si: planet e reja mësimore, korniza e re kurrikulare e gjimnazit, programet dhe standardet lëndore si dhe udhëzuesit lëndorë.

Psikologët e shkollave, ikën nga puna kush nuk ka arsimin përkatës

Në fillim të vitit të ri shkollor të gjitha shkollat duhet të kenë zëvendësuar psikologët ekzistues që nuk kanë arsim përkatës me psikologë me arsim. Ky është vendi i marrë nga MASH-i për shërbimin psikologjik shkollor gjatë vitit të ri mësimor. Gjithashtu, drejtuesit e MASH-it kanë kërkuar nga drejtuesit e shkollave që të sigurojnë kabinetin e shërbimit psikologjik dhe pajisjen e tij në të gjitha shkollat që ofrojnë këtë shërbim. Në çdo shkollë ku funksionon shërbimi psikologjik duhet të ngrihet grupi i mbështetjes së psikologut. Sipas MASH-it, shtrirja e shërbimit psikologjik shkollor, në të gjitha kopshtet dhe shkollat, do të vijojë të bëhet në mënyrë të përshkallëzuar, vetëm pasi të sigurohet specialisti me arsim përkatës dhe kabineti i psikologut i pajisur në shkollë.

Matura 2009-2010, ndryshojnë datat e provimeve

Maturantët e vitit të ardhshëm do t’i nënshtrohen më herët provimeve të Maturës Shtetërore. Ministria e Arsimit ka vendosur të ndryshojë datat e këtyre provimeve, duke i afruar ato më shumë me datën e mbylljes së procesit mësimor. Sipas datave të reja, sesioni i provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore do të fillojë më 7 qershor për të mbaruar më 2 korrik 2010. Ndërkohë që gjatë maturës së si vjetshme provimi i fundit u zhvillua në datën 10 korrik. Në kuadrin e konsolidimit të procesit të Maturës Shtetërore dhe mirinformimit të nxënësve, mësuesve dhe prindërve për procedurat e Maturës Shtetërore, sistemin Meritë-Preferencë, DAR/ZA-t dhe drejtoritë e gjimnazeve, duhet të marrin masat për planifikimin gjithëvjetor të punës për këshillimin për karrierën, kryesisht në kuadër të realizimit të orëve të lira. Për këtë DAR/ZA-të do të analizojnë me shumë përgjegjësi rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore të vitit 2009 dhe të mënyrës së administrimit të këtyre provimeve. Kurse zyrat për Këshillimin për Karrierën pranë gjimnazeve, duhet të hartojnë plane pune vjetore, të miratuara nga drejtoritë e shkollave dhe DAR/ZA. Nga ana tjetër, Drejtoria e Kurrikulës dhe Monitorim-Vlerësimit do të monitorojë gjatë gjithë vitit shkollor punën e kryer për Këshillimin e Karrierës.

Maturës 2009, studim për analizimin e rezultateve

Rezultatet e Maturës Shtetërore 2009 do të detajohen një studim të posaçëm. Analiza e rezultateve të Maturës Shtetërore 2009 do të zhvillohet nga të gjitha DAR/ZA me synimin që: të evidencohen shkollat me arritjet me të mira si dhe nxënësit më të mirë të Maturës 2009 në nivel DAR/ZA. MASH-i u ka kërkuar këtyre të fundit që të përgatitet një studim ku t’i kushtohet një vëmendje e veçantë diferencës në notën vjetore dhe rezultateve të Maturës Shtetërore 2009. Gjatë kësaj analize do të merret në shqyrtim procesi i administrimit, trajnimit të administratorëve si dhe rezultatet e dala nga KOPOTED-et. Për të realizuar këtë detyrë, DAR/ZA-t do të përgatisin kalendarin e analizës të Maturës Shtetërore 2009, e cila do të zhvillohet nga data 5-26 nëntor 2009. Më pas, studimi i rezultateve të Maturës Shtetërore 2009 do të dërgohet në MASH. Pas marrjes së të dhënave, Drejtoria e Përgjithshme e Politikave Parauniversitare do të ndjekë analizën e Maturës Shtetërore 2009 në të gjitha DAR/ZA-t.

STRUKTURA E VITIT SHKOLLOR 2009-2010
Arsimi 9-vjeçar
Për klasat I-IX
Mësimet
Semestri i parë fillon më 14 shtator 2009 dhe mbaron më 29 janar 2010
Semestri i dytë fillon më 3 shkurt 2010 dhe mbaron më 11 qershor 2010
Pushimet
Periudha e parë, pushimet fillojnë më 25 dhjetor 2009 dhe mbarojnë më 3 janar 2010
Periudha e dytë, pushimet fillojnë më 30 janar 2010 dhe mbarojnë më 2 shkurt 2010
Provimet
Provimet e Lirimit për klasën IX zhvillohen më 12- 26 qershor 2010

Arsimi i mesëm
Mësimet
Klasa X
Semestri i parë fillon më 14 shtator 2009 dhe mbaron më 28 janar 2010
Semestri i dytë fillon më 1 shkurt 2009 dhe mbaron më 18 qershor 2010
Klasa XI
Semestri i parë fillon më 14 shtator 2009 dhe mbaron më 28 janar 2010
Semestri i dytë fillon më 1 shkurt 2009 dhe mbaron më 11 qershor 2010
Klasa XII
Semestri i parë fillon më 14 shtator 2009 dhe mbaron më 28 janar 2010.
Semestri i dytë fillon më 1 shkurt 2009 dhe mbaron më 4 qershor 2010
Pushimet
Periudha e parë fillon më 24 dhjetor 2009 dhe mbaron më 3 janar 2010
Periudha e dytë fillon më 29 janar 2009 dhe mbaron më 31 janar 2010
Provimet
Sesioni i provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore fillon më 7 qershor 2010 dhe mbaron më 2 korrik 2010

Kurrikula me zgjedhje, në klasën e 10 gjimnaz do të përfshijë lëndët:
Matematikë e avancuar
Letërsi e avancuar
Informatikë e avancuar
Trashëgimia jonë kulturore
Gjuhë e huaj (Anglisht, Frëngjisht, Italisht, Gjermanisht dhe Spanjisht)
Lëndë me zgjedhje të lirë janë përforcimi në Matematikë, Letërsi, Fizikë dhe Biologji

4 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›