E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti i ri mësimor, lista e zezë e shkollave që nuk do të hapen më 14 shtator



Jonida Tashi

Plot 12 institucione të arsimit parauniversitar në kryeqytet nuk do të jenë të gatshme të nisin procesin mësimor në datën 14 shtator. Inspektorët e higjienës kanë vendosur të mbyllin tri çerdhe, katër kopshte si dhe pesë shkolla vetëm në Tiranë. Në listën e zezë të shkollave që nuk janë gati për të pritur nxënësit gjatë vitit të ri mësimorë janë përfshirë gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, si dhe katër shkolla 9-vjeçare, që janë: “Ahmet Gashi”, “Bajram Curri”, “Kolë Jakova” dhe “Kushtrimi i Lirisë”.
Vendimi
Kryeinspektorja e Higjienës, Besa Shehu shpjegon arsyet pse është marrë vendimi për kyçjen e këtyre institucioneve arsimore, një nga të cilat është amortizimi tej mase i ambienteve ku qëndrojnë fëmijët, por edhe i kuzhinave ku gatuhet. “Ato institucione që ne i kishim më problematike, siç është çerdhja nr.11 në Laprakë, kopshti nr.22 dhe nr.39 në Njësinë Bashkiake 4, nuk është bërë asnjë punim. Dhe duke mos u bërë asnjë punim gjendja e tyre është me të vërtetë shumë alarmante, pasi janë tejet të amortizuara. Ambientet e gatimit dhe të shërbimeve në këto institucione lenë shumë për të dëshiruar”,- sqaron shefja e Sektorit të Ambienteve Fëmijërore dhe Studentore. Ndërsa përsa i përket mbylljes së shkollave të mësipërme, inspektorët e higjienës shpjegojnë se shkak për marrjen e këtij vendimi është bërë mosrikonstruksioni i tyre. Sipas specialistëve, rikonstruksioni i tyre duhej të bëhej në muajt e verës, për të qenë gati në shtator dhe kjo gjë nuk ka ndodhur.
Situata
Më problematike situata e mbylljes së shkollave pritet të jetë për gjimnazistët e “Petro Nini Luarasit”, i cili konsiderohet si një nga më të preferuarit në Tiranë, pasi ka dhe një numër të konsiderueshëm nxënësish. Ky gjimnaz sipas specialistëve të higjienës, është amortizuar edhe për shkak se vitin e shkuar në të, ndoqën studimet edhe studentë të Fakultetit të Drejtësisë. Por megjithë vendimin e marrë nga Drejtoria e Higjienës për kyçjen e këtyre institucioneve arsimore, nuk dihet ende se cilat do të jenë ambientet e reja në të cilat do të mësojnë nxënësit e këtyre shkollave. Gjithçka pritet të vendoset gjatë ditëve të ardhshme, në mënyrë që nxënësit të mësojnë para datës së fillimit të shkollës vendin se ku do të shkollohen. Aktualisht në Tiranë numërohen rreth 29 çerdhe publike, 42 kopshte, 50 shkolla 9-vjeçare dhe 24 shkolla të mesme.

Institucionet arsimore që nuk do të hapen
“Petro Nini Luarasi”
“Ahmet Gashi”
“Bajram Curri”
“Kolë Jakova”
“Kushtrimi i Lirisë”
Çerdhja nr.11
Kopshti nr.22 e 39

Alarmi
500 talasemikëve iu ka mbetur vetëm një flakon me gjak

Thellohet kriza e gjakut në bankën kryesore të grumbullimit të tij që ndodhet në Lushnjë. Prej afro gjashtë javësh, 500 talasemik në jug të vendit kanë filluar të japin sinjalin “SOS” për lëngun jetësor. Në ditën e dytë të kësaj jave, rezervat e gjakut në frigoriferët e bankës kanë qenë vetëm dy flakon. Sipas bluzave të bardha, mësohet se sigurimi i këtyre dy flakonëve është bërë nga familjarë të të sëmurëve dhe për fat të keq pas analizave është konstatuar se një prej flakonëve ishte i infektuar. Për rrjedhojë, dje në Qendrën Rajonale të Hematologjisë në Lushnjë ka qenë vetëm një flakon gjaku rezervë. Alarmi për mungesën e theksuar të rezervave të gjakut në Lushnjë, përveç të sëmurëve jepet edhe prej mjekut specialist, Mehmet Xhindole, që drejton këtë qendër. Xhindole deklaron se muaji gusht ka shënuar edhe krizën më të thellë për gjak që kjo qendër ka njohur gjithë këtë kohë. Megjithëse familjarët e të sëmurëve kronikë me talasemi i drejtohen çdo ditë kësaj qendre me shpresën e gjetjes së sasisë së domosdoshme të gjakut për të afërmit e tyre, ata kthehen në shtëpi “duarbosh”. Duke mos gjetur dot asnjë zgjidhej tjetër për sigurimin e gjakut, pasi edhe familjarët e të sëmurëve nuk kanë qenë të gatshëm për të dhënë gjak, mjeku Mehmet Xhindole, ka vënë në dijeni Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me krizën për gjak. “Me gjithë sensibilizimin për thithjen e dhuruesve të gjakut, duhet pranuar që disa emergjenca janë kaluar falë dhurimit të familjarëve, kurse rastet e tjera tashmë ndihen të rrezikuara. Kjo është periudha e krizës së vërtetë për gjak”,- thotë mjeku Xhindole. Pranë Qendrës Rajonale të Hematologjisë në Lushnjë trajtohen sistematikisht afro 500 të sëmurë me talasemi, që vijnë nga rrethet Fier, Mallakastër, Berat, Lushnjë si dhe nga disa zona të tjera prej Jugut dhe Jugperëndimit të vendit. Kjo qendër është një nga bankat kryesore të rezervimit të gjakut në vend, e cila prej një viti është “pagëzuar” me emrin Qendra Rajonale e Hematologjisë.

Gripi i derrit, vdes shqiptari i parë në Greqi

Gripi i derrit shënon viktimën e parë shqiptare në Greqi. Viktima është 25-vjeçari Jani Metushi, i cili kurohej që prej datës 19 gusht në spitalin e Athinës. Gjendja e 25-vjeçarit është rënduar pasi prej kohësh ai vuante nga probleme kardiake, madje kishte vendosur edhe aparat për aritminë në zemër. Metushi ishte infektuar nga gripi i derrit gjatë pushimeve në ishullin Paros të Greqisë. Pas kësaj, i riu ka shfaqur shenja si vështirësi në frymëmarrje dhe është konstatuar se ky virus i ka shkaktuar pneumoni të rëndë në mushkëri. Prekja nga gripi i derrit i shkaktoi 25 vjeçarit komplikacione, midis tyre në orët e fundit edhe mosfunksionim e shumë organeve me pasojë vdekjen e tij. Numri i përgjithshëm i të prekurve nga virusi A/H1N1 në Greqi ka arritur në afro 2000 persona.

Afganistan, vetëm një ushtar shqiptar me grip

Vetëm një nga katër ushtarët shqiptar në Afganistan të dyshuar se ishin prekur nga virusi A/H1N1 është i sëmurë me gripin e derrave. Analizat për tre komandot e tjerë që ishin mbajtur në izolim kanë konfirmuar se ata nuk janë prekur nga virusi A/H1N1. Ndërkohë mësohet se gjendja shëndetësore e ushtarit Denis Sulko nga Lushnja po përmirësohet. Këto të dhëna janë bërë të ditura nga Ministria jonë e Mbrojtjes, e cila njoftoi dje se ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa ka zhvilluar një bisedë telefonike me komandot shqiptare në Afganistan, ku ka kërkuar informacion për gjendjen e tyre shëndetësore. Ministri Oketa ka biseduar edhe me familjarët e ushtarit të prekur nga virusi i derrit, duke u mundësuar atyre një bisedë telefonike për t’i siguruar për shëndetin e djalit të tyre ushtar në Afganistan.

4 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›