E Diel, 1 Nëntor 2026

Analiza e policisë, Shkodra më pak krime në tre muaj



Shkodra ka pasur më pak krime sezonin e verës krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Statistikat janë bërë publike në analizën e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Shkodrës. Bazuar në të dhënat zyrtare të kësaj drejtorie, pas përmbledhjes që i ka bërë punës së saj dhe ngjarjeve të evidentuara gjatë muajve qershor-gusht të këtij viti, në këtë qark janë evidentuar 215 vepra penale, të cilat janë zbuluar në masën 68,7 për qind.
Statistikat
Nga krahasimi i kriminalitetit ndërmjet tremujorëve respektivë të viteve 2008 dhe 2009 rezulton se gjatë këtij vitit ka një rënie të kriminalitetit në masën prej 72 vepra penale ku në krimet në fushën e drogës kanë pësuar një rënie prej 45 veprash penale. Po sipas raportimeve ka rënie të ndjeshme të numrit të vrasjeve nga 4 në tremujorin e kaluar, në 1 këtë tremujor. Ndërkohë vazhdon lufta kundër fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike, që ka qenë njëkohësisht prioritet i policisë së këtij qarku. Gjatë periudhës 3-mujore qershor-gusht 2009, janë asgjësuar gjithsej 22 345 rrënjë bimë Cannabis sattiva, janë realizuar 25 operacione për asgjësimin e parcelave të mbjella me bimë narkotike, si dhe janë referuar në Prokurori 64 vepra penale për kultivim të bimëve narkotike.
Krimet e vjetra
Duke iu referuar të dhënave për ngjarjet e vjetra, gjatë sezonit veror u zbuluar 2 krime të vjetra; vrasja e shtetasit Lekë Malota, ndodhur në vitin 1999 në fshatin Palaj të Komunës Shosh me autor shtetasin Gjergj Ara, ndaj të cilit është marre masa e ndalimit si dhe plagosja e rëndë e shtetasit Fatjon Dajbabi, ndodhur në vitin 2001 në lagjen “Naim Gjylbegu”, me autor shtetasin Helidon Baloj, i cili u arrestua. Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër, ka ndërmarrë masa edhe për përballimin dhe sigurimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë këtij sezoni veror. Në plazhin e Velipojës, krahasuar dhe me numrin e veprave penale, janë evidentuar 4 vjedhje nga të cilat 2 janë zbuluar dhe vënë në pranga 4 autorë. Për të shmangu aksidentet e mundshme në këtë Policia e Shkodrës siguroi shërbime për të konstatuar shkelësit dhe për pasojë janë dhënë gjithsej 5487 masa administrative, me vlerë 4.568.250 lekë, janë bllokuar 186 automjete, për mungesë dokumentacioni si dhe janë pezulluar 105 leje drejtimi, për përdorim të pijeve alkoolike, për tejkalim të normave të shpejtësisë, për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit. Gjatë këtij 3-mujori kanë ndodhur gjithsej 23 aksidente rrugore, me 8 shtetas të vrarë, 11 të plagosur rëndë dhe 16 të plagosur lehtë.

Tiranë

Pranga 29-vjeçarit, shiste celularë kontrabandë

Një 29-vjeçar u vu në pranga nga policia pasi shiste celularë kontrabandë. Antikrimi ekonomik-financiar ka çuar dje në qeli Mentor Cajkan lindur në Dibër e banues në Domje të Tiranës pasi akuzohet për veprat penale të “tregtimit dhe transportit të mallrave që janë kontrabandë” dhe “ruajtje apo depozitimi i mallrave kontrabandë”. Sipas policisë Cajka me mjetin e tij tip-Benz, me targa TR 4510 M, është kapur duke tregtuar telefona celularë kontrabandë, pranë Bankës së Shqipërisë në qendër të Tiranës. Në cilësinë e provës materiale u bllokuan 93 telefona celularë të markave “Nokia”, “Motorola”.

Tiranë

Ishte në kërkim për vjedhje, arrestohet

Policia arrestoi dje një 19-vjeçar, pasi ishte në kërkim për vjedhje. Efektivat e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në Policinë e Tiranës bënë të mundur kapjen e të kërkuarit Plandi Dorzi, 19-vjeç, banues në Yzberisht, i dënuar më parë, për “vjedhje”. I riu ishte shpallur në kërkim pasi Prokuroria e Rrethit Tiranë më datë 2 shtator të këtij viti ka nxjerrë urdhër ndalimin për këtë të pasi është autor i dyshuar i vjedhjes së dyqanit të një shtetasi në Unazën e Re ndodhur më datë 17 korrik të këtij si dhe autori i dyshuar i vjedhjes së mbetur në tentativë të një motoçiklete më 29 gusht të këtij viti në rrugën “3 Dëshmorët”.

Durrës

Tentoi të vidhte banesën e një qytetari, ndalohet

Forcat e policisë së Durrësit kanë arrestuar në flagrancë 16-vjeçarin me inicialet F. Rr., lindur në Lushnjë dhe banues në Shkozet, i dënuar edhe më parë për veprën penale të “Vjedhjes”. Burime policore thanë për gazetën “Albania”, arrestimi i tij është bërë pasi u kap në flagrancë në tentativë për të vjedhur banesën e Xhevdet S. në Durrës. Janë kryer veprimet e para hetimore dhe materialet në lidhje me këtë ngjarje do t’i kalojnë prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “Vjedhjes” në tentativë të parashikuar nga neni 134/1 dhe 22 të Kodit të procedurës Penale.

Durrës

Makina humb kontrollin, përplaset në trotuar

Forcat e policisë kanë nisur një procedim penal ndaj 23-vjeçarit Blert Mema, pasi duke drejtuar automjetin me targa BC 667 VA, ka humbur kontrollin e tij dhe është përplasur me trotuarin e rrugës duke dëmtuar një shtyllë ndriçimi. Sipas të dhënave policore, në aksident është dëmtuar pasagjeri Lutfi B., lindur dhe banues në Durrës, i cili pas mjekimeve të marra në spital është larguar për në banesë pa probleme shëndetësore. Nga testi i alkoolit të bërë drejtuesit të automjetit, rezultoi se ai kishte përdorur pije alkoolike. I riu do të hetohet për veprën penale të “Shkeljes së Rregullave të Qarkullimit Rrugor”.

Durrës

Përplasen dy automjete, aksidentohen rëndë drejtuesit

Dy të plagosur është bilanci i një aksidenti të ndodhur në Durrës. Ngjarja rrugore ndodhi dje në vendin e quajtur Këneta e Durrësit kur dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën. Burime nga policia thanë për gazetën “Albania” se dy automjetet njëri tip-Benz 240 me targa TR-4236-P dhe tjetri tip-Golfi me targa AC-050-TE kanë qenë duke udhëtuar në kah të kundërt nga njëri-tjetri kur janë përplasur. Për pasojë kanë mbetur të plagosur rëndë drejtuesit e mjeteve Ali Cemenja 29 vjeç dhe Afrim Pasha, 38 vjeç, të cilët u transportuan menjëherë në spitalin e Durrësit nga ku mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë në vendin e ngjarjes mbërritën hetuesit e aksidenteve për të zbardhur rrethanat e kësaj përplasjeje. Burime nga policia thanë për se është bërë bllokimi i automjeteve të cilët u përplasën me njëra-tjetrën. Ndërsa pritet përmirësimi i shëndetit të dy drejtuesve të cilët do të merren në pyetje për të zbuluar dhe përgjegjësin e aksidentit.

4 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›