Ministria e Brendshme; Ndihmë dhe përkujdesje për familjarët e policëve të vrarë në Kukës
Ministria e Brendshme dhe strukturat e policisë do të ndihmojë financiarisht dhe do të kujdesen për familjarët e dy policëve të rënë në krye të detyrës, Ramadan Hila dhe Shkëlzen Dobrushi. Ditën e djeshme, zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, zhvilloi një takim me familjarët e viktimave. Ai garantoi familjarët e policëve të vrarë nga dora kriminale, mbështetjen e Ministrisë së Brendshme dhe strukturave të Policisë së Shtetit për t’iu gjendur pranë në këto momente të vështira dhe të dhimbshme. Në vizitat e bëra në familjet përkatëse, në Shënmëri dhe në spitalin civil të qytetit të Kukësit, ku ndodheshin edhe përfaqësues të pushtetit lokal, Burgaj u shprehu edhe një herë ngushëllimet për humbjen e rëndë dhe premtoi që në përballimin e kësaj dhimbjeje këto familje nuk do të jenë vetëm. “Ju garantojmë se familjarët dhe fëmijët e dy ish-kolegëve tanë të nderuar do të kenë gjithmonë pranë të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, duke iu mundësuar atyre një jetë më të mirë, një arsimim dhe përkujdesje të vazhdueshme”, - u shpreh Burgaj. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u dorëzoi familjarëve të dy policëve të vrarë në krye të detyrës një ndihmë monetare, si kontribut i parë i strukturave të Policisë së Shtetit. Fillimisht u dhanë gjashtë paga mujore për t’i ndihmuar ekonomikisht. “Kjo ndihmë modeste është fillimi i një vëmendjeje gjithnjë e më të madhe në të ardhmen, ku ju të dashur prindër, bashkëshortë e fëmijë të kolegëve tanë, do të na keni gjithmonë pranë, duke iu lehtësuar sado pak dhimbjen dhe duke zgjidhur së bashku hallet”, - u shpreh ai. Gjithashtu, Burgaj deklaroi se tre ditë më parë, përfaqësues të programit ICITAP që asiston në policinë shqiptare, i kanë dorëzuar drejtorit të Përgjithshëm dy zarfe, në të cilat ka kontribuar në mënyrë vullnetare stafi i këtij programi. Të dy zarfet me të ardhura monetare u janë dorëzuar familjarëve të ish-punonjësve të policisë. Më datë 23.03.12009, rreth orës 21:, në vendin e quajtur Shënmëri, janë vrarë me armë zjarri për shkak të detyrës punonjësit e policisë: inspektor Shkëlzen Destan Dobrushi dhe inspektor Ramadan Sadik Hila. Vrasja u krye nga shtetasi Avdi Hasani, i arrestuar më pas nga policia.