E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Klienti i vrau 2 policët sepse është i sëmurë psikik”

10/04/2009  Deklarata e avokatit të autorit. Krerët e policisë vizita në familje

TIRANE- Avokati mbrojtës i Afrim Hasanit, personit që pak kohë më parë ekzekutoi dy punonjësit e policisë së Kukësit Ramadan Hilën dhe Shkëlzen Dobrushin, ka kërkuar nga grupi hetimor i organit të akuzës kryerjen e një ekspertize psikike të klientit të tij. Sipas pretendimeve të avokatit, shtetasi që dyshohet si autori kryesor i ekzekutimit të dy policëve mund të ketë kryer krimin si pasojë e një sëmundje psikike dhe jo nga një motiv konkret siç pretendohet nga specialistët e Krimeve të Rënda. Megjithëse kërkesa duket pak e habitshme, organi i akuzës e ka vlerësuar atë duke urdhëruar një psikolog të kryejë ekspertizën mbi gjendjen psikike të të pandehurit. Mësohet se kjo kërkesë vjen menjëherë pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kopsitur dosjen penale në ngarkim të 34-vjeçarit Hasani dhe që nga momenti në moment ajo pritej t’i dërgohej gjykatës. Ndërkohë që ditën e djeshme zv/drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, në emër të kësaj të fundit vizitoi familjet e dy punonjësve të policisë, Ramadan Hila dhe Shkëlzen Dobrushi të rënë në krye të detyrës. Burgaj i garantoi familjarët e policëve të vrarë nga dora kriminale mbështetjen e Ministrisë së Brendshme dhe strukturave të Policisë së Shtetit për tju gjendur pranë në këto momente të vështira dhe të dhimbshme. Gjatë vizitave Hysni Burgaj u dorëzoi familjarëve të dy policëve të vrarë në krye të detyrës një ndihmë monetare, si kontribut i parë i strukturave të Policisë së Shtetit. “Kjo ndihmë modeste, është fillimi i një vëmendje gjithnjë e më të madhe në të ardhmen, ku ju të dashur prindër, bashkëshortë e fëmijë të kolegëve tanë do të na keni gjithmonë pranë, duke ju lehtësuar sado pak dhimbjen dhe duke zgjidhur së bashku hallet”,- pohoi zv/drejtori i përgjithshëm.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›