Ministria e Brendshme, apel qytetarëve për tu pajisur me karta identiteti
Pas ndërprerjes disa javore të procesit të pajisjes së shtetasve me kartat e identitetit dhe me pasaportat biometrike për shkak të zgjedhjeve parlamentare, Ministria e Brendshme fton sërish qytetarët të pajisen me këto dokumente. Përmes një deklarate për shtyp, Ministria e Brendshme i rikujtoi dje të gjithë qytetarët, që nuk kanë aplikuar deri më tani për letërnjoftimin elektronik, të paraqiten pranë zyrave të aplikimit, për tu pajisur me kartën e identitetit dhe pasaportën biometrike.
Zëdhënësi Klodian Branko ndërsa garantoi në emër të Ministrisë së Brendshme, kapacitete të plota për aplikimin elektronik, përmes kësaj deklarate, sqaroi se pajisja me kartën e identitetit është e domosdoshme për çdo qytetar, në mënyrë që të përfitojë shërbimet dhe të realizojë marrëdhëniet me institucionet publike dhe ato private. Pajisja me kartën e identitetit është e domosdoshme që çdo qytetar të përfitojë shërbimet dhe realizojë marrëdhëniet me institucionet publike dhe ato private. Tashmë i vetmi dokument identifikimi do të jetë letërnjoftimi elektronik. Pajisja me pasaportën biometrike bëhet në të njëjtën procedurë dhe në të njëjtën zyrë aplikimi. Disponimi i një pasaporte biometrike është një nga kushtet themelore të përfitimit të liberalizimit të vizave. Nga procesi i liberalizimit të vizave do të përfitojnë vetëm qytetarët që do të jenë të pajisur me pasaportën biometrike. Duke vazhduar të garantojmë kapacitetet e plota për aplikim, i kërkojmë të gjithë qytetarëve ti drejtohen zyrave përkatëse për tu pajisur me këto dokumente të standardeve të larta, përfundon zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme.