E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, banorët kërkojnë zbatimin e ligjit 7501, komunat të pafuqishme

Banorë të komunave të ndryshme në Kavajë kërkojnë prej kohësh zbatimin e ligjit 7501 për ndarjen e tokës, i cili për arsye të ndryshme nuk u zbatua që në momentin që ligji i shumëpërfolur nisi të gjente zbatim në pothuajse gjithë territorin e vendit. Në shumë fshatra në fillim të vitit 1991, kohë kur u miratua ligji 7501, nuk u pranua që toka bujqësore të ndahej sipas këtij ligji, duke vendosur ngritjen e komisioneve aspak të përshtatshme. Një iniciativë e tillë, kundër këtij ligji, solli menjëherë pasojat e veta, sepse toka nuk u nda në rregull, pati probleme me regjistrimin e saj dhe tashmë kur kanë kaluar 18 vjet, fshatarët nuk janë pronarë të ligjshëm të tokës që punojnë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me ndarjen e pasurive të tjera, si ullinj, vreshta etj. Situata të tilla problematike gjen kudo të komunat e Kavajës, duke filluar nga komuna e Golemit, e Luzit të Vogël, Lekaj dhe Gosës. Përveç mungesës së vendosmërisë që është shfaqur në fillim nga pushteti vendor në ndarjen e tokës sipas ligjit 7501, tani kur kanë kaluar shumë vjet, banorët denoncojnë se toka që duhej të ndahej në rregull për të gjithë banorët, është zaptuar nga një pakicë njerëzish. Në fshatrat Tilaj dhe Seferaj banorët akuzojnë se janë zaptuar 700 rrënjë ullinj, ndërsa ligji i mësipërm nuk u zbatua fare.Shkaktarë të ngërçit që nuk gjen zgjidhje banorët bëjnë komunën, e cila duhet të nisë nga e para procedurat për verifikimin e tokës në terren dhe ndarjen e rregullt të saj sipas frymëve, në mënyrë që kjo gjë të pasohet në fund nga regjistrimi i saj në hipotekë. Banorëve të këtyre fshatrave iu është thënë se ndarja e tokës iu është konvertuar, por ata nuk janë aspak dakord me një fenomen të tillë që ka sjellë vetëm dëme të pariparueshme për ekonominë e tyre. Po kështu ka ndodhur edhe në komunën Luz i Vogël, kur ish drejtues të kësaj komune kanë ndarë një sasi të konsiderueshme toke në Beden dhe zona të tjera të komunës, pa njoftuar personat që duhet ta përfitonin atë. Ndarja është bërë fiktive dhe në të njëjtën mënyrë është bërë edhe regjistrimi i saj në hipotekë. Tashmë komuna kërkon që kjo sasi toke të çregjistrohet dhe të mbetet pronë e komunës, pasi banorët e zonës nuk e kanë pëlqyer asnjëherë atë dhe nuk kanë dashur ta marrin në pronësi.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›