Fullani-qeverisë: Reduktoni borxhin, ekonomia në ngadalësim
Guvernatori ka deklaruar se ekonomia shqiptare është në ngadalësim dhe të gjithë agjentët janë duke shtyrë investimet për një kohë të dytë, duke shtuar ngërçin drejt niveleve të reja
Rritja e shpejtë e shpenzimeve dhe e deficitit buxhetor gjatë vitit 2009 ka rritur më tej nivelin e borxhit publik, i cili vlerësohet rreth nivelit 58 për qind të PBB-së në fund të muajit nëntor. Ka qenë guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, që në daljen e tij të radhës ka kërkuar sërish që të bëhet kujdes me politikat fiskale, që gjatë vitit 2009 kanë qenë ekspansioniste, duke rritur “gropën” në buxhetin e shtetit dhe më tej atë të borxhit publik. “Banka e Shqipërisë gjykon se orientimi i politikave të ardhshme buxhetore drejt konsolidimit fiskal, me qëllim reduktimin e borxhit publik, përbën tashmë një parakusht për stabilitetin makroekonomik në vend. Siç e kemi theksuar në vazhdimësi, reduktimi i borxhit publik do të ulë presionin e sektorit publik mbi tregjet financiare, duke krijuar më shumë hapësirë për sektorin privat. Konsolidimi i financave publike do të ulë gjithashtu primet e rrezikut në ekonomi dhe do të rrisë efektivitetin e politikës monetare. Politika fiskale ka pasur natyrë ekspansioniste gjatë pjesës më të madhe të vitit, duke u materializuar në një deficit buxhetor rreth nivelit 6 për qind të PBB-së. Rritja e deficitit buxhetor pasqyron si veprimin e stabilizatorëve automatikë, në formën e uljes së të ardhurave, ashtu edhe karakterin e synuar kundërciklik të politikës fiskale, nëpërmjet rritjes së pagave dhe të shpenzimeve kapitale. Ngadalësimi i aktiviteti ekonomik në vend ka diktuar një ritëm të ngadaltë të rritjes së të ardhurave buxhetore, veçanërisht pas tremujorit të parë të vitit”, tha Fullani.
***
Një nga treguesit që shkojnë paralel me recesionin ekonomik janë të ardhurat në buxhet, të cilat tregojnë më së miri fshikullimin e ekonomisë shqiptare nga kriza botërore. Në analizën e treguesve gjashtëmujorë, Fullani paraqiti ecurinë e të ardhurave buxhetore për vitin 2009. “Në fund të muajit nëntor, rritja vjetore e të ardhurave buxhetore ishte vetëm 2 për qind, duke reflektuar thuajse tërësisht ritmin e ulët të gjenerimit të të ardhurave tatimore. Nga ana tjetër, shpenzimet publike kanë ruajtur norma të larta rritjeje, duke shënuar vlerën 16.4 për qind në muajin nëntor. Deficiti buxhetor arriti vlerën 65 miliardë lekë në muajin nëntor. Deficiti është financuar në pjesën më të madhe nëpërmjet huamarrjes së huaj dhe të ardhurave të privatizimit, duke kufizuar presionet në tregun financiar vendas”, tha Fullani. Shqetësimi për të ardhurat e ulëta buxhetore ka qenë i pranishëm gjatë gjithë vitit 2009, ku një nga zërat që pësoi rënie historike ishin akcizat. Ky zë dhe veçanërisht zëri i akcizave të karburanteve për herë të parë në 10 vjet u tkurr në një nivel të ndjeshëm. Rënia kësaj here nuk ishte nga çmimi, pasi akciza ishte e fiksuar, por nga sasia, e cila vetëm në tremujorin e tretë të vitit ra me 24 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008.
***
Siç ka bërë edhe në daljet e tjera publike, guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka tërhequr sërish vëmendjen për gjetjen e rrugëve që mund të ndihmojnë vendin të dalë nga deficiti i lartë që ka me jashtë. Me një deficit të gjatë tregtar dhe korrent, vendi po futet në një etapë të re, ku deficiti korrent është dyshifror dhe në rritje, duke rrezikuar qëndrueshmërinë e monedhës kombëtare. “Pozicioni i jashtëm i vendit vazhdon të karakterizohet nga një deficit i lartë dhe në rritje i llogarisë korrente. Gjatë tre tremujorëve të parë të vitit, ky deficit është mbuluar plotësisht nga flukset hyrëse të llogarisë kapitale dhe financiare, duke rezultuar në rritjen e rezervave valutore të Bankës së Shqipërisë”, tha Fullani.
Box 8
Siç e kemi theksuar në vazhdimësi, reduktimi i borxhit publik do të ulë presionin e sektorit publik mbi tregjet financiare, duke krijuar më shumë hapësirë për sektorin privat. Konsolidimi i financave publike do të ulë gjithashtu primet e rrezikut në ekonomi dhe do të rrisë efektivitetin e politikës monetare. Politika fiskale ka pasur natyrë ekspansioniste gjatë pjesës më të madhe të vitit, duke u materializuar në një deficit buxhetor rreth nivelit 6 për qind të PBB-së. Rritja e deficitit buxhetor pasqyron si veprimin e stabilizatorëve automatikë, në formën e uljes së të ardhurave, ashtu edhe karakterin e synuar kundërciklik të politikës fiskale, nëpërmjet rritjes së pagave dhe të shpenzimeve kapitale
Zgjerohet hendeku
Nuk është temë e re debati mes ekonomistëve për deficitit permanent, që burimin e ka te mallrat dhe shërbimet, por jo vetëm. Në fjalën e tij, kreu i BSH-së nuk ka lënë pas analizën për këtë pjesë kaq të rëndësishme, që vendos edhe kolonat mbi të cilat duhet të ngrihet e ardhmja e një vendi që kërkon progres. “Flukset hyrëse janë favorizuar dukshëm nga të ardhurat e privatizimit dhe nga huamarrja e sektorit publik. Të dy këta zëra janë të kufizuar në kohë dhe në madhësi, duke bërë të nevojshëm një korrektim më të qëndrueshëm të pozicionit të jashtëm të ekonomisë sonë. Ky korrektim duhet të synojë që deficiti tregtar të mbulohet me burime të qëndrueshme financimi, në formën e investimeve të huaja direkte dhe nxitjes së industrive eksportuese në degë të cilat mund të përbëjnë avantazh konkurrues për Shqipërinë. Megjithatë, zhvillimet afatshkurtra në tregtinë e jashtme për muajt tetor-nëntor shfaqin një ecuri disi të ndryshme në krahasim me nëntë muajt e parë të vitit, duke dëshmuar për një modifikim të trendeve të vërejtura më parë”, tha Fullani.
Sipër
7.4 %
Eksportet e vendit ranë në terma mesatarë vjetore me rreth 7.4 për qind, duke shënuar një ngadalësim në krahasim me rënien prej 19 përqindësh gjatë nëntë muajve të parë të vitit.
17 %
Importet kanë shënuar një rënie prej mesatare vjetore prej 17 përqindësh për qind në këto dy muaj, kundrejt rënies mesatare vjetore prej 7 përqindësh të shfaqur gjatë vitit 2009.
10 %
Rritja vjetore e portofolit të kredisë për sektorin privat u ngadalësua në 10 për qind në muajin nëntor, duke treguar ngërçin në të cilin është përfshirë ekonomia.
Kriza dëshpëron bankierët, s’kërkon më njeri kredi
Pas një periudhe të gjatë, ku bankierët kthenin pas klientët që aplikonin kredi, tashmë ka ndodhur e kundërta. Sportelet e bankave po vizitohen gjithmonë e më pak nga huamarrësit, që duket se janë tërhequr, për shkak të situatës që mbart një nivel të lartë risku. Rënia e kërkesës për kredi është konfirmuar edhe nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë gjatë daljes së djeshme për analizën e treguesve të ekonomisë për pjesën e dytë të vitit 2009. “Oferta monetare është ngadalësuar më tej në gjashtëmujorin e dytë, duke reflektuar në një masë të madhe rritjen gjithnjë e më të ulët të kreditimit. Rritja vjetore e portofolit të kredisë për sektorin privat u ngadalësua në 10 për qind në muajin nëntor. Ndryshe nga gjashtë muajt e parë të vitit 2009, ku frenimi i rritjes së kredisë ishte më shumë i ndikuar nga shtrëngimi i ofertës, në pjesën e dytë të vitit është rënia e kërkesës për kredi, ajo që po dikton ecurinë e kredisë”, tha Fullani. Por hapat e ngadaltë që po hedh ekonomia shqiptare nuk kanë prekur vetëm sektorë të veçuar, por janë shtrirë në gjithë kapilarët e saj. “Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik dhe pasiguria për të ardhmen, përballë kushteve ende të shtrënguara të kredidhënies nga ana e bankave, kanë udhëhequr vendimet e agjentëve ekonomikë për të shtyrë planet e investimeve dhe për të financuar më pak konsumin nëpërmjet huamarrjes. Megjithatë, zhvillimet monetare gjatë gjysmës së dytë të vitit konfirmojnë një përmirësim të situatës së depozitave gjatë gjysmës së dytë të vitit 2009. Ndryshimi i sjelljes së depozituesve në kuadrin e masave të mara për parandalimin e përhapjes së efekteve të krizës globale, si edhe flukset valutore në formën e remitancave gjatë muajve të verës, kanë ndikuar në stabilizimin e situatës së likuiditetit të sistemit bankar”, ka sqaruar Fullani. Tregjet financiare janë karakterizuar nga një situatë më e qetë gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit. Gjatë kësaj periudhe, sistemi bankar ka vazhduar të karakterizohet nga mungesa e likuiditetit, mungesë e cila është plotësuar nga injektimet e likuiditetit të Bankës së Shqipërisë. Përmirësimi i situatës së likuiditetit, si rrjedhojë e rritjes së depozitave në sistem dhe forcimi i sigurisë në treg krijuan një mjedis të përshtatshëm për transmetimin e sinjalit të politikës monetare në tregun ndërbankar. Ulja e normës bazë në fund të muajit tetor është ndjekur nga yield-et e letrave me vlerë të qeverisë, pas një trendi rritës që i ka karakterizuar ato gjatë gjithë vitit.