E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH lë pa energji tunelin e Kalimashit dhe TEC-in e Vlorës

Borxhet Aksioni, ndërpriten dritat edhe për shkollat, spitalet e kopshtet

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes u ndërpret energjinë elektrike 167 subjekteve buxhetore dhe jobuxhetore në vend. Paralajmërimi i dhënë pak ditë më parë nuk solli rezultat në mbledhjen e borxheve, duke e detyruar OSSH-në të ndërmarrë aksionin më të gjerë të ndodhur ndonjëherë. Lista e debitorëve që nuk kanë paguar dritat është e gjatë, me rreth 9500 subjekte, por OSSH vendosi ta shtrijë aksionin në disa qytete, duke lenë pa drita për katër orë shkolla, kopshte, spitale, bashki, komuna etj.

Në listën e 167 subjekteve bie në sy ndërprerja e furnizimit me energji elektrike të objekteve me rëndësi të veçante, si Termocentrali i Vlorës, apo tuneli i Kalimashit. Për ndërtimin e këtyre dy veprave, qeveria ka shpenzuar rreth 1.5 miliardë dollarë, por pavarësisht kësaj, ato ndodhen në situata absurde të paaftësisë për të paguar dritat. Ajo që bie në sy është TEC-i i Vlorës, i cili dje mbeti 4 orë pa drita, edhe pse funksioni i tij është prodhimi i energjisë elektrike. Po ashtu, tuneli i Kalimashit, i cili ka kushtuar qindra milionë dollarë, mbeti pa furnizim. Borxhi që këto dy subjekte i kanë OSSH-së është i papërfillshëm (9600 subjekte-13 mln USD), para vlerës së kapitalit që kanë ato.

Aksioni u përqendrua në 9 qytete të vendit, si Tiranë, Durrës, Kukës, Korçë, Elbasan, Berat, Fier, Burrel dhe Shkodër. Në listë nuk mungojnë madje as selitë e partive kryesore në vend, siç është ajo e Partisë Demokratike në qytetin e Kukësit, apo selia e Partisë Socialiste në Tropojë. Rekordin në këtë listë e zë qyteti i Kukësit, në të cilin dje u është ndërprerë energjia elektrike 63 subjekteve.
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes i paralajmëroi debitorët se nëse nuk paguajnë detyrimet që kanë ndaj kësaj kompanie, do t'u hiqet energjia elektrike nga ora 09:00 deri në orën 13:00, operacion i cili filloi ditën e djeshme me ndërprerjen e energjisë në subjektet e sipërpërmendura. Borxhet që kjo kompani ka trashëguar nga periudha e paraprivatizimit, kapin shifrën e 28 miliardë lekeve, prej të cilave 3.2 miliardë janë borxhe nga subjekte jobuxhetore dhe 1.3 miliardë nga subjekte buxhetore.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›