E Diel, 1 Nëntor 2026

Hidhet në erë ambulanca e sapondërtuar në Lezhë

Një qendër shëndetësore e sapondërtuar është shkatërruar plotësisht, pasi është hedhur në erë në fshatin Kotër të Lezhës. Persona të paidentifikuar e kanë shpërthyer atë, duke vendosur një sasi eksplozivi, dy javë përpara inaugurimit të saj. Sipas burimeve të policisë, shpërthimi ka shkaktuar dëme të mëdha në aparatura dhe në godinë. Banorët e zonës kishin kohë që kërkonin që të ndërtohej një qendër shëndetësore. Ajo ishte pajisur me të gjitha aparaturat e nevojshme dhe pas 14 ditësh, do të fillonte që të funksiononte normalisht për të gjithë njerëzit në nevojë. Në vendngjarje ka shkuar policia, e cila ka nisur nga puna për identifikimin autorëve të kësaj ngjarjeje. Nuk dihet ende sasia e përdorur e eksplozivit, ndërsa po punohet edhe për të përcaktuar dëmet.

Si pasojë e shpërthimit u shkatërruan dyer, dritare, mure dhe pajisje të kushtueshme që ishin vendosur në këtë ambulancë. Shpërthimi ndodhi rreth orës 23:15, në vendin e quajtur fshati Kotër i Komunës Dajç të rrethit Lezhë, në qendrën shëndetësore të këtij fshati. Autorët kanë shfrytëzuar errësirën e natës dhe mungesën e rojeve, për të bërë të mundur realizimin e planit të tyre. Ata kanë vendosur sasinë e eksplozivit dhe më pas e kanë shpërthyer atë, duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Zhurma e madhe ka bërë që aty të shkojnë dhe banorët e zonës, të cilët kanë lajmëruar menjëherë uniformat blu për shpërthimin e ndodhur. Ata më pas janë përpjekur që të shuajnë flakët, të cilët nisën pas vendosjes së lëndës eksplozive. Policia, e cila shkoi në vendngjarje, ngriti një grup pune, për të zbardhur shkaqet dhe identifikuar autorët e kësaj ngjarjeje. Gjatë këqyrjes së vendit u konstatua se sasia e lëndës eksplozive ishte vendosur në dy vende të ndryshme, në njërën prej dhomave të qendrës dhe në tualetin e saj, ku si pasojë e këtij shpërthimi, janë dëmtuar të gjitha dyert dhe dritaret, si dhe janë plasaritur një pjesë e mureve të kësaj ndërtese. Policia ka nisur nga puna për identifikimin e autorëve të kësaj ngjarjeje dhe për vënien në pranga të tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›