Ministria e Drejtësisë: Socialistët hodhën në treg trillimin e radhës
>Në përgjigje të deklaratave të funksionarëve të Partisë Socialiste për pretendimin e kaosit legjislativ të rendit të sotëm juridik, ministria e Drejtësisë nëpërmjet një njoftimi për shtyp sqaroi median se PS lëshoi shpifjen dhe trillimin e radhës nga të njëjtët autorë.
Për sa i takon akuzave pa bazë të PS-së se rreth 1010 ose 34.5% e akteve zyrtare të dala në tre vitet e fundit nga Këshilli i Ministrave nuk janë botuar në Fletoren Zyrtare, deklarojmë se të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave me karakter normativ në përputhje me Kushtetutën janë të botuara në fletoren zyrtare shuhej në noftimin e MD. Sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë, afrimi i datës së zgjedhjeve, natyrisht ka bërë efektin e saj dhe shembujt me të mirë janë trillimet dhe të pavërtetat e njëpasnjëshme, të manifestuara me një inat të çuditshëm por sipas motos shpif, shpif se diçka do të mbetet. Republika e Shqipërisë ka përjetuar dy nga ngjarjet më të rëndësishme, plotësimin e ratifikimit të MSA-së me vendet e BE-së dhe marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Këto dy ngjarje të rëndësishme, të realizuara në një periudhë gati 3 vjeçare, kanë impaktin dhe rëndësinë e tyre në jetën e çdo shqiptari. Por një gjë është e sigurt, reformat e qeverisë dhe posaçërisht ato legjislative janë të mirëpritura dhe të vlerësuara dhe si të tilla përbëjnë një faktor kyç në arritjen e këtyre sukseseve. Ndaj edhe tingëllon pakuptim pretendimi se ftohesh në këto struktura duke pasur një legjislacion të çalë dhe të mangët sikundër pretendohet. Në këto vite si kurrë më parë është synuar bërja e reformave dhe jo pengimi i tyre, plotësimi i akteve ligjore dhe nënligjore dhe jo krijimi me qëllim i vakuumeve ligjore që pushtetarët e djeshëm të luanin si të donin me normën juridike, zbatimi i plotë i tyre dhe jo miratimi në letër, publikimi i plotë dhe tërheqja e konsulencës juridike në proces, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.