Ministria e Drejtësisë do të reformojë ligjin për ekstradimet
Ministria e Drejtësisë ka vendosur të reformojë ligjin për ekstradimet. Burime zyrtare pranë këtij dikasteri pohuan dje për gazetën “Albania” se prej disa javësh specialistët e kodifikimit kanë bërë ndërhyrjet e duhura në këtë ligj. Të njëjtat burime shpjegojnë se do të përcaktohen afate të tjera për përgatitjen e dosjeve, si dhe do të përshtatet ligji në mënyrë që të lidhen sa më shumë marrëveshje me shtete të tjera për të ekstraduar shqiptarët që kanë probleme me drejtësinë. Një ndërhyrje tjetër që pritet të bëhet në këtë ligj është edhe për letër-porositë. Këto të fundit në jo pak raste po kthehen në problem për zgjatjen e proceseve gjyqësore. Për shkak të afateve të tejzgjatura, kolegjet penale detyrohen të shtyjnë proceset deri në mbërritjen e këtyre letër-porosive që janë edhe kyçe për mbarëvajtjen e procesit. Sakaq Ministria e Drejtësisë për pak ditë pritet të nënshkruajë marrëveshjen e ekstradimit me shtetin belg. Shqiptarët që kishin probleme me drejtësinë duke e pasur informacionin që nuk kishte marrëveshje e kishin të lehtë të jetonin në Belgjikë pa pasur problem se mund të rrezikonin arrestimin. Pas nënshkrimit të marrëveshjes duket se situata do të ndryshojë.
Vatra të reja zjarri në Rubik, digjet 1 hektar me pemë frutore
Rubik - Vatra të reja zjarri janë shënuar mesnatën e djeshme në malin Kulmë, përballë me qytetin e Rubikut. Zjarri me përmasa të mëdha ka dalë jashtë kontrollit dhe vazhdon të djegë sipërfaqe të mëdha me pemë frutore e tokë bujqësore. Një hektar është përfshirë nga flakët ndërsa zjarri u është afruar deri në themele dy banesave të braktisura. Banorë të zonës u shprehën se gjatë natës janë dëgjuar shpërthime municionesh. Shtabi i emergjencës është detyruar të lëvizë 2 repartet ushtarake të cilat vunë në kontroll zjarrin e rënë 5 ditë më parë në Arisht të qytetit të Rubikut dhe ti dërgojë ato në Kulmë. Makinat zjarrfikëse në vendin e ngjarjes e kanë të pamundur ndërhyrjen për shkak të terrenit të vështirë. Ndërsa zjarri i rënë në Rubik të premten e kaluar tashmë është izoluar. Janë shënuar vetëm djegie sporadike me intensitet të ulët pranë vatrës që dogji me dhjetëra ha pisha artificiale. Për shkak të terrenit të vështirë forcat zjarrfikëse e patën të vështirë ndërhyrjen ndaj u shtuan dhe forcat e ndërhyrjes të dy reparteve ushtarake. Zjarri përfshiu edhe fshatin Lurth. Deri tani policia ka mundur të shoqërojë dy të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme në të dy rastet e zjarreve në Arishtë e Kulmë.
Aksidentet, policia, bum gjobash ndaj drejtuesve të mjeteve
Tiranë – Masat e policisë për të shmangur aksidentet rrugore ka ndëshkuar jo pak shkelës të Kodit Rrugor, megjithëse ata u paralajmëruar për këto masa nga Drejtoria e Policisë së kryeqytetit, e cila doli në një deklaratë publikisht. Kështu, vetëm dje janë gjobitur rreth 741 drejtues mjetesh, të cilët kanë shkelur Kodin Rrugor. Kontrollet po ushtrohen në rrugët publike nga shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrulla e Përgjithshme, në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Sipas policisë, janë vendosur 443 gjoba qyteti me vlerë 459 000 lekë, 298 gjoba linje me vlerë 293 000 lekë, si dhe janë pezulluar 5 leje drejtimi. Gjithashtu, në zbatim të këtij plani masash nga shërbimet policore, Policia Rrugore dhe Patrulla e Përgjithshme janë konstatuar dhe vendosur këto masa administrative: Gjoba të vëna 1343 me vlerë 570 600 lekë.
10 Shtator 2009