Topalli: “Rama nuk mund të flasë për bojkot, pasi nuk është pjesë e Kuvendit”
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, në ditën e parë të mandatit të dytë në postin e drejtueses së Kuvendit, ka komentuar bojkotin e opozitës. Ajo është shprehur se Rama nuk mund të flasë për bojkot, pasi nuk është pjesë e Kuvendit. Ajo tha se e shikon Ramën të ndarë nga Grupi Parlamentar i PS-së dhe se deputetët e PS-së duhet të jenë në sallë në respekt të votës së marrë nga qytetarët socialistë. Këto deklarata Topalli i bëri gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë përkujtimore të kryengritjes antikomuniste në Postribë, që shënohet e para në Shqipëri dhe Europë.
“Përpjekja e Partisë Socialiste për të bojkotuar Kuvendin është një përpjekje e Ramës për të bllokuar Kuvendin. Por Rama, Gjinushi e Ndoka nuk kanë asnjë të drejtë të flasin për bojkot për shkak se nuk janë pjesë e Kuvendit. Unë Ramën e shikoj të ndarë nga Grupi Parlamentar i PS-së. Shpresoj që deputetët e PS-së të vijnë sa më parë në Kuvend në respekt të votës së shqiptarëve socialistë”, - është shprehur për mediat Topalli. Më pas, duke iu referuar kryengritjes së Postribës, Topalli ka vlerësuar rolin historik të qytetarëve të kësaj zone. “Ju nga Postriba jeni më krenarët nga të gjithë, pasi keni qenë të parët në rrëzimin e komunizmit. Keni qenë të parët që keni kërkuar lirinë. Keni qenë të parët për të sakrifikuar dhe ka qenë një sakrificë e madhe, një sakrificë me gjak dhe njerëz, sakrificë në jetë, sakrificë në sulmet që i bëheshin Postribës, Shkodrës, rrethit tonë, pastaj për ta përcjellë e për ta rrezatuar me qëllim mbajtjen nën hijen e frikës, nën hijen e burgut të gjithë shoqërinë shqiptare, të gjithë shqiptarët. Nuk ka krenari më të madhe sesa të jesh i pari në një betejë që është gati një betejë me të pamundurën”, - është shprehur Topalli. Më pas ajo ka vlerësuar zgjedhjet parlamentare, ndërsa ka theksuar se këto zgjedhje ishin më të mirat të realizuara ndonjëherë në Shqipëri. “Këto ishin zgjedhjet më të mira të këtyre dy dekadave, mandati më i fortë më i sigurt që secili prej 140 deputetëve ka marrë si asnjëherë tjetër gjatë këtyre dy dekadave. Parlamenti më i vërtetë, Parlamenti me mandatin më të fortë dhe ne që jemi anëtarë të këtij Parlamenti vërtet kemi privilegjin e madh që të jemi një ndër 140, por mbi të gjitha kemi përgjegjësinë e madhe për t’iu përgjigjur çdo kërkese, çdo mendimi që secili prej jush ka pasur në momentin që ka hedhur votën dhe ka votuar për Partinë Demokratike”, - është shprehur Topalli.
10 Shtator 2009