Lohan: “Debati politik zhvillohet brenda Parlamentit, jo jashtë tij”
Bojkoti i PS-së, reagon ambasadori i Komisionit Europian në Shqipëri. Më parë kreu i OSBE-së, Robert Bosh, i sugjeroi opozitës të futet në seancë
Eljona Ballhysa
Ambasadori i Komisionit Europian në Shqipëri, Helmut Lohan, i ka sugjeruar dje opozitës socialiste që të marrë pjesë në Kuvend. Sipas tij, debati politik në një vend demokratik zhvillohet brenda Kuvendit, dhe jo jashtë tij. I pyetur nga mediat në lidhje me bojkotin e Kuvendit nga Partia Socialiste, ambasadori i KE-së u shpreh se qëndrimi i ndërkombëtarëve për këtë çështje është i qartë dhe i prerë kundër bojkotit. “Qëndrimi i Komisionit Europian në këtë çështje është shumë i qartë. Debati politik brenda një vendi demokratik zhvillohet brenda Parlamentit, dhe jo jashtë tij”, - është shprehur ambasadori i KE-së, Lohan. Deklarata e tij vjen vetëm dy ditë pas reagimit të kreut të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, i cili deklaroi se institucioni ku duhet bërë debati politik është Parlamenti.
Ndërkombëtarët
Në të njëjtën linjë me deklaratën e ambasadorit Lohan është deklarata e Robert Bosh dhe deklarata e ambasadores së Britanisë, Fiona Mekëllham. “Përsa i përket bojkotit të opozitës, ka pasur një deklaratë të OSBE-së një ditë më parë dhe ne jemi dakord me atë qëndrim”, - u shpreh Mekëllham. Këto qëndrime të faktorit ndërkombëtar vijnë në një moment kur Partia Socialiste jo vetëm është e vendosur të mos shkojë në Kuvend, por ka lënë të kuptohet se do të zhvillojë edhe protesta në kuadër të plotësimit të shtatë kushteve të saj. Faktori ndërkombëtar në Tiranë, ndonëse e ka vënë theksin në parregullsitë e vëna re gjatë procesit zgjedhor në Shqipëri, nga ana tjetër shprehet kundër bojkotit të PS-së. Vetë ambasadorja e Britanisë së Madhe deklaroi pak ditë më parë se në zgjedhjet e fundit ka pasur parregullsi dhe kjo, sipas saj, është zhgënjyese për një vend anëtar të NATO-s. “Siç e kanë theksuar raportet paraprake të ODIHR-it, ka pasur parregullsi, probleme parazgjedhore me politizimin e strukturave shtetërore dhe pas ditës së zgjedhjeve tension, ndërhyrje dhe vonesa në procesin e numërimit. Kjo është zhgënjyese, sidomos për një vend të sapoanëtarësuar në NATO dhe një vend aspirant për në BE. Dhe ky është shqetësim për mua dhe qeverinë time, që presim me padurim të shohim plotësimin e ambicies së Shqipërisë për anëtarësim në BE”, - deklaroi Mekëllham pak ditë më parë.
Të njëjtin qëndrim ka pasur edhe ambasadori gjerman, Bernard Bokard, sipas të cilit, “gjatë procesit të numërimit vëzhguesit vlerësuan se numërimi ishte i keq, ose shumë i keq në 1/3 e qendrave të numërimit. Kjo ishte më keq se në 2007-n, kur më pak se ¼ e qendrave të numërimit u kritikuan për këtë gjë. Një çështje tjetër problematike janë raportimet për largimin nga puna në sektorin publik të militantëve, zyrtarëve dhe vëzhguesve zgjedhorë të Partisë Socialiste. Përsa i përket një deklarate të përgjithshme mbi zgjedhjet, jemi në pritje të raportit përfundimtar të ODIHR-it”, - është shprehur Bokard.
Raporti
Nga ana tjetër pritet raporti përfundimtar i KE-së, që do t’u vërë notën përfundimtare zgjedhjeve në Shqipëri. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka parashikuar që në seancën e Asamblesë Parlamentare të datës 28 shtator të diskutohet rreth procesit zgjedhor në Shqipëri. Për këtë çështje do të raportojë kryetarja e Delegacionit të Asamblesë Parlamentare të KE-së, Korien Jonker, e cila ishte pjesë e misionit të vëzhguesve gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri. Kjo seancë parlamentare e Asamblesë së Këshillit të Europës ka një rëndësi të veçantë për shkak se qëndrimi që do të mbahet në këtë seancë dhe vlerësimi që do të marrë procesi zgjedhor në Shqipëri ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në proceset integruese të vendit tonë në Bashkimin Europian. Pritet që raportimi i parlamentares Jonker të jetë në të njëjtën linjë me vlerësimet e raporteve paraprake të OSBE-ODIHR-it mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Ndërsa raporti përfundimtar i ODIHR-it pritet të publikohet këto ditë në Shqipëri.
10 Shtator 2009