Zani Çaushi, 10 orë liri për babanë
BURREL/ HASAN PASHA
Pas 12 vitesh, Zani Çaushi shkel në lagjen “Çole” për herë të dytë. Një vit më parë ishte i pranishëm në vdekjen e motrës së tij të vogël, Natashës, ndërkohë dje rreth orës 16:00, i shoqëruar nga drejtori i Burgut të Burrelit, Shkëlqim Gjoçuka dhe gardianë të këtij institucioni ka mbërritur pranë babait të tij 82-vjeçar, pasi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
I dënuari me burgim të përjetshëm, nuk u lejua dy vjet më parë t’i jepte lamtumirën e fundit nënës së tij. Por brenda dy vitesh siguron dy herë leje nga autoritetet e burgjeve shqiptare për të udhëtuar drejt vendlindjes, por fatkeqësisht për vdekjen e motrës dhe babanë që dergjet në shtrat. Burime të sigurta informacioni saktësojnë se ditë më parë, Zani Çaushi ka komunikuar në telefon me motrat e tij, Drita dhe Afërdita, të cilat e kanë lajmëruar se babai as nuk fliste dhe as nuk reagonte dhe ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. Sapo ka mësuar lajmin e keq, Çaushi i është drejtuar me një kërkesë drejtorisë së burgut, me të cilin ka ndërtuar marrëdhënie korrekte dhe ka kërkuar krijimin e lehtësirave për të udhëtuar drejt Vlorës dhe për të parë për së gjalli babanë e tij. Mësohet se kërkesa e tij i është adresuar më tej Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë (pasi për të dënuarit me burgim të përjetshëm duhen leje nga këto institucione). Dje rreth orës 10:00 tre mjete të Burgut të Burrelit, nën masa të plota sigurie kanë nisur udhëtimin nga Burreli në drejtim të Vlorës. Pas afro 5 orësh drejtori i Burgut të Sigurisë së Lartë dhe gardianët kanë mbërritur në banesën e babait të Çaushit. Zani është pritur nga të afërmit e tij, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë mundësi komunikimi me babanë që mezi merrte frymë. Duke parë babanë të dergjej në atë gjendje, i forti i Vlorës nuk i ka përmbajtur lotët. Bashkë me të janë mallëngjyer edhe drejtori i Burgut të Burrelit dhe personat e tjerë që e shoqëronin. Gjoçuka agjëronte dhe nuk ka pranuar të pijë asgjë, ndërkohë vartës të tij janë qerasur nga familja e Zanit. Ditë më parë Zani u ishte shprehur kolegëve në qeli se kishte besim se drejtori i Burgut të Burrelit dhe autoritetet e DPB-së do ta lejonin të vizitonte babanë, me shpresë se ai do t’ia hidhte edhe kësaj here. Pasi ka qëndruar për afro dy orë pranë njerëzve më të afërm të familjes, Myrteza Çaushi ka nisur udhëtimin drejt Burrelit. Në orën 17:20 të ditës së djeshme, Zani preku pas një viti rrugët e lagjes së tij, “Çole”. Ai ishte veshur thjesht, një bluzë verore, me pantallona xhinse dhe atlete. “Liria” e tij jashtë ambienteve të qelisë ka zgjatur rreth 10 orë, për të vazhduar sërish jetën brenda burgut të sigurisë së lartë.
“Banda e Çoles”, 9 të vdekur
Tre vjet më parë gjykata vendosi të pushonte akuzat për nëntë anëtarë të bandës së Zanit: Afrim Rami, Pëllumb Bajrami, Gjikë e Kastriot Gërdhuqi, Leonard Idrizi, Edison Mamo, Taulant Shyti, Edmond Dule dhe Ferdinand Tafili, të cilët rezultuan të vrarë. Nën akuzë, bashkë me të ashtuquajturin “kapo i bandës së Çoles”, Myrteza Çaushi mbetën: Dorian Saliu, Hair Hiraj, Renato Çerçizi e Skerdiljan Bajrami. Zani u dënua me burg të përjetshëm për disa ngjarje të rënda të ndodhur gjatë vitit 1997, duke kryer dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Burrel.