E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërmeti, banorët flenë mbi kashtë në temperatura zero

 

BULQIZE/ HASAN PASHA

Mijëra banorë të komunave Gjoricë, Shupenzë, Zerqan, Ostren, Trebisht, Maqellarë prej katër ditësh vazhdojnë të qëndrojnë në qiell të hapur pas tërmetit të 6 shtatorit. Fëmijë e të moshuar flenë jashtë shtëpive të tyre, në çadrat e pakta që kanë shpërndarë komunat ose në mjedise të sajuara nga vetë të prekurit. Dikush i ka strehuar pjesëtarët e familjes në makina, të tjerë në kasollet e bagëtive, por ka nga ata që flenë në oborret e shtëpive të tyre, duke përdorur kashtë gruri, dyshekë, batanije e ç’të mundin. Gjendja paraqitet e zymtë, ndërkohë që askush u gjendet pranë këtyre banorëve fatkeqë. Familja e Bajram Mehës është ndoshta më e dëmtuara në Shupenzë. Të gjithë pjesëtarët e saj qëndrojnë në oborrin e shtëpisë. Nuk kanë një çadër për të futur kokën, por kanë shtruar në tokë kashtë gruri dhe mbi të disa batanije. Nëna e tij 80-vjeçare fton nipërit e mbesat të shtrihen pranë saj, ndërkohë Bajrami, punonjës i OSSH-së i mbulon të gjithë pjesëtarët e familjes me një plastmas, pasi pas orës 24:00 temperaturat ulen në afro 0 gradë. “Një vit më parë unë humba vajzën 20 vjeçe dhe pas një viti dhe shtëpinë. Asnjë ndihmë nuk më është dhënë dhe jam detyruar t’i mbaj fëmijët dhe nënën në oborrin e shtëpisë. Më janë ndodhur pranë fqinjët, por ata janë më në hall se unë. Në të gjithë lagjen kanë ardhur dy çadra nga Kisha e Suçit, ndërkohë më shumë se 100 banorë janë të detyruar të flenë jashtë, në kushte shumë të vështira”. 
Pak më tutje, në të dalë të Shupenzës Mynyr Sala, së bashku me gruan dhe dy djemtë e dallojmë me batanije dhe enë kuzhine në krah teksa tenton të gjejë një strehë. “Për vete nuk e kam shumë problem, po ku të strehoj gruan dhe djalin e vogël? Njerëz të afërm këtu në Shupenzë nuk kam, ndërkohë komuna nuk më dha një çadër, megjithëse këmbëngula që edhe unë ta kisha një të tillë”, thotë i prekur rëndë 45-vjeçari. Ndonëse ora shënon 23:00 të bie në sy fakti se në këtë orë të vonë të së martës “bëjnë xhiro” në rrugët e Shupenzës.
Ferik Ceni, një burrë babaxhan thotë se ai dhe 6 pjesëtarë të familjes po kalojnë ditët e netët më të vështira të jetës së tyre. “Na gjeti ky taksirat e askush nuk bëhet i gjallë për t’na ndihmuar. Unë dhe banorët e tjerë të Shupenzës nuk duam vaj e sheqer, ne duam ndihmën e shtetit për të ringritur shtëpitë ose për t’i riparuar ato. Nuk bëjmë politikë, por deri tani jemi ndjerë të vetmuar. Fëmijët e vegjël dhe të moshuarit nuk mund ta përballojnë këtë gjendje. Ju e dalloni vetë sa ftohtë është në orët e mesnatës. Në çadra nuk qëndrohet. Ato nuk të mbrojnë nga të ftohtit. Pas tërmetit temperaturat kanë rënë me 10-15 gradë”. Teksa qëndron në çadrën e dhuruar nga një shoqatë fetare Cani shprehet se ka vendosur linjën elektrike dhe ka vendosur televizorin në çadër. “Hapim sy e veshë për të dëgjuar se qeveria do të na ndihmojë. Fjalë të mira tha Kryeministri Berisha në takimin me banorët e Gjoricës, por ne nuk pranojmë të qëndrojmë në kampe. Si kudo edhe në Shupenzë ka njerëz jo të mirë dhe mund të bastisin shtëpitë, prandaj banorët duan çadra për t’i vendosur në oborrin e shtëpive të tyre”, tha dibrani që nuk është ndjerë kurrë më keq se pas këtij tërmeti.

Banorët: Kryetarët e komunave bëjnë sehir, asnjë mbështetje

Në mbrëmjen e tretë që po kalojnë jashtë pas tërmetit, banorët e komunave të dëmtuara ankohen se nuk ka asnjë mbështetje te kryekomunarët. Kryetari i Shupenzës, Muis Llani, i telefonuar rreth orës 23:30 të së martës thotë se nuk është në detyrë në atë momente. Ndërsa kryetari i Gjoricës, Xhelal Mera tentoi mëngjesin e djeshëm të përgënjeshtrojë deklaratat e bashkëfshatarëve të tij se nuk ka dallime në shpërndarjen e çadrave dhe ushqimeve, ndërkohë dhjetëra banorë i kanë zënë derën dhe i kërkojnë të jetë më korrekt dhe më i paanshëm në zgjidhjen e kërkesave të banorëve. “Po bëhen dallime në shumë drejtime”, thonë banorë të irrituar që qëndrojnë në korridoret e zyrave të komunës, ndërkohë nuk gjejnë zgjidhje për marrjen e çadrave. Në takimin me kryeministrin Mera tha se banorët e dëmtuar kishin nevojë të paktën për 60 çadra, ndërkohë dje pohoi se janë të mjaftueshme 30 të tilla. “Drejtuesit e komunës bëjnë dallime duke ndihmuar anëtarët dhe përkrahësit e partisë në pushtet si dhe njerëzit e tyre të gjakut dhe fisit, ndërkohë familjet më të dëmtuara realisht nuk po ndihmohen”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›