E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy anije 1 milion dollarëshe për të ruajtur Adriatikun nga ndotja

 

DURRES - Italia i dhuron Shqipërisë dy anije për mbrojtjen e detit nga ndotja, vlera e të cilave arrin në 1 milion dollarë. Në kalatën pesë të portit të Durrësit është kryer ceremonia e dhurimit, e shoqëruar më pas edhe me aktin e firmosjes së dokumentit nga hierarkët e lartë të marinës shqiptare dhe asaj italiane. Bëhet fjalë për anije me milje zero, të sapondërtuara në kantieret italiane për llogari të palës shqiptare. Anijet kanë një gjatësi prej 16 metrash secila dhe gjerësi katër metra. Mjetet janë të pajisura me nga dy motorë të fuqisë së lartë, falë të cilave anijet marrin edhe shpejtësinë e kërkuar për emergjencat nga ndotja. Në to është instaluar një sistem hidraulik për rikuperimin e materialeve të ngurta që qëndrojnë mbi ujë, si dhe një tjetër sistem me cilindra rrotullues për mbledhjen e karburanteve që derdhen aksidentalisht në det. Për palën italiane është jetike mirëmbajtja e Adriatikut dhe Jonit nga shqiptarët, pasi afërsia gjeografike mes brigjeve tona dhe Apenineve (85 km larg) e bën ndotjen e këtyre deteve një problem të përbashkët. Jo rastësisht gjenerali i brigadës Aldo Piçotti u shpreh se “Shqipëria është më afër Italisë sesa Sardenja”. “Ky ishull është 93 km larg gadishullit të Italisë, ndërsa Shqipëria më pranë, vetëm 85 km larg”, u shpreh në ceremoni hierarku i lartë i NATO-s. Anijet antindotje janë sjellë për t’u inauguruar nga marinarët shqiptarë. Edhe gjatë transportit nga Italia në Shqipëri ato mjete nuk kanë lundruar, por janë transportuar me anijet “Caprera” dhe “Tremiti” në Gjirin e Durrësit, me qëllim ruajtjen e parametrave të tyre në zero milje të përshkuara. Duke e cilësuar ruajtjen e mjedisit si një angazhim të përbashkët, italianët dhe shqiptarët treguan vendosmërinë e tyre për mbajtjen pastër të “Mare Nostrum”, term ky me të cilin romakët quanin Mesdheun, por që në ditët e sotme kur ndotja kërcënon planetin merr rëndësi jetike.                                  o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›