E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Drejtesise inspekton dosjen e Aldo Hoxhes

Ministria e Drejtësisë konstaton shkelje në dy dënimet e mëparshme të Aldo Hoxhës i akuzuari për grabitjen me pasojë vrasjen e Fatbardha Tafës, ngjarje kjo e ndodhur në gusht pranë ish fushës së Aviacionit në Tiranë. 
Kontrolli verifikoi ligjshmërinë e veprimtarisë së prokurorëve, gjyqtarëve dhe të administratës së sistemit penitenciar në procedimet penale kundër të pandehurit/të dënuarit Hoxha, për periudhën 01.01.2010-13.08.2012. 
Hoxha është hetuar në 4 procedime penale për veprat penale të vjedhjes në bashkëpunim, të mbajtjes pa leje të armëve luftarake, të prishjes së qetësisë publike,të vjedhjes së thjeshtë,  të vjedhjes me pasojë vdekjen dhe të plagosjes së rëndë me dashje. 
Dy procedime penale janë përfunduar edhe nga gjykata. Më konkretisht, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim me 8 muaj burgim. 
Ndërsa në rastin e dytë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar për veprat penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të prishjes së qetësisë publike me 1 vit burgim. 
Procedimi penal i tretë për veprën penale të vjedhjes së thjeshtë është në proces gjykimi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. 
Ndërsa procedimi penal i katërt për veprat penale të  vjedhjes me pasojë vdekjen dhe të plagosjes së rëndë me dashje është ende në fazën e hetimit paraprak.
Gjithashtu kanë nisur procedimet disiplinore për 2 gjyqtarë dhe 2 prokurorë. 
Sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë në organin e prokurorisë u kontrolluan 3 procedime penale, të cilat përfshijnë veprimtarinë e 4 prokurorëve. Në procedimet e kontrolluara u verifikuan me shkelje 2 prokurorë, për fillimin e ndjekjes penale, kryerjes jo të rregullt të veprimeve hetimore, si dhe aplikimin e një politike të butë penale në gjykim. Në dy gjykatat e inspektuara janë kontrolluar 3 çështje penale themeli, si dhe dy kërkesa penale të lidhura me to, të cilat përfshijnë veprimtarinë e 5 gjyqtarëve dhe të administratës gjyqësore në funksion të tyre. 
Janë konstatuar shkelje në 2 çështje themeli, shkelje të cilat ju atribuohen 2 gjyqtarëve në rrethet gjyqësore Tiranë dhe Durrës lidhur me zvarritjen e procedurave gjatë gjykimit dhe të meta në përpilimin e akteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›