E Shtunë, 31 Tetor 2026

efa takon avokatet e Elbasanit

Pas incidentit të ndodhur në ambientet e gjykatës së rrethit gjyqësor të Elbasanit, numri dy i KLD, Elvis Çefa ka zhvilluar një takim me kryetarin e dhomës së avokatisë së këtij qyteti Jani Vaso dhe me kryetarin e gjykatës së Elbasanit Arben Vrioni. Gjatë takimit komuniteti i avokatëve ka shprehur shqetësimet për incidentin e ndodhur para pak ditëve në Gjykatën e Elbasanit, si dhe problematika të tjera lidhur me punën në këtë gjykatë. Duke e konsideruar incidentin e ndodhur një ngjarje të izoluar, por aspak etike për vlerat që mbart sistemi i drejtësisë, Zëvendëskryetari siguroi se do t’i bëjë pjesë të diskutimeve në mbledhjet plenare të Këshillit të Lartë të Drejtësisë shqetësimet e parashtruara nga Dhoma e Avokatisë Elbasan. Avokatët e Elbasanit gjatë fjalës së tyre theksuan rëndësinë e zgjidhjes së problemeve në rrugë institucionale, pasi veprime të tilla, pengojnë funksionimin normal të veprimtarisë gjyqësore, duke krijuar një perceptim të gabuar të publikut, ndaj marrëdhënieve institucionale midis aktorëve të ndryshëm të sistemit të drejtësisë. Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë rikonfirmoi gjithashtu predispozicionin e institucionit, për të marrë në konsideratë dhe analizuar me shumë seriozitet çdo shqetësim që lidhet me veprimtarinë gjyqësore jo vetëm në atë gjykatë, si dhe siguroi angazhimin maksimal të KLD për një sistem gjyqësor efikas dhe me integritet të lartë. Ndërkaq Kryetari i Dhomës së Avokatisë Elbasan siguroi Zëvendëskryetarin e KLD se avokatët do të ndërpresin bojkotin dhe do të vijojnë zhvillimin normal të seancave gjyqësore në gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, duke filluar nga dita e hënë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›