E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Drejtësisë në kërkim të ligjeve për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve



Laureta Rryçi

Tiranë - Nuk kanë mbaruar ende për Ministrinë e Drejtësisë betejat për reformën e Gjyqësorit. Këtë vit, në shënjestrën e kreut të pallatit të xhamtë do të jenë gjyqtarët. Edhe pse aktualisht këta i mbron Kushtetuta e vendit, sërish ministri Alibeaj ka ndër mend të gjejë instrumentet e duhura ligjore për të ndërmarrë të njëjtën nismë për ta, njësoj siç u bë për prokurorët. Kreu i Ministrisë së Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, teksa ka radhitur nismat që do të merren gjatë vitit 2009, ka vënë theksin te reforma që pritet të sjellë edhe më shumë impakt. Sakaq, për ministrin reformat do të vijojnë me ndryshimet e paralajmëruara të Kodit të Procedurës Penale dhe të Kodit Civil.
Imuniteti
Sa i takon çështjes së imunitetit të gjyqtarëve, ministri rikonfirmoi idenë për ridimensionimin e konceptit të imunitetit të funksionarëve. “Sigurisht që një hap është bërë, - tha ministri Alibeaj, - duke përmendur ligjin për Prokurorinë, ku koncepti i imunitetit tashmë është shfuqizuar. Për gjyqtarët është ndryshe. Ligji për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor parashikon dispozitat e imunitetit të tyre, e cila është një parashikim ligjor që bazën e ka te Kushtetuta. Për gjyqtarët, koncepti i imuniteti është i shkruar në Kushtetutë, çka do të thotë se nëse do të ketë tentativë dhe duhet të ketë, për ridimensionimin e konceptit të imunitetit është e domosdoshme që kjo të reflektohet në ligjet respektive”. Lidhur me impaktin e kësaj reforme, ministri u shpreh se të gjithë mund të duartrokasim kur të arrijmë të miratojmë ligje të mira, dhe kjo ka ndodhur në ligjin për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor, i cili ka sjellë standarde shumë të mira. Por suksesi do të mund të vlerësohet vetëm atëherë kur ligji të njohë zbatim konkret. “Elementet e para të reformës janë të dukshme dhe të prekshme, -vijoi ministri, - duke iu referuar këtij ligji, ku është realizuar ndarja e procesit të dhënies së drejtësisë nga gjyqtarët nga puna administrative në gjykata”.
Nismat
Alibeaj tregoi edhe strategjinë e kësaj ministrie dhe nismat ligjore që do të ndërmerren për vitin në vijim, duke deklaruar se ndryshe nga viti i kaluar, ku nismat ligjore ishin fokusuar përgjithësisht në statusin e zyrtarit si gjyqtar, prokuror, avokat, iniciativat e reja ligjore do të përqendrohen te statuti i shërbimit të strukturave të këtij sistemi. Si për ta ilustruar këtë, ministri Alibeaj përmendi ndër ligjet që do të reformohen atë për Kodin e Procedurës Civile dhe Kodin e Procedurës Penale, që, siç theksoi ai, do ta bëjnë sistemin e drejtësisë më të prekshëm për publikun, duke rritur kësisoj transparencën e tij. Duke bërë një ekspoze të shkurtër të punës së bërë në këtë drejtim dhe asaj që po bëhet, ministri theksoi se një pjesë e ligjeve janë draftuar, të tjerë janë depozituar në Parlament, si ligji për gjykatat administrative. Si nisma të reja ligjore ai veçoi ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë apo ligjin për bashkëpunimin ndërgjyqësor mes Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, zbatimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me shtetet e tjera për ekstradimet dhe njohjet e vendimeve penale. Gjithashtu përmendi nismën për reformimin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, një sektor tepër i rëndësishëm.

Nismat ligjore që do të ndërmerren nga Ministria e Drejtësisë për 2009-n

1. Reformim për Kodin e Procedurës Civile
2. Reformim për Kodin e Procedurës Penale
3. Ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë
4. Ligjin për bashkëpunimin ndërgjyqësor mes Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë
5. Zbatimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me shtetet e tjera për ekstradimet
6. Njohjet e vendimeve penale
7. Nisma për reformimin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme
8. Akte ligjore për statusin e gjyqtarit

Për Alibeajn, 2008-a ishte e suksesshme

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, bëri dje publike vazhdimin dhe thellimin e reformës në sistemin e drejtësisë në funksion të realizimit të standardeve bashkëkohore. Ministri Alibeaj vlerësoi ecurinë e deritanishme të kësaj reforme duke konfirmuar se nisma të tjera ligjore do të ndërmerren nga dikasteri që drejton për mirëfunksionimin e sistemit. Për të, ndër arritjet e kësaj reforme janë miratimi gjatë vitit që sapo lamë pas i një sërë ligjesh shumë të rëndësishme si ai për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor apo ligji për Prokurorinë, të cilat, theksoi ai, “janë ligje serioze, tepër të rëndësishme dhe të dobishme për sistemin e drejtësisë”. Në këtë drejtim, ministri shtoi se “procesi ishte i tillë, që pati edhe një moral të përbashkët politik. Që një reformë të konsiderohet serioze dhe jetëgjatë, si dhe për të qenë e suksesshme, duhet të ketë jo vetëm sofistikimin teknik, por edhe këtë moral, pra të gjithëpranimit të frymës së re reformuese”. Lidhur me këtë reformë, jetike për interesat e vendit në proceset integruese në strukturat euroatlantike, ministri Alibeaj, duke theksuar se është vetëm fillimi, shprehu besimin që fryma e re e saj është injektuar si në ambientin politik, edhe në atë juridik. “Vetëm kështu reforma në këtë sistem do të mund të arrijë standardet e kërkuara”, - tha Alibeaj.

Alibeaj: “Vendimmarrja e Gjyqësorit lë për të dëshiruar”

Sipas Alibeajt, sot në gjykatat e shkallës së parë nuk ndodh që proceset të mos fillojnë në orar dhe kjo për ministrin është tregues që serioziteti i Drejtësisë fillon në korrektësinë që funksionarët duhet të kenë ndaj publikut në respektimin e tyre.
Por, ministri shprehu rezerva “për cilësinë e vendimmarrjes nga gjykatat, duke pretenduar se cilësia e vendimmarrjes nuk ka ndryshim”. Në këtë kontekst ai mbështeti idenë për një reformim të brendshëm të Gjyqësorit, pra gjyqtarët e shkallës se parë të monitorohen nga ata të shkallës së apelit e më pas nga Gjykata e Lartë. Në këtë kontekst, ai theksoi se, Ministria e Drejtësisë është fokusuar që, përmes ligjeve, të përcaktojë qartë përgjegjësitë e funksionarëve në funksion të eliminimit të praktikave abuzuese, por edhe në promovimin e personave me integritet në sistemin gjyqësor.

14 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›