E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehet acari, sot temperaturat deri në –10 gradë celcius



Është rikthyer i ftohti, ndërkohë që situata vazhdon të mbetet problematike në zonat e veriut të vendit. Burimet zyrtare të Shërbimit Meteorologjik parashikojnë se gjatë orëve në vazhdim pritet një ulje e ndjeshme e temperaturave, të cilat do të arrijnë deri në –10 gradë celsius. Po ashtu, moti i ftohtë do të shoqërohet me reshje dëbore në lartësi dhe me shira në zonën e Ultësirës Perëndimore. Fundjava pritet të nisë me mot të kthjellët, por një tjetër sistem vranësirash pritet të shfaqet përsëri të dielën. Ndërkohë, në rrethin e Pukës dhe disa zona të tjera të veriut vazhdon të ketë vështirësi në qarkullimin e mjeteve për shkak të akullit që mbizotëron në pjesën dërrmuese të rrugëve, duke u bërë shkas për aksidente. Burimet policore vendore raportojë për aksidente, të cilat, fatmirësisht nuk janë regjistruar me të vdekur.
Problemet
Trashësia e akullit në akset rrugore të Pukës i ka kaluar 4 centimetrat, duke u bërë kështu një burim aksidentesh për mjetet që kalojnë pa zinxhirë. Problematik mbetet aksi Shkodër-Pukë, ku dhjetëra automjete u bllokuan si shkak i ngricave në rrugë gjatë dy ditëve të kaluara. Ndërsa një autobus me pasagjerë kosovarë doli nga rruga dje në mesditë, duke shkaktuar lëndimin e njërit prej pasagjerëve që gjendej në fund të autobusit. Pasagjeri i dëmtuar është dërguar në spital, ndërsa policia rrugore ka ndihmuar mjetin të rikthehet në rrugë duke e shoqëruar atë deri në Kukës.
Parashikimi
Ekspertët e Meteorologjisë pohojnë se vendi ynë gjatë ditës së mërkurë do të ndikohet nga një fushë e presionit të ulët atmosferik, me qendër në Detin Mesdhe. Mbi vendin tonë do të qarkullojnë masa ajrore të paqëndrueshme, të lagështa dhe të ftohta. “Moti parashikohet të jetë me vranësira të dendura dhe me reshje shiu, ndërsa në lartësinë mbi 1000 metra parashikohen reshje dëbore”, - thonë burimet zyrtare të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak në kryeqytet. Sipas tyre, “era do të fryjë me shpejtësi 2-14 m/sek në drejtimin jugperëndim dhe në mesditë lindje-verilindje. Valëzimi në bregdet parashikohet të jetë 4-5 ballë, kurse në det të hapur deri në 7 ballë. Ndërsa ditën e enjte vendi ynë do të ndikohet nga masa ajrore të paqëndrueshme dhe më të ftohta, me reshje shiu me karakter lokal dhe në lartësi reshje dëbore. Meteorologët parashikojnë që ditën e shtunë do të ketë përmirësim të kushteve atmosferike. Në ditët e para të janarit u regjistruan reshje të shumta dëbore, të cilat mbajtën të bllokuar me dhjetë fshatra në veri dhe jug të vendit.

TEMPERATURAT SOT

Tiranë 4 dhe 10
Shkodër 0 dhe 6
Durrës 5 dhe 11
Lezhë 4 dhe 6
Kuçovë 3 dhe 11
Gjirokastër 4 dhe 7
Elbasan 4 dhe 11
Kukës - 9 dhe -4
Peshkopi -10 dhe - 4
Korçë - 2 dhe 1
Vlorë 6 dhe 12
Sarandë 6 dhe 12

14 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›