BE: Zgjidhni krizën para nëntorit
ADI SHKEMBI
Bashkimi Europian kërkon zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri përpara nëntorit, kohë në të cilën Komisioni Europian do të hartojë opinionin për marrjen e statusit kandidat. Deklaratën e bëri dje në Tiranë, Ambasadori i Belgjikës, rezident në Bullgari, Mark Mishelsen, vendi i të cilit nga 1 korriku ka marrë Presidencën e radhës së BE-së. Kreu i diplomacisë belge prezantoi në një konferencë për mediat, prioritetet e presidencës së vendit tij, ku një prej tyre është edhe zgjerimi i Unionit. Gjatë qëndrimit në Tiranë ai pati takime me Presidentin Topi, Kryeministrin Berisha, kryeparlamentaren Topalli, Ministrin e Jashtëm, Meta dhe kreun e PS-së, Edi Rama. “U përcolla atyre mesazhin se duhet të ketë më tepër progres dhe se ne na duhen sinjale pozitive. Prandaj ne kemi shprehur shqetësimin tonë për ngërçin politik në Shqipëri, ngërç i cili ka të bëjë me dialogun politik dhe moszgjidhjen e çështjeve të mbetura nga zgjedhjet e kaluara”, tha ambasadori belg. Duke e lidhur situatën politike me përgjigjen e Komisionit Europian ndaj pyetësorit të dërguar nga Shqipëria, Mishelsen tha se “siç e dini edhe ju deri në nëntor të këtij viti Komisioin Europian do japë opinionin për Shqipërinë dhe mbi bazën e tij Presidenca belge, nëse opinioni do të jetë pozitiv, do ta ndjekë atë më tej. Prandaj unë u bëj thirrje politikanëve që takova, që t’i shohin këto çështje në mënyrë transparente dhe kushtetuese. Të bashkëpunojnë si opozita, ashtu edhe maxhoranca, për të gjetur zgjidhje nga kjo situatë në të cilën gjendemi. Kanë mbetur ende disa muaj mes ditës së sotme dhe fillimit të nëntorit dhe shpresa jonë, si përfaqësuesit e Presidencës së BE-së është që këto sinjale pozitive mund të jepen”. Duke kujtuar rezolutën e miratuar, pak ditë më parë nga Parlamenti Europian, ambasadori i Belgjikës në Bullgari tha se Brukseli shpreson që ajo të lexohet me kujdes nga udhëheqësit dhe forcat politike në vendin tonë. I pyetur nëse edhe në muajin nëntor do të jetë kjo situatë politike, cila mund të jetë përgjigjja për statusin ai theksoi se “nëse e shohim nga këndvështrimi akademik, ajo që ka ndodhur deri tani ka qenë që sa herë që KE ka përpiluar komentet e tij, përgjigjet kanë qenë, ose po, ose jo, ose po me disa kërkesa që duhen përmbushur. Nuk mund të them që mund të mos ketë skenare të tjera, por gjithsesi këto janë ato që janë përdorur deri më tash”.
Vizat
Ambasadori i Belgjikës foli gjatë prezantimit të prioriteteve edhe për çështjen e vizave. Sipas tij, ajo është një çështje teknike dhe vendimmarrja politike do të vij vetëm pasi të plotësohen tre kushtet e papërmbushura ende. “Liberalizimi i vizave është një proces teknik për sa ka të bëjë kjo me Belgjikën, jo një proces politik. Dy muaj më parë, KE lëshoi opinionin për vizat dhe është thënë se për Shqipërinë mbeten tre kërkesa që duhet të përmbushen. Do të ketë një mision të ekspertëve të BE-së për të parë se çfarë përparimi ka pasur në lidhje me këto tre kërkesa dhe në bazë të konkluzioneve do të shohim si do të ecim përpara. Nëse do të ketë sinjal pozitiv, kjo çështje do të çohet më tej në nivel politik, por nuk do të ketë një dialog politik”, tha më tej Mishelsen. Gjatë ditës së djeshme kanë mbërritur në Tiranë ekspertët, të cilët do të shohin plotësimin e tre kushteve.