Opozita: Komisioni parlamentar për Prokurorinë, shkelje e rëndë e Kushtetutës
Lëvizjes së deputetëve të Partisë Demokratike për mbledhjen e firmave për krijimin e komisionit hetimor parlamentar për çështjen “Fazlliç”, opozita i është kundërpërgjigjur ashpër. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ai i Partisë Social-Demokrate e kanë cilësuar ngritjen e këtij komisioni si antikushtetues dhe shkelës së pavarësisë së institucioneve të pavarura. Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, tha se Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste e konsideron si antikushtetuese përpjekjen për anashkalim të Prokurorisë në rastin e kërkesës për hetim ndërkombëtar të çështjes edhe kërkesën për hetim parlamentar ndaj saj kur çështja është në proces. “Ne si grup Parlamentar i Partisë Socialiste nuk do të pranojmë asnjë komision hetimor që bie ndesh me Kushtetutën, që synon presionin ndaj institucionit të Prokurorisë. PS-ja vlerëson se kjo situatë ka tronditur rëndë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të shtetit, kur ata dëgjojnë kryeministrin e vendit të jetë dyshues ndaj tyre. Grupi Parlamentar i PS-së u bën thirrje kryeministrit dhe maxhorancës të reflektojnë duke respektuar pavarësinë që u njeh ligji dhe Kushtetuta institucioneve të Drejtësisë”, - tha Leskaj.
Kundër propozimit për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, por edhe për hetime ndërkombëtare për çështjen “Fazlliç” ka dalë edhe grupi parlamentar “E majta për integrim”. Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim kundërshtoi lëvizjen e deputetëve të PD-së për krijimin e komisionit hetimor, duke e cilësuar një gjë të tillë si antikushtetuese. Braho kundërshtoi gjithashtu idenë e propozuar nga kryeministri Berisha për ngritjen e një hetimi ndërkombëtar për çështjen “Fazlliç”. Ai theksoi se kryeministri Berisha, me një veprim të tillë jo vetëm që do të pengojë hetimet, por do të shkelë rëndë Kushtetutën dhe legjislacionin shqiptar.
17 Tetor 2008