Ministria e Financave: Huamarrja e brendshme dhe Ekuilibrat Makroekonomikë, brenda planit buxhetor të 2010-s

Drejtori i përgjithshëm i borxhit në Ministrinë e Financave, Xhentil Demiraj, sqaron opinionin publik, lidhur me akuzat e kryesocialistit, për situatën ekonomike dhe borxhin. Ai tha se Ministia e Financave po monitoron me kujdes likuiditetin në tregun e brendshëm, dhe në përputhje me strategjinë për të rritur fleksibilitetin e huamarrjes
Në përgjigje të interesimit të publikut, si dhe të diskutimeve të ditëve të fundit në media të ndryshme lidhur me huamarrjen e vitit 2010 dhe financimin e deficitit buxhetor për këtë vit, Ministria e Financave deklaron se huamarrja e vitit 2010 vijon të kryhet në përputhje me ligjin e Buxhetit për këtë vit. Sipas këtij ligji, deficiti vjetor prej 49,7 miliard lekësh do të financohej nëpërmjet Huamarrjes së Brendshme prej 39,6 mld lekë, dhe financimit të huaj nga kreditë e zhvillimit prej 10.1 mld. Deri më tani, huamarrja e brendshme ka arritur në 14,5 mld lekë apo 36% e totalit të saj për gjithë vitin; Në rast të emetimit të Eurobondit, për të cilin Ministria po pret momentin më të përshtatshëm dhe stabilizimin e tregjeve të kapitalit, pjesa e të ardhurave prej tij që do të mbeten pas shlyerjes së kredisë sindikale të kontraktuar vitin e kaluar, mund të shkojë për të maturuar një sasi të borxhit të brendshëm afatshkurtër, pra për të zëvendësuar një pjesë të huamarrjes së brendshme me të ardhura në euro nga jashtë. Ministria e Financave po monitoron me kujdes likuiditetin në tregun e brendshëm, dhe në përputhje me strategjinë tonë për të rritur fleksibilitetin e huamarrjes, për të diversifikuar burimet e financimit, dhe sigurimin e një pjese të tij në Euro (kuptohet, pa rrezikuar plotësimin e nevojave të sektorit privat), do të shohim edhe mundësinë e emetimit të një bonoje afatshkurtër në tregun e brendshëm, të denominuar në euro. “Përgjithësisht, likuiditeti në tregun e brendshëm të bonove dhe obligacioneve vazhdon të mbetet i konsiderueshëm. Huamarrja e brendshme nuk ka cenuar aspak likuiditetin e bankave ne dispozicion te sektorit privat, gjë që është evidente nga norma mesatare e mbulimit te ankandeve. Kjo norme ka qene rreth 150% për pesë muajt e fundit, pra për çdo njësi monetare të titujve të shitur nga qeveria, oferta e tregut ka qenë mesatarisht 1.5, apo 50% më e lartë sesa nevoja jonë. Në të njëjtën kohë, normat e interesit të huamarrjes së brendshme janë ulur në mënyrë konstante. Kështu p.sh, bonoja “benchmark”, apo barometër, e qeverisë, që është ajo 1-vjeçare, është ulur nga 9.24% në fund të vitit 2009, në 8% aktualisht, çka përbën një reduktim të kostos që ajo shkakton në buxhetin e shtetit prej më tepër se 13%. Paralelisht me këtë, është rritur edhe përqindja e titujve që individët dhe institucionet jo-banka mbajnë në portofolin e borxhit të brendshëm. Ka dhe një sërë zhvillimesh të tjera në tregun e brendshëm që janë mjaft pozitive, siç janë rritja e maturitetit te borxhit te brendshem dhe shtimi i peshes specifike te instrumenteve afatgjate, por sigurisht keto jane publike dhe mund t’i gjeni ne raportet periodike te Ministrisë; Së fundi, do doja të shtoja se Ministria e Financave e vlerëson shumë interesimin e mediave ndaj ecurisë së borxhit publik dhe të huamarrjes publike, por për t’i shërbyer sa më mirë detyrimit tonë ndaj publikut, do të kërkonim bashkëpunimin tuaj për të reflektuar vetëm të vërtetën në hapësirat tuaj mediatike”- tha Drejtori i përgjithshëm i borxhit në Ministrinë e Financave, Xhentil Demiraj.
...