Premtimi i Qeverisë - nga 1 korriku do të rriten sërish pagat dhe pensionet

Qeveria ka gati skemën për një tjetër rritje të pagave dhe pensioneve, duke filluar nga 1 korriku i këtij viti. Deklarata u bë dje nga kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Shefi i ekzekutivit, u zotua se në një kohë kur ekonomitë e vendeve evropiane janë prekur thellësisht nga kriza ekonomike globale, Shqipëria po përjeton një dimension progresist, e cila vërehet që nga rritja e paprecedentë e eksporteve shqiptare. “Kjo rritje e pagave dhe pensioneve, vjen në kundra rrymë me të gjithë trendin e qëndrimeve të qeverive të vendeve të Evropës, por në tërësi edhe të botës”- tha kryeministri. Sipas tij, rritja e paprecedentë e eksporteve “Made in Albania”, rritja me 14 për qind e depozitave bankare dhe rritja me 28 për qind e regjistrimit të bizneseve të reja në 5 muajt e parë të këtij viti, janë tregues të cilët përgënjeshtrojnë në mënyrën më bindëse të gjithë propagandën e zisë dhe ndjellakeqe që bëhet sot rreth situatës së ekonomisë shqiptare dhe shtyjnë qeverinë shqiptare të ë vendoset në kundra rrymë për rritjen e rrogave dhe pensioneve, siç ishte parashikuar. “çështja kryesore është rritja e rrogave dhe pensioneve. Më datë 1 korrik 820 mijë qytetarë të këtij vendi, burra dhe gra që punojnë në administratë, në institucione të tjera, ata që janë në pension, do të njohin rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve që kanë pasur ndonjëherë. Sot kjo rritje vjen në kundra rrymë, duhet ta pranoj se është në një kundra rrjedhje, me të gjithë trendin e qëndrimeve të qeverive të vendeve të Evropës, por në tërësi edhe të botës. Trendi është ulja e ndjeshme e rrogave, ulja e ndjeshme ose ngrirja e pensioneve, heqja e të gjithë stimujve të tjerë në masën 75 – 100 për qind. Kjo diktohet tërësisht nga kriza ekonomike. Asnjë qeveri nuk do të dëshironte të ulte rrogat, nuk do të dëshironte të ngrinte apo të ulte pensionet, të hiqte stimujt, por kriza e thellë financiare dhe ekonomike ka shtrënguar qeveritë që të bëjnë ulje, shumë prej tyre nga 6 – 18 për qind të rrogave dhe pensioneve. Me të gjitha këto, e vërteta është krejt tjetër nga ajo e shumicës së vendeve të Evropës dhe botës. Kjo e vërtetë dëshmon se Shqipëria ka një rritje eksportesh të paprecedentë në historinë e saj. Nuk janë dyfishuar në vlerë eksportet ‘Made in Albania’, por pothuajse janë trefishuar në vlerë eksportet ‘Made in Albania’. Në 5 muajt e parë të vitit që shkoi janë eksportuar gjithsej 11 miliardë lekë mallra ‘Made in Albania’, nga të cilat 1.2 apo 1.3 miliardë lekë energji. Në 5 muajt e parë të këtij viti janë eksportuar mallra ‘Made in Albania’, prodhim direkt shqiptar, 30 miliardë lekë. Pra, pothuajse 3 herë më shumë. Dhe nga këto, 7 miliardë lekë janë energji, kështu që rritja i bie të jetë së paku, po të heqim dhe 1 miliardë të 2009-ës, 140 për qind”, deklaroi kryeministri Berisha. Berisha tha se këtë vit do të shkohet në Parlament me qëllimin për të shkurtuar shpenzimet e institucioneve. “Në qoftë se vendosim të rrisim rrogat dhe pensionet, ne do t’i qëndrojmë asaj që kemi deklaruar për shkurtimin me 20 për qind të buxhetit të të gjitha institucioneve. Në qoftë se vendosim të rrisim rrogat dhe pensionet, ne do t’i qëndrojmë asaj që kemi deklaruar, për shkurtimin me 20 për qind të buxhetit të të gjitha institucioneve. Për këtë unë kërkoj mirëkuptimin e të gjitha institucioneve shtetërore. Shkurtimet e para më të mëdha do t’i bëhen qeverisë dhe agjencive të qeverisë, por nga këto shkurtime nuk do të përjashtohet as edhe një institucion i vetëm. Sepse është e domosdoshme që të garantojmë parametrat më të mirë të mundshëm, kjo para së gjithash dhe mbi të gjitha për shkak të një mbështetje dhe të një mjedisi të domosdoshëm për sektorin privat të vendit. Ndaj, duke proceduar me rritjen e ndjeshme të rrogave dhe pensioneve, në krahun tjetër ne do të ngushtojmë ose zvogëlojmë shpenzime të tjera, në mënyrë që të mbajmë nën kontroll të plotë dhe total treguesit makroekonomik të këtij vendi”, deklaroi Berisha. Kryeministri Berisha vlerësoi si jashtëzakonisht pozitiv edhe trendin e inflacionit, i cili muajin që shkoi ra me 1.2 për qind. Berisha tha gjithashtu se treguesit ekonomikë përgënjeshtrojnë në mënyrën më bindëse të gjithë propagandën e zisë dhe ndjellakeqe që bëhet sot rreth situatës së ekonomisë shqiptare.
...