Ministria e Financave: Ja punonjësit që do të shkurtohen nga administrata
Kriteret e reja nëpërmjet të cilave do të operojë administrata publike me vendimin e ri të Qeverisë nuk kanë si qëllim parësor shkurtimin e punonjësve, por mirëfunksionimin e administratës, tha dje për gazetën MAPO drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike, Blerta Selenica. Por burimet nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se një nga qëllimet themelore të reformës është mirëmenaxhimi i fondit të pagave dhe pastrimi nga strukturat parazite
Financat
Burimet nga Ministria e Financave, e cila ka udhëhequr grupin e punës për këtë reformë, shpjegojnë se një nga qëllimet themelore është mirëmenaxhimi i fondit të pagave dhe pastrimi i strukturave parazite. Burimet nga Drejtoria e Buxhetit në Ministrinë e Financave, bënë të ditur dje për gazetën MAPO se administrata publike do të pastrohet nga punonjësit me masa administrative dhe se do rishikohen të gjitha strukturat. Efekti financiar në buxhet, sipas tyre, do të jetë gati në fillim të vitit buxhetor 2012, atëherë kur nis edhe implementimi i strukturës së re. Për këtë qëllim, prej më shumë së një viti është ngritur një grup pune me përfaqësi nga Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë dhe Shërbimi i Administratës Civile. Ky grup ka hetuar të gjithë strukturën e administratës, për të verifikuar pagat në raport në pozicionet e punës etj. Sipas Ministrisë së Financave, kjo reformë do të bëhet për t’i vënë fre abuzimeve me fondin e pagave që buxheti vë në dispozicion të institucioneve. Një nga propozimet e grupit të punës për forcimin e disiplinës në këtë fushë është përfshirja e numrit të punonjësve për çdo ministri dhe institucion qendror në ligjin e buxhetit të vitit 2011, për herë të parë. Kjo masë është reflektuar tashmë. Sipas dikasterit të Bodes, analiza e grupeve kryesore të shpenzimeve ka konkluduar në faktin se pas reduktimit të ndjeshëm të shpenzimeve në zërat e tjerë, si ata administrativë, subvencione etj., kostoja e personelit i është nënshtruar një analize të thellë, shoqëruar me një reformë në sistemin e strukturave, organikave dhe të pagave. Të njëjtat burime pohojnë se kostot për paga dhe pensione në buxhet janë të larta tashmë. Duke qenë se reforma e pensioneve kërkon kohë, reforma në administratën publike është totalisht në dorën e qeverisë dhe do të jetë aktive në buxhetin e vitit 2012.
DAP
Ndërkaq Blerta Selenica, drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike, ka sqaruar se e gjithë administrata qendrore do të ketë plot 6 muaj kohë që të adoptojë strukturën e re të miratuar nga qeveria dhe të botuar tashmë në Fletoren zyrtare. Gjatë kësaj periudhe do të shkurtohen vende pune ose do të shtohen në përputhje me kriteret dhe organigramën e re të qeverisjes. Ndërkohë që efektet financiare të kësaj reformë në administratë do të kenë efekt në buxhetin e vitit 2012. Ku bashkë me buxhetin e ri do të miratohet edhe numri total i punonjësve. Selenica tha se, kriteret e reja përmirësojnë llogaridhënien dhe efektivitetin e punës në administratë, duke mos përjashtuar edhe shkurtimet.