Ministria e Financave: Ja sa do të rriten pagat dhe pensionet nga 1 maji
Rreth 104 mijë punonjësit buxhetorë dhe mbi 50 mijë pensionistët në vend pritet të përfitojnë më datën 1 maj të këtij viti rritjen e pagave dhe pensioneve të premtuar nga qeveria. Ministria e Financave ka bërë publike dje shifrat konkrete për rritjen e pagave dhe pensioneve më 1 maj. Sipas këtij dikasteri, duke filluar nga data 1 maj e këtij viti, 104 mijë punonjësit e administratës do të kenë një rrogë mesatare prej 460 mijë lekësh. Madje, është parashikuar që në të gjithë administratën të mos ketë rrogë nën 210 mijë lekë. Përveç administratës, nga 1 maji, edhe 2 mijë infermierë do të kenë një rrogë mesatare prej 306 mijë lekësh, ndërsa për 4 mijë mjekë, me rritjen e re të rrogave që ata do të marrin, paga e tyre do të shkojë në 480 mijë lekë. Përsa u përket pensionistëve, më të privilegjuarit do të jenë pensionistët e fshatit. Pensionistët në qytet do të përfitojnë një rritje prej 10 për qind, kurse pensionistët në fshat do të kenë një rritje prej 20 për qind. Gjithashtu, rritje do të pësojë edhe ndihma ekonomike. Për rritjen e saj, sipas ekspertëve të Ministrisë së Financave, qeveria gjatë vitit 2009 do të zbatojë një politikë sociale konstante. Sipas Ministrisë së Financave, rritja mesatare e pagave në sektorin publik për vitin 2009 do të jetë 10 për qind. Rritja e pagave të mësuesve të sistemit parauniversitar është 14 për qind, ndërsa për ata të sistemit universitar do të jetë e diferencuar. Edhe për sektorin e shëndetësisë, rritja e pagave do të jetë mesatarisht 12.3 për qind, por edhe këtu rritja do të jetë e diferencuar.
Duke filluar nga data 1 maj e vitit 2009
104 mijë punonjësit e administratës do të kenë një rrogë mesatare prej 460 mijë lekësh
2 mijë infermierë do të kenë një rrogë mesatare prej 306 mijë lekësh
4 mijë mjekë do të marrin pagën prej 480 mijë lekësh
14 për qind do të rriten pagat e mësuesve të sistemit parauniversitar
12.3 për qind do të rriten pagat në sektorin e shëndetësisë
10 për qind do të jetë rritja mesatare e pagave në sektorin publik
10 për qind do të rritet masa e pensionit për pensionistët e qytetit
20 për qind do të rritet masa e pensionit për pensionistët e fshatit
20 Janar 2009