Topi: “Zgjedhjet e 2009-s duhet të jenë të pakontestueshme”
Laureta Rryçi
Tiranë - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vlerësoi dje se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do t’i japin fund periudhës së tranzicionit të proceseve zgjedhore me kontestime. Deklaratat e kreut të shtetit u bënë gjatë mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), ku u përcaktuan me short anëtarët e Kolegjit Zgjedhor. Gjatë fjalës së tij, Topi i cilësoi zgjedhjet e qershorit 2009 si vendimtare për proceset integruese të vendit. Duke uruar që zgjedhjet të zhvillohen në një klimë të qetë, Topi kërkoi direkt nga partitë politike që këto të fundit të garantojnë një proces të qetë. “Zgjedhjet e vitit 2009 konsiderohen më të rëndësishmet e periudhës së re demokratike në Shqipëri për t’i dhënë fund një herë e mirë këtij tranzicioni që ka qenë i mbushur me zgjedhje, me kontestime dhe ka një rëndësi të jashtëzakonshme që këto zgjedhje të zhvillohen në një klimë të qetë dhe të jenë në funksion të qytetarit”, - u shpreh Topi. Më tej, kreu i shtetit theksoi se institucioni i zgjedhjeve është më i rëndësishmi ndaj i ka kërkuar KLD-së që të tregojë pavarësi nga politika. Më 28 qershor të këtij viti, shqiptarët do të votojnë për të zgjedhur Parlamentin.
Shorti
Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) zgjodhi, nëpërmjet shortit me gogla, tetë gjyqtarët që do të përbëjnë Kolegjin Zgjedhor. Kolegji është një strukturë e rëndësishme për shqyrtimin e ankesave të subjekteve politike gjatë procesit për zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat do të mbahen më 28 qershor 2009. Nga shorti u zgjodhën si anëtarë të Kolegjit Zgjedhor gjyqtarët: Dhurata Haveri, Astrit Kalaja, Marie Qiriazi, Meriban Mullaj, Sashenka Jonuzi, Entela Prifti, Tom Ndreca dhe Petraq Koço. Nga përzgjedhja e parë me short u kontestuan tre emra. Stavri Kallço, Bashkim Dedja dhe Zeqine Sollaku nuk morën aprovimin nga partitë. Përzgjedhja e dytë me short zgjodhi tre emra të rinj në vend të kandidatëve të kontestuar. Entela Prifti, Tom Ndreca dhe Petraq Koço u përzgjodhën në vendet e tre të kontestuarve.
Prapaskenat
Të pranishëm në përzgjedhjen e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor ishin edhe përfaqësues të partive politike. Sipas ligjit, në këtë short duhet të ishin të pranishëm përfaqësuesit e dy partive më të mëdha të pozitës dhe opozitës. Gjatë shortit të djeshëm, si përfaqësues i Partisë Demokratike ishte Njazi Kosovrasti, për Partinë Republikane Arian Madhi, për LSI-në Spartak Braho dhe përfaqësuesi i PS-së Damain Gjiknuri. Pas hedhjes së shortit të parë, përfaqësuesit e partive politike kërkuan 30 minuta kohë për të shqyrtuar emrat e të zgjedhurve. Sipas ligjit, atyre u lind e drejta të kundërshtojnë në heshtje, duke e detyruar KLD-në që të bëjë sërish zgjedhje në rast se kontestohet ndonjë emër. Kosovrasti dhe Madhi u larguan drejt zyrës së ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj për të bërë konsultimet me liderët e partisë që përfaqësonin. Përfaqësuesi i PS-së, Gjiknuri, kërkoi një ambient më vete në një nga zyrat e KLD-së, sërish edhe ai për të bërë konsultimet e nevojshme. I vetmi që vendosi të largohej menjëherë pas shortit ishte përfaqësuesi i LSI-së, Braho, ku mesa duket kanë rezultuar të gjithë emrat e pranueshëm. Përfaqësuesit u rikthyen pas më shumë se gjysmë ore me disa zarfe të mbyllur në të cilët rezultoi se emrat e kontestuar ishin vetëm tre. Edhe pse u shpreh se kontestimet do të ishin sekret, u mësua se Dedja është kontestuar nga PS-ja. Kjo për shkak se mendohet se ka gjykuar disa dosje ku kanë qenë palë përfaqësues të PS-së. Ndërsa dy emrat e tjerë, Sollaku dhe Kallço, mendohet se janë kontestuar nga PD-ja dhe PR-ja. Në këtë proces, i cili u zhvillua në prani të medias, u përfshinë 53 gjyqtarë të Gjykatave të Shkallës së Apelit në shkallë republike, prej të cilëve vetëm tetë u zgjodhën si anëtarë të Kolegjit Zgjedhor. Kolegji Zgjedhor është një strukturë e rëndësishme, që merret me shqyrtimin e ankesave të subjekteve politike gjatë procesit për zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat do të mbahen më 28 qershor 2009.
Në fazën e parë të shortit u përzgjodhën këta gjyqtarë për Kolegjin Zgjedhor
Dhurata Haveri
Sashenka Jonuzi
Stavri Kallço
Zeqine Sollaku
Bashkim Dedja
Astrit Kalaja
Meriban Mullaj
Marie Qirjazi
Faza e dytë
Entela Prifti
Tom Ndreca
Petraq Koço
20 Janar 2009