E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria akordon 2 milionë euro për kredi për firmat e eksportit



Agjencia për nxitjen e investimeve të huaja "Albinvest" do të zbatojë edhe këtë vit programin e qeverisë "Fondi i garantimit të kredive për eksport", me një fond prej 2 milionë eurosh, të dhëna nga qeveria shqiptare. Drejtori i Departamentit të SME dhe Eksportit në "Albinvest", Gavril Lasku, tha se "me anë të këtij projekti kompani të ndryshme eksportuese kërkojnë kredi afatshkurtra 1-vjeçare për kapital qarkullues për nevojat që kanë për të eksportuar". Sipas tij, "Albinvest" garanton deri në 80 për qind të kredisë që kërkon kompania nga banka, nëse gjykohet se projekti kualifikohet. "Nga ky fond mund të përfitojë çdo ndërmarrje e regjistruar në Shqipëri që punon për eksport dhe jo vetëm në prodhim", - tha Lasku, duke shtuar se ky program u zbatua edhe vitin e kaluar.
Gjatë këtij viti "Albinvest" do të zbatojë programin e qeverisë "Projekti i grandeve për promovimin e SME në fushën e eksportit", me një fond prej 25 milionë lekësh të dhëna nga qeveria për këto grande. "Albinvest" ka si objektiv rritjen e Investimeve Direkte të Huaja në Shqipëri, forcimin e kapaciteteve të biznesit shqiptar për të konkurruar jashtë Shqipërisë, përmirësimin e mjedisit dhe infrastrukturës vendase të lidhura këto me investimet, si dhe ndërtimin i një imazhi të qëndrueshëm për Shqipërinë.

20 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›