E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si bëhet pastrimi i parave, ja tri fazat e qarkullimit

Çdo vit pastrohen nga 600 miliardë deri në 1.8 trilionë dollarë, njësoj sa PPB i Kanadasë. Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave jep përkufizimet se si kryhet procesi nga krimi i organizuar ekonomik.
“Pastrimi i parave” është një proces që artikulohet në tri faza, të cilat bëjnë përzierjen (bashkimin) e fondeve të përfituara ilegalisht me fondet ligjore, që venë në lëvizje ciklin ekonomik ligjor. Faza e parë është “hyrja”, në të cilën “pastruesi” fut paratë e “pista” në sistemin financiar ligjor, duke përdorur të gjitha instrumentet financiare që ka në dispozicion, si çeqet e udhëtimit, deri te metoda më e thjeshtë, siç mund të jetë ndarja e shumave të mëdha në pjesë më të vogla dhe depozitimi i tyre në banka, me emra të ndryshëm, që më vonë, ashtu si çeqet, do të ribashkohen dhe depozitohen në llogari bankare të lokaliteteve të tjera. Faza e dytë është “tjetërsimi”. Kjo është faza gjatë së cilës fondet e futura më parë në sistemin financiar ligjor, konvertohen ose thjesht transferohen nga njëra bankë në tjetrën, anembanë sistemit bankar të vendit. Në fazën e tretë, të quajtur jo rastësisht “integrim”, fondet, thuajse “të pastra”, rihyjnë në ciklin ekonomik ligjor për t’u investuar ose konvertuar në mallra me vlerë ose pasuri të patundshme. Kështu pastrimi i parave është një fenomen që përmbledh në vetvete dy krime të ndryshme: i pari, krimi kryesor, i cili sjell të ardhura që kanë nevojë “të pastrohen”, dhe i dyti, krimi që kryen tjetërsimin e prejardhjes ilegale të fondeve. Kohët e fundit, fenomeni i pastrimit të parave "të pista", domethënë atyre parave që rrjedhin nga aktivitete kriminale (trafiku në të gjitha format e tij, krimet e ndryshme ekonomike etj.), ka marrë përmasa të frikshme. Sipas “Transcrime”, çdo vit pastrohen rreth 600 miliardë deri në 1.8 trilionë dollarë, shifra këto që mund të krahasoheshin me PPB-në e Kanadasë, një nga 9 shtetet më të zhvilluara të botës dhe që e bëjnë "pastrimin e parave" një industri më të madhe se ajo e armëve apo e naftës.

Legjislacioni shqiptar

Në legjislacionin shqiptar, pastrimi i parave parashikohet në nenin 287 të Kodit Penal, por përkufizimi më i saktë i tij jepet në Ligjin “Për pastrimin e parave” të vitit 2003, Ligji nr.9084 i cili bën disa ndryshime të ligjit të mëparshëm, Ligji nr.8610 i vitit 2000, përshtatet dhe i afrohet dhe më shumë standardeve ndërkombëtare (rekomandimeve të FATF-së), si dhe përmbledh në vetvete kërkesat e Direktivës 91/308 (Direktiva e parë europiane në lidhje me pastrimin e parave dhe parandalimin e përdorimit të sistemit financiar për arsye pastrimi parash). Ky interpretim i ri i Kodit Penal parashikon dënimin jo vetëm për rastet kur paratë janë të ardhura drejtpërsëdrejti nga krimet, por edhe në rastet e të ardhurave indirekte. Kështu, neni 298 i Kodit Penal parashikon dënimin në Shqipëri edhe nëse krimi është kryer në një territor tjetër, jashtë kufijve kombëtarë. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, “fenomeni i pastrimit të parave është procesi i tjetërsimit të prejardhjes së fondeve me qëllimin për të bërë të duken legale paratë dhe të ardhurat nga aktivitete të paligjshme, dhe për t’i futur ato në sistemin ekonomik ligjor. Tejet i saktë dhe totalisht përmbledhës ky është dhe përkufizimi i dhënë nga Interpoli dhe i përkrahur tërësisht nga të gjitha vendet që kriminalizojnë këtë fenomen, dhe organizatat ndërkombëtare që prej vitesh e luftojnë.

Mungesa e informacionit

Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave vëren se mungesa e theksuar e informacionit në lidhje me fenomenin e pastrimit të parave, e vërejtur në të gjitha shtresat e shoqërisë sonë, si dhe në shumë institucione të cilat duhet të ishin një forcë ndihmëse në luftën kundër këtij fenomeni, “bën që vendi të ketë një nevojë urgjente për një program informimi të shoqërisë për ta ndërgjegjësuar atë”. Mendimi i përgjithshëm, por i gabuar, se pastrimi i parave (hyrja e fondeve të pista në sistemin financiar) ndihmon zhvillimin ekonomik, sidomos tregtinë ndërkombëtare, bëri të mundur që në Shqipëri të mos luftohej (detektohej) qysh në fillimet e saj ky fenomen. Pas krizës së paevitueshme të 1997-s, një tjetër sfidë u vu përpara ekonomisë shqiptare, futja e parave në sistemin ekonomik ligjor me qëllimin për t'u pastruar e për t'u bërë pjesë e tij. Kështu, sipas statistikave të viteve të fundit, rreth 80 për qind e transaksioneve në të gjithë ekonominë shqiptare kryheshin me para në dorë. Vlerësimi me shifra të sakta i fenomenit të pastrimit të parave në ekonominë tonë u vështirësua tej mase, gjë që vazhdon të pengojë marrjen e masave të duhura, nga ana e institucioneve përkatëse, për luftën dhe parandalimin (gati të pamundur) të pastrimit të parave.

14 Dhjetor 2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›