Komiteti i Parlamentit Europian fut në listën e heqjes së vizave edhe Shqipërinë
Komiteti i Jashtëm në Parlamentin Europian ka vendosur dje ta përfshijë Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën në listën e bardhë të Shengenit, bashkë me tri vendet e tjera: Serbinë, Malin i Zi dhe Maqedoninë. Por, ndërsa për këto tri vende është përcaktuar data 1 janar 2010, për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën data do të jepet kur të plotësohen kushtet e hartës së liberalizimit të vizave. Komiteti i Marrëdhënieve me Jashtë në Parlamentin Europian miraton kështu propozimin e raportueses Tania Fajon, një anëtare e Komitetit të Çështjeve të Drejtësisë dhe Lirive Civile. Komiteti ka vendosur gjithashtu që të nisë dialogu me Kosovën për planin e liberalizimit të vizave, pa paragjykuar statusin e Kosovës. Parlamentarja sllovene, Fajon, ka shpjeguar në këtë komitet se mungesa e liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën i izolon këto vende. Në favor të këtij drafti votuan 51 vota pro dhe 8 kundër.
Një tjetër votim i Parlamentit Europian do të zhvillohet më 15 tetor. Ky qëndrim ndryshon nga ai i Komisionit Europian, i cili pritet të kërkojë një propozim të ri ligjor vitin e ardhshëm për heqjen vizave për Bosnjën dhe Shqipërinë. Komiteti gjithashtu miratoi hapjen e një dialogu të vizave me Kosovën në mënyrë që të krijojnë një "hartë të liberalizimit të vizave” të ngjashme me të tjerët. Sarah Ludford tha: "Parlamenti Europian i ka dërguar një sinjal shumë të fuqishëm të gjithë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, duke mbështetur lëvizjen e lirë pa viza me Bashkimin Europian, përmes futjes në linjën e procedurave ligjore. Por, duhet theksuar se heqja e vizave në të vërtetë do të hyjë në funksionim vetëm kur të gjitha vendet të përmbushin standardet e nevojshme të sigurisë. Topi tani është në duart e Gjyqësorit dhe qeverive të Bosnjës dhe Shqipërisë dhe qytetarët e këtyre vendeve duhet të ushtrojnë presion tek ata që të përmbushin standardet e BE-së me shpejtësi. Në Kosovë shpresoj se ne mund të gjejmë një zgjidhje, e cila është pragmatike në ecjen përpara për kosovarët dhe, gjithashtu, në arritjen e lehtësimit dhe më pas liberalizimin e vizave, ndonëse ekzistojnë pikëpamje të ndryshme ligjore mes shteteve anëtare të BE-së rreth çështjes së pavarësisë".
7 Tetor 2009