E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Financave: Është bllokuar aktiviteti i ARMO-s



Ministria e Financave deklaroi dje zyrtarisht se ka bllokuar aktivitetin e kompanisë ARMO. Sipas saj, shkak për mbylljen e ARMO-s është bërë mosplotësimi i dokumentacioneve tatimore nga ana e firmës. Vendimi i Ministrisë së Financave pavarësisht se ka sjellë reagime të ashpra nga drejtuesit e ARMO-s ka pasuar me ndërprerjen e punës në këtë kompani. Kështu gjatë ditës së djeshme është ndërprerë puna, ndërsa zyrtarët e kompanisë shprehen se urdhri i bllokimit është i pavlefshëm. Ndërkaq në njoftimin e saj për shtyp, Drejtoria e Tatimeve shpjegon se “bllokimi i depove të nënprodukteve të naftës së tatimpaguesit “ARMO” sh.a. është realizuar në bazë të urdhrit të bllokimit të lëshuar nga Drejtoria Rajonale e Tatimpaguesve të Mëdhenj, mbështetur në piken 2 të nenit 30 të ligjit nr. 8976, datë 12.02.2002 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Tatimpaguesi “ARMO” sh.a. nuk është i pajisur me autorizim si tatimpagues akcize, si dhe nuk ka miratim të magazinave tatimore sipas kërkesave që përcakton ky Ligj. Tatimpaguesi “ARMO” sh.a. gjithashtu nuk ka plotësuar detyrimin ligjor si tatimpagues akcize për vendosjen e matësve në të gjitha pikat e hyrjes, përpunimit dhe daljes së lëndëve të para, prodhimit gjysmë të gatshëm dhe atij të gatshëm. Kërkesat e herëpashershme të administratës tatimore për plotësimin e këtyre detyrimeve ligjore nga ana e këtij tatimpaguesi nuk janë marrë parasysh që prej dhjetorit 2008”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›