E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arben Malaj: Nuk besoj në rregullat e statutit të ri



Anëtari i kryesisë së PS-së, Arben Malaj, nuk ka ndonjë shpresë se ndryshimet që pritet të bëhen në statutin e PS-së do t’i japin asaj një dimension të ri organizativ. Ai madje shprehet skeptik në këtë nismë të ndërmarrë nga kryesia, pasi merr si shembull rastin më flagrant kur vetë kryetari i partisë e shkeli me dy këmbë statutin, duke mos u larguar nga drejtimi i partisë, edhe pse statuti e përcaktonte qartësisht ndërprerjen e mandatit në rastin e humbjes së zgjedhjeve nga ana e partisë. “Nuk shpresoj shumë dhe në mënyrë automatike tek rregullat e statutit, sepse edhe eksperienca e fundit në PS tregoi se rregullat e krijuar për të eleminuar një krizë, nxitën një situatë më të rëndë”, - shprehet Malaj. Më tej ai thotë se “PS dhe çdo forcë politike është më harmonike dhe më efektive kur respekton mendimin ndryshe, kur respekton karrierën dhe kontributet, kur i nxit ato dhe jo t’i nënshtrojë kolegët”. Në këtë aspekt Malaj i mëshon rëndësisë që ka kodi i vlerave në një parti sesa ai i shkruari, i cili duket se në çdo rast lë vend për interpretime të ndryshme. “Kodi i vlerave është shumë më imponues se çdo rregull i shkruar. Në qoftë se vlerat moderne mungojnë tek çdo drejtues, çdo dokument i shkruar është një alibi më shumë për të abuzuar në momentin kritik”, - thekson Malaj. Malaj është një nga drejtuesit e Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS dhe kundër filozofisë që po ndjek kryetari i partisë, Edi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›