E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama shkrin forumet e PS-së



Partia Socialiste nuk ka një forum gruaje dhe një forum të rinjsh funksional. Kjo është një e vërtetë prej disa kohësh, por pas dorëheqjes së kryetares së Forumit të Gruas, Ermira Danaj, tashmë është bërë një fakt i pamohueshëm. Këto dy forume duket se nuk kanë më asnjë arsye që të ekzistojnë, edhe pse për fat të keq pjesë të tëra të statutit të PS-së i kushtohen mënyrës së organizimit e rëndësisë së tyre në parti. Shkrirja e këtyre forumeve, që në çdo parti normale janë jetike, ishte një proces i gjatë dhe i avashtë që pas ardhjes së Edi Ramës në krye të PS-së. Politikat që ndoqi Rama ndaj këtyre forumeve ishin të atilla, që i aneksuan fillimisht ato nga politikat e partisë dhe nga aktivitetet politike të saj dhe më pas u krijuan struktura paralele jostatutore për t’i suprimuar. Fillimisht largoi nga drejtimi krerët që gjeti, Gjergj Kojën e FRESSH-it dhe Majlinda Ketën e FGSSH-së, por dhe me krerët e rinj, që u duk sikur erdhën me mbështetjen e tij, nuk bashkëpunoi duke i lënë në hije. Ermira Danaj e cila mori drejtimin e Forumit të Gruas u prezantua nga Rama si një yll i ri i PS-së me ardhjet e reja, që ai mbështeti në parti, por çuditërisht ajo u la jashtë listës së kandidatëve për deputetë dhe puna e këtij forumi për një pjesë të mirë të programit politik që kishte të bënte me të drejtat e grave nuk u mor vesh se nga vajti. Ndërsa me Forumin e Gruas nuk pati ndonjë luftë politike, përveç aneksimit të rolit që duhej të kishte, me forumin e të rinjve mbështeti një strukturë paralele që i “vodhi” të gjitha funksionet. Bëhet fjalë për të ashtuquajturit “vullnetarët e PS-së”, grupe të rinjsh që dilnin pas Ramës në çdo tribunë. Por edhe pse tre të rinj me në krye Ajola Xoxën kishin shprehur hapur ambicien për të marrë drejtimin e FRESSH-it, nuk u bënë asnjëherë zgjedhjet në këtë forum duke lënë në mënyrë fiktive Megi Aytyresën, e cila gjithashtu u soll nga Shkodra si një yll i PS-së nga vetë Rama e më pas u aneksua krejtësisht nga partia. E ndërsa Megi vazhdon ta mbajë atë detyrë, edhe pse nuk ka asnjë hapësirë për ta vënë në funksion, Danaj pasi doli hapur publikisht kundër Ramës dhe politikave që po ndiqte ai pas zgjedhjeve të 28 qershorit, dha dorëheqjen nga drejtimi i FGSSH-së në shenjë proteste. Danaj tha se ka qenë e detyruar ta bëjë një veprim të tillë. "Pikëpamjet dhe qëndrimet e mia bien ndesh me atë të lidershipit të partisë, ndaj e vetmja rrugë që më mbeti ishte të dorëhiqem nga pozicioni që kisha", - është shprehur Danaj. Taktikën e izolimit e suprimimit me struktura paralele Rama përdori dhe me degët lokale të partisë, të cilat u lanë mënjanë gjatë një turi që ai zhvilloi në vend dhe u zëvendësuan me forumet qytetare, të cilat nuk njihen me statut, por që u mbështetën nga Rama si organizues të diskutimeve që ai bënte me qytetarët në rrethe të ndryshme.

Statuti i PS-së: Si funksionon FRESSH dhe FGSSH

Neni 44

Forumi i Rinisë Eurosocialiste të Shqipërisë (FRESSH)

1. FRESSH është organizëm politik brenda strukturave të PSSH, i cili bashkon të rinj e të reja anëtarë dhe përkrahës të PSSH të moshës nga 15- 29 vjeç.

2. Programi dhe veprimtaria e FRESSH përputhen në përmbajtje me Programin, Statutin dhe veprimtarinë e PSSH në tërësi.

3. FRESSH ka përfaqësuesit e propozuar prej tij në të gjitha organet drejtuese vendore e qendrore të PSSH në përputhje me vendin që zë anëtarësia e tij në efektivin e Partisë në nivel vendor dhe në tërësi.

4. AS bashkisë/komunës miraton kandidaturat për kryetar të Forumit Rinor Eurosocialist të bashkisë/komunës sipas propozimeve të ardhura nga OS të njësisë vendore përkatëse.

5. Kryesia e PSSH miraton kandidaturat për kryetar të FRESSH sipas propozimeve të ardhura nga forumet drejtuese të FRESSH.

Neni 45

Forumi i Gruas Socialiste të Shqipërisë (FGSSH)

1. Forumi i Gruas Socialiste të Shqipërisë është organizim brenda strukturave të PSSH që bashkon vajzat dhe gratë anëtare dhe përkrahëse të PSSH.

2. Programi dhe veprimtaria e FGSSH mbështetet në Programin, Statutin dhe veprimtarinë e PSSH.

3. FGSSH ka objektiv kryesor realizimin e shanseve të barabarta për gruan në të gjithë fushat e veprimtarisë, në veçanti në sigurimin e raporteve të barabarta në përfaqësimin politik midis grave dhe burrave.

4. Kandidaturat për kryetare të FGS të bashkisë/komunës miratohen nga AS përkatëse sipas propozimeve të ardhura nga OS të njësive vendore.

5. Kandidaturat për Kryetare të FGSSH miratohen nga Kryesia e PSSH sipas propozimeve të ardhura nga forumet drejtuese të FGSSH.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›