Pensionet, si do të përdoren letrat me vlerë
Projektligji i qeverisë "Për fondet e pensionit vullnetar", që pritet të shqyrtohet të hënën në komisionet parlamentare, rregullon krijimin, veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e fondeve të pensionit vullnetar me kontribute të përcaktuara. Letrat me vlerë, para, apo çdo pasuri tjetër mund të investohen nga çdo qytetar, për të siguruar pensionin e tij të ardhshëm. Konvertimi i kontributeve të investuara në kuotë pensioni do të bëhet nga shoqëria administruese, me të cilën anëtari i fondit të pensionit ka lidhur kontratën. Çdo anëtar mund të bëhet anëtar i një fondi pensioni, nëse më parë ka lidhur kontratë me shoqërinë administruese. Sipas relacionit shoqërues, projektligji përcakton tri raste, kur anëtari i fondit të pensionit mund të marrë pagesën e menjëhershme të vlerës neto të aseteve në llogarinë e vet ose pagesat periodike në formë pensioni; kur mbush moshën e pensionit, 5 vjet para saj dhe kur bëhet i paaftë për punë. Tërheqja e parakohshme në kundërshtim me këto tri raste shoqërohet me penalitete. Nëse anëtari vdes përpara se të marrë pagesën e të gjitha aseteve të veta, ato do t’u shpërndahen trashëgimtarëve të tij. Fondi i pensionit është gjithmonë i garantuar dhe nuk mund të jetë pjesë e procedurës së falimentimit të shoqërisë administruese. Kjo e fundit administron fondin e pensionit, pasi të jetë licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Çdo shoqëri administruese është përgjegjëse për fondin e pensionit që administron dhe ndaj çdo anëtari për dëmet e shkaktuara nga neglizhenca e kryerjes së detyrimeve të saj. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, institutet ekzistuese të pensioneve do të ruajnë të njëjtat funksione që kanë qenë të vlefshme në çastin e krijimit të tyre. Brenda një viti nga hyrja në fuqi e ligjit të ri, ato duhet të paraqesin kërkesën për t'u pajisur me licencë, në të kundërt janë të detyruara të mbyllin aktivitetin e tyre. Fondet e pensionit në administrimin e tyre i kalojnë një shoqërie administruese të licencuar. Anëtarët që nuk dëshirojnë t'i transferojnë, mund t'i tërheqin. Punëdhënësi mund të krijojë një plan të pensionit profesional për punëmarrësit e tij, duke lidhur kontratë me shoqërinë administruese, që do ta ofrojë fondin e pensionit për punëmarrësit e tij. Shoqëria administruese nuk mund të jetë palë e lidhur me punëdhënësin. Punëdhënësi mund të marrë përsipër detyrimin për të paguar kontribute për planin personal, duke kontribuar në emër dhe në favor të punëmarrësve, duke i bërë një ose disa pagesa të rregullta shoqërisë administruese, për të mbuluar tarifat e kësaj shoqërie që duhet të paguheshin nga anëtari. Asetet e fondit të pensionit mund të investohen vetëm në asete të përcaktuara në rregulloren, që do të nxjerrë për këtë qëllim dy muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit Autoriteti Financiar i Konkurrencës.