Kompensimi financiar, më 15 nëntor ndahen 600 milionë lekë
Në datën 15 nëntor pritet të bëhet kompensimi financiar për ish-pronarët. Drejtori i Agjencisë së Kthim dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Cefa, tha për gazetën se “në datën 15 nëntor presim të shpallim fituesit. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të shpërndajë kompensimin financiar prej 600 milionë lekësh ose diçka më shumë se 6 milionë dollarë. Drejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Cefa, ka thënë se shpallja e fituesve të kompensimit financiar do të ndodhë në bazë të kritereve të vendimit të qeverisë. Në garën për fitimin e kompensimit financiar janë 521 ish-pronarë tokash. Në fondin prej 600 milionë lekësh do të përfitojnë ata ish-pronarë që plotësojnë kriteret në bazë të ligjit. Fillimisht janë kualifikuar 521 aplikues për kompensim, por prej tyre nuk pritet që të fitojnë të gjithë. Pritej që fituesit të shpalleshin në fund të muajit shtator, por drejtori i AKKP-së tha se vonesa prej disa javësh ndodhi për shkak të verifikimit të të gjithë dokumentacionit përkatës, i cili bëhet në bashkëpunim me të gjitha institucionet e tjera të pronësisë. Nuk ka një shifër se sa do të kompensohen, pasi numri diktohet nga shpërndarja e gjithë parave derisa ato të përfundojnë. Vitin e kaluar fituan rreth 160 persona dhe pritet një shifër më e lartë për këtë vit, pasi ka mbi 1 milion dollarë fond më shumë. Agjencia e Kthimit të Kompensimit të Pronave mbylli aplikimin për kompensimin financiar të ish-pronarëve për vitin 2009 dhe është në fazën e shqyrtimit një për një të të gjitha dosjeve. Në këtë aplikim janë kualifikuar 521 ish-pronarë, ose rreth 220 më pak kërkesa se në vitin e kaluar, kjo për shkak se AKKP-ja ka prurë vetëm kërkesat e plota. Sipas drejtorit Elvis Cefa, kërkesat fituese do të shpallen me vendimin më të vjetër. Pra ky do të jetë kriteri kryesor i fitimit të kompensimit financiar deri në 200 metra katrorë. Sa më i vjetër të jetë vendimi për pronën, aq më i favorizuar do të jetë një subjekt për të përfituar nga fondi prej 6 milionë dollarësh. Të gjitha dosjet dhe praktikat përkatëse të aplikimeve do dërgohen ose janë dërguar nga agjencia qendrore e kthimit dhe kompensimit të pronave në zyrat rajonale në qarqe, në mënyrë që të bëhen të gjitha verifikimet e dokumentacionit të paraqitur nga subjektet kërkuese.
Njohja për kompensim, qeveria do të shtyjë afatin
Këshilli i Ministrave pritet të dërgojë në Kuvend një amendim ligjor për shtyrjen e afatit të depozitimit të kërkesave për njohjen e pronës dhe më pas të kompensimit të saj. Vetë Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në një emisionin televiziv se ligji do të amendohet së shpejti. Në zyrat e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ndodhen 9 mijë dosje, të cilat nuk janë shqyrtuar për shumë shkaqe. Ekspertët e AKKP-së shprehen se shkak mbetet afati i shkurtër që patën subjektet, duke bërë që të dorëzohet një numër i madh dosjesh. Por, problematika ka të bëjë me faktin se edhe pse shumë dosje u dorëzuan në afat, sasia e madhe e tyre ka bërë që AKKP-ja të mos i shqyrtonte ato. Kjo situatë, për shkaqe teknike, ka lënë në zyrat e agjencisë një numër prej 9 mijë dosjesh, të cilat nuk kanë një vendim për pranim.