E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Nishani takim me përfaqësuesit e "Vatrës"

Gjatë qëndrimit në New York, kreu i shtetit, Bujar Nishani ka marrë pjesë në takimin vjetor të Federatës Panshqiptare në Amerikë "Vatra", ku ishte ftuar edhe delegacioni i Kosovës.
 

Në fjalën përshëndetëse, Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen këtë kontribut, duke nënvizuar se përfaqësuesit e federatës "Vatra" meritojnë respektin maksimal të mbarë kombit shqiptar për kontributin e rëndësishëm në historinë e kombit, për atdhedashurinë e lartë me të cilën mbrojtën liritë dhe të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre etnike, në pavarësinë e Kosovës dhe demokratizimin e Shqipërisë.
 

Duke e konsideruar Federatën Panshqiptare "Vatra" si një avokate të interesave kombëtare në Amerikë, Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme që Shtetet e Bashkuara, kanë dhënë për Shqipërinë dhe çështjen kombëtare duke siguruar se Shqipëria do të jetë përkrah tyre në sfidat me të cilat ballafaqohet sot për një botë më të mirë dhe demokratike.
 

Më herët Kryetari i Shtetit u takua edhe me përfaqësuesit e rrjetit shqiptar të profesionistëve dhe sipërmarrësve.  Në fjalën e tij Presidenti Nishani i përgëzoi anëtarët e APEN-it për arritjet e tyre në fushën e biznesit dhe sipërmarrjes si dhe për lobimin në favor të Shqipërisë dhe Kosovës.
 

Presidenti Nishani u shpreh se në epokën e dijes dhe teknologjisë së informacionit institucione të tilla të sipërmarrjes ndihmojnë jo vetëm integrimin, por edhe për të përballuar konkurrencën në treg. Kreu i Shtetit nënvizoi gjithashtu se Shqipëria po bën gjithçka mundet për të bashkëpunuar dhe mbështetur diasporën shqiptare kudo ajo ndodhet.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›