E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Për privatizimet, frymëzimi i vetëm i Ramës, mbetet bllokada e Enverit

25-09-2012 / Gazeta 55

Kreu i ekzekutivit Sali Berisha dënon përsiatjet ataviste të Edi Ramës në trashëgiminë e tij anti-treg dhe në mbajtjen e një prej koncepteve të vjetra për koncesionet dhe investimet, atë të diktaturës hoxhiste. Sipas kryeministrit, të pretendosh se po shitet Shqipëria, kur po jepet me tender e drejta e koncesionit, do të thotë të kthehesh te Enveri, sepse kjo e drejtë e njohur edhe nga qeveria e parë e Ismail Qemalit, është njohur dhe përshtatur nga çdo qeveri e këtij vendi

Kryeministri Sali Berisha iu përgjigj dje akuzave të Partisë Socialiste lidhur me procesin e privatizimeve. Duke ndalur konkretisht te privatizimi i kompanisë së naftës “Albpetrol”, Berisha tha se sulmet e Ramës janë si qëndrimet e Enver Hoxhës në komunizëm kundër koncepteve të privatizimit dhe investimeve të huaja në vend.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, shefi i ekzekutivit tha se dhënia me koncesion dhe e drejta e koncesionit është një nga aktet e qeverisë së Ismail Qemalit, ka vazhduar vendosmërisht nga mbreti Zog, ndërsa është përjashtuar totalisht nga diktatori paranojak, Enver Hoxha.
“Meqenëse ky proces u sulmua në mënyrën më të egër nga zoti Rama, sërish më duhet të ndalem dhe te qartësoj para qytetarëve shqiptarë, se reagimi i zotit Rama bazohet kryekëput në qëndrimin atavist, në trashëgiminë e tij anti-treg dhe në mbajtjen e te te njëjtave koncepteve të vjetra për koncesionet, për investimet. Të pretendosh se po shitet Shqipëria, pse po jepet me tender e drejta e koncesionit, do të thotë të kthehesh tek Enver Hoxha, sepse kjo e drejtë që nga Ismail Qemali me qeverinë e parë, është njohur dhe përshtatur nga çdo qeveri e këtij vendi dhe do të vijojë të njihet. Dhënia me koncesion dhe e drejta e koncesionit është një nga aktet e qeverisë së Ismail Qemalit, ka vazhduar vendosmërisht nga mbreti Zog dhe natyrisht është përjashtuar totalisht nga diktatori paranojak”, u shpreh Berisha.
Qëndruar në këtë çështje, duke argumentuar vetë procesin e privatizimit të Albpetrol, kreu i qeverisë citoi etapat e ndjekura deri më tani. Sipas tij, ecuria e procesit të privatizimeve po ecën sipas të gjitha rregullave që janë përcaktuar. Berisha tha se përfitimet nga procesi i privatizimeve janë në interes të qytetarëve shqiptarë. Ai solli në vëmendje suksesin e Bankers-it ku nga 320 mijë ton naftë që nxirreshin më parë, nafta ka arritur të kapë shifrën e 3 milion ton. Ndërsa shteti, tha Berisha, merr tatim fitimin, merr rentën, merr kontributin e sigurimeve shoqërore, merr taksën e të ardhurave personale – e njëjta gjë vlen edhe për Albpetrolin.
“Pra çfarë po bëjmë ne me AlbPetrolin-in? Ne po i japim të drejtën një kompanie tjetër, duhet të jemi realist, paraardhësit tanë të qeverisë së zotit Rama dhe në mos gaboj, ka qenë dhe vetë ministër, kanë firmosur kontratën me Bankers të cilën ne e kemi respektuar plotësisht, në të cilën kanë dhënë, jo 10 apo 25 për qind, por kanë dhënë sipas asaj kontrate, 90 për qind të puseve të Albpetrolit sipas shkallëve të ndryshme. Ne e kemi respektuar atë, ne e kemi amenduar këtë kontratë ç’është e vërteta, sepse ishte dhënë me zero rent dhe ne në mirëkuptim edhe me koncesionarin vendosëm rentin prej 12 për qind, por çfarë ndodhi me këtë në kontratën e Bankers? Bankers e trefishoi prodhimin e naftës në Shqipëri, nga 320 mijë ton që nxirreshin, nafta ka arritur në 3 milion ton. Të dashur qytetarë dhe qytetare, çfarë humbet qeveria dhe ju, si dhe çfarë fitoni ju dhe vendi me këto kontrata? Si për ju dhe për vendin nuk ka asnjë rëndësi se kush e nxjerr për sa i përket të ardhurave naftën, sepse për atë që e nxjerr, qoftë ai vendas apo i huaj ka përcaktuar me ligj të ardhurat që merr prej tyre, merr tatim fitimin, merr rentën, merr kontributin e sigurimeve shoqërore, merr taksën e të ardhurave personale. Të njëjtat taksa që operojnë, i njëjti sistem fiskal vendoset si për Albpetrolin sot, ashtu dhe për Bankerin dhe kompanitë e tjera. Qytetarët shqiptarë, në rast se dyfishohet prodhimi të ardhurat janë dy herë më të mëdha, në rast se trefishohet prodhimi të ardhurat për qytetarët janë tre herë më të mëdha. Më mirë ti marrim këto të ardhura në mënyrë që të rrisim rrogat, pensionet, të bëjmë rrugët, apo ti lëmë të flenë mineralet, naftën dhe pasuri të tjera, siç kanë fjetur mijëra vjet dhe jemi robtuar në varfëri? Dhe tani koncesionari i ri edhe ky do të shtojë prodhimin, do të shumëfishojë përpjekjet për gjetje të reja. Çfarë humbasim ne, humbet dividenti. Por sa ka qenë dividenti? Nga viti 2006 deri në vitin 2011 nga AlbPetroli sa keni fituar ju të dashur qytetarë, nga ai që quhet divident, nga ai që ndahet në fund? Dividenti ka qenë gjithsej në 6 vjet, 23 milion lekë të reja apo 230 mijë dollarë. Ja kjo është katastrofa, vetëm kaq dhe asnjë qindarkë tjetër dhe kjo ka qenë normale shtetërore. Pra, dividentë për ju, taksapagues shqiptarë, Albpetroli në 6 vite, ka dhënë gjithsej 23 milion lekë. I dhashë këto shifra për të parë sa qesharake janë, sa të vjetra janë pretendimet e zotit Rama se këtu po shitet Shqipëria, se këtu po shitet pasuria. Qenkan varfëruar SHBA-të që në 200 vjet çdo ditë vetëm fuqizojnë sektorin privat? Le të shkojmë pak më tutje. Koncesionari që fiton ka të drejtën e eksplorimeve të reja. Çdo shitje e kësaj të drejtë është subjekt i tatimeve. Po të më pyesni tani unë e besoj që vendi ka naftë dhe këtë besim unë e mbështes tek interesi i kompanive të huaja. ‘Shell’, gjigandi i botës po shkon diku ngjitur me Mbreshtanin dhe optimizmi i këtij shpimi që është 6200 metra i thellë, ka bërë që kompania të vendosë për një shpim tjetër po kaq të thellë. Blloqet janë dhënë jo për 25 vjet, jo për 5 vjet ka të drejtë, po nuk dhe brenda 5 viteve atë bllok ke të drejtë t’ia japësh shtetit për eksplorim. Pra çfarë ka këtu, mund të më thotë zoti Rama që po shitet Shqipëria, apo sipas kësaj logjike ti lëmë gurët aty ku janë 1 mijë metra thellë, ta lëmë naftën 6 mijë metra thellë, të rrinë vetë dhe të flemë mbi to dhe të mos i kthejmë ato në vepra për qytetarët. Është e dhimbshme kur kryetari i opozitës adapton klishe të një kohe, nga e cila kombi dhe vendi vuajti më shumë se nga çdo pushtim në historinë e tij mijëravjeçare, pikërisht se na i ndaloi me ligj investimet e huaja, i ndaloi me ligj koncesionet. E ftoj zotin Rama të vizitojë HEC-in e Ashtës, një kryevepër të vërtetë të energjetikës dhe tu thotë shqiptarëve, më mirë ky ujë të derdhet ne det apo në Bunë apo të prodhojë energji për 100 mijë familje shqiptare. Edhe ky është koncesion, edhe kundër kësaj ka qenë. Më mirë të lemë burimet ujore të derdhin ujin në det, sesa ti kthejmë ato në energji, sesa të marrim një taksë prej tyre, sesa të punësojmë njerëz. Ç’është kjo dhe pastaj ai thotë, me ata jemi dakord me këta s’jemi dakord. Pra  e quajta të domosdoshme të ndalem në këtë moment, sikundër dua të theksoj dhe një moment tjetër”, u shpreh Berisha.
Kryeministri sqaroi gjithashtu se me të drejtën e koncesionit nuk shitet as edhe një centimetër tokë, askërkujt siç pretendon në mënyrë spekulative Partia Socialiste.
Sipas tij, me anë të koncesioneve asetet pa vlerë të vendit kthehen në vlerë për qytetarët shqiptarë.
“Me këtë të drejtë i njihet e drejta një kompanie, që ato asete, apo pasuri, të cilat flenë pa vlerë nën tokë për qytetarin shqiptar, qofshin ato gurë kromi, qofshin ato naftë apo metër kub gaz, që të gjitha këto për të pasur vlerë për qytetarët shqiptarë, që të gjitha këto duhet të shfrytëzohen, duhet të kthehen në mall, të shiten të përpunohen, pra duhet të marrin vlerë. Njëlloj si uji që rrjedh në det i fjetur, si diçka që hollon kripën e deteve, në qoftë se nuk jepet për ujitje apo për HEC-e, apo qëllime të tjera industriale të tjera, po kështu dhe mineralet po u lanë në tokë do të rrinë aty që të dergjen me vite, ashtu siç janë dergjur me miliona vjet, ndaj dhe vendet e lira kanë përdorur dhe përdorin të drejtën e koncesionit. Ka që e japin për 20 apo 25 vjet, të tjera për 40 vjet, për 60, për 100”, tha Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›