E Diel, 1 Nëntor 2026

Halimi: E padëgjuar që një gjyqtar të mos zbardhë vendimin për një kohë të gjatë

25-09-2012 / Gazeta 55

Vendimi i KLD: Procedim disiplinor gjyqtarëve të Durrësit pas shqyrtimit të dosjes “Xhakja”

KLD-ja ka vendosur fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit të Durrësit, i cili ka shqyrtuar dosjen penale ndaj të pandehurit Ilir Xhakja.
Këtë e bëri të ditur dje Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, i cili saktësoi se do të presë deri në 5 tetor, objeksionet e gjyqtarit. “Është e padëgjuar që një gjyqtar të mos zbardhë vendimin për një kohë kaq të gjatë. KLD-ja ka konstatuar  shkelje procedurale në amdisnitrimin e dosjes gjyqësore në Durrës”, bëri të ditur ministri Halimi, i cili shtoi se deri tani kanë shkuar për procedim disiplinor 20 gjyqtarë.
Ndërkohë, më herët dje, zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Cefa i përcolli Ministrit të Drejtësisë, dokumentacionin përkatës dhe relacionin, për vazhdimin e procedurave ligjore, lidhur me procedimin disiplinor ndaj gjyqtarëve të Gjykatës së Durrësit, të cilët kanë shqyrtuar dosjen penale ndaj të pandehurit Ilir Xhakja.
Në njoftimin për mediat bëhet e ditur se “Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë verifikoi ankesën publike mbi veprimtarinë gjyqësore të gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, në shqyrtimin e akuzave penale në ngarkim të të dyshuarit, si autor i aktit të rëndë kriminal ndodhur në datën 13.09.2012, Ilir Xhakja. Nga verifikimi janë konstatuar parregullsi, të cilat në përputhje me nenin 32 të Ligjit Nr. 9877, datë 18. 02. 2008 ‘Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë’, përbëjnë shkak për procedim disiplinor të gjyqtarëve”. 
Gjykata e krimeve të rënda, më 17 shtator dha masën e sigurisë “arrest me burg”, ndaj 38-vjeçarit Xhakja, i cili akuzohet për vrasjen e Shefit të Komisariatit të Shijakut, Adem Tahiri.
Në këtë mënyrë gjyqtarët që liruan Ilir Xhakjan, rrezikojnë procedim disiplinor nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë pasi kanë kryer shkelje në vendimin e dhëne për të cilësuarin si “i forti i Shijakut”. Kjo është masa që ka dërguar ky Këshill në Ministrinë e Drejtësisë pas inspektimit që inspektorë të këtij institucioni kanë bërë në dosjen në Gjykatën e Durrësit ku ka marrë pafajësinë Ilir Xhakja, i akuzuar për vrasjen e shefit të komisariatit të Shijakut, Adem Tahiri.
Ndërsa po dje Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë, ka lënë në burg dy policët e patrullës së përgjithshme të Shijakut, të cilët akuzohen se nuk kryen asnjë veprim për të parandaluar vrasjen e shefit të tyre, Adem Tahiri. Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani janë njohur me masën e sigurisë, e cila për ta ka qenë “arrest në burg”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›