Fokus/Alternativa e vetme e Edi Ramës, shkatërrimi i sistemit fiskal
Në vëmendjen e kryeministrit Sali Berisha gjatë mbledhjes së grupit kuvendor demokrat ishte dhe sistemi ekonomik në vend, duke u ndalur konkretisht te bumi i premtimeve elektorale të kreut të opozitës, Edi Rama mbi heqjen e taksave për biznesin. Kreu i qeverisë tha se deklaratat e Ramës se, “do heq taksat për biznesin e vogël”, jo vetëm tregojnë papërgjegjshmëri të theksuar, por njëherazi e nxjerrin Ramën zbuluar në injorancën e tij për sistemin fiskal.
“Deri tani kryetari i PS lidhur me taksat ka vetëm një alternativë, shkatërrimin përfundimtar të sistemit fiskal të këtij vendi. Zoti Edi Rama, i cili është i gatshëm të mashtrojë dhe të deklarojë gjithçka për hir të karriges, që e vërteta është që po i largohet gjithnjë e më shumë, deklaroi këto ditë, në kulmin e papërgjegjësisë, se; ‘do të heq taksën e biznesit të vogël’. Zoti Rama, dua t’ju bëj një pyetje; në rast se unë, Kryeministër i vendit, deklaroj nesër se do të vendos heqjen e taksës së biznesit të vogël, çfarë do të thuash ti? Çfarë do të ndodhë që qoftë se unë bie në shkallën e papërgjegjshmërisë tënde? Por kjo që deklaron t’i tregon se nuk ke njohuritë më elementare të sistemit fiskal. Kjo do të thotë t’i presësh kësaj shisheje fundin, pavarësisht se fundi i shishes është disa milimetra, por sistemi përmbyset. Në qoftë se ti thua të heqim taksën e biznesit të vogël, ti bën shembjen përfundimtare të sistemit fiskal. Ti mendon se një grup i cili përbën dhe kontributin më madhor në të ardhurat, do të qëndrojë në këmbë. Jo more zotëri, e gjithë kjo masë do të kapilarizohet dhe ti do të krijosh këtu shtetin e informalitetit maksimal në këtë vend. Pyet Ferlutin tënd, pyet Koçon, u thuaj atyre zotërinjve se janë biznesmenë, në qoftë se unë e heq këtë kontribut që është krejt i parëndësishëm. Nga ana e sasisë, aktin e parë që nesër unë e bëj, por ato para 0.5 për qind janë, por ato janë fundi i integritetit të sistemit. Në qoftë se e heq qindra, mijëra manipulime, falsifikime, krijohen dhe sistemi shembet. Cila ka qenë kërkesa e biznesit të madh gjatë gjithë këtyre viteve? Një dhe vetëm një; na mbroni nga informaliteti që krijohet nëpërmjet biznesit të vogël dhe ne natyrisht i kemi mbrojtur, sepse ata janë kontributorët më madhorë. Për çdo qeveri, për çdo buxhet, ky 0.5 për qind mund të shumëzohet me zero, nuk ka asnjë dhimbje koke, por ama biznesi i madh, njëlloj si një elefant dorëzohet dhe dorëzohet i tërë sistemi fiskal. Prandaj, i them zotit Rama, mos spekulo me këtë, sepse edhe mund të ta faktoj. A mund t’i nxjerrësh pak ata kryetarët e bashkive të tua, me qenë se je bërë kaq i çmendur pas votave që nuk ke për t’i marrë kurrë në këtë mënyrë, që të dalin dhe t’i heqin këto taksa në qytetet e tyre. Thuaj Vangjushit apo me radhë, meqë i ke të gjithë. Por kjo nuk është serioze sepse një kryetar opozite nuk bën mashtrime të tilla fantazmagorike. Asnjë biznesmen i vogël nuk e pranon këtë gjë, absolutisht, sepse ai e di që taksa është përgjegjësia e tij”, u shpreh Berisha.
Shefi i ekzekutivit deklaroi se platforma bazë e Partisë Demokratike për uljen e taksave, është realizuar plotësisht. Sipas tij, viti 2005 taksat e biznesit të vogël i janë ulur me më shumë se 60 për qind.
“Taksat e biznesit të vogël, në vitin 2005, kanë qenë 1 milion e 422 mijë lekë. Këtë vit, këto taksa janë 679 mijë lekë, pra më pak se gjysmë për gjysmë. Biznesmenët nuk mund ta harrojnë se kur ne dekretonim përgjysmimin. Një gjë dua t’i them çdo biznesmeni të vogël, kliko në internet dhe po gjete një vend në botë që i ka më të ulëta se ne, urdhëro dhe na thuaj. Por kjo taksë është më e ulëta që mund të imagjinohet. Kudo, ato janë të paktën 3 deri në 5 herë më të mëdha, saqë, kur unë ua them këtë kolegëve dhe bashkëbiseduesve të mi, ata habiten me nivelin e kësaj takse”, tha ai.
Ndërsa, theksoi Berisha, në Bashkinë e Tiranës Edi Rama rriste vazhdimisht taksat, aq sa taksa e tabelës u rrit me 15 herë në krahasim me atë të sotmen. E njëjta gjë vlen për taksën e pastrimit, gjelbërimit etj.,
“Le të kthehemi pak te “liberal sezoni”, le ta quajmë. Sa ishte taksa për tabelën? Ishte 1200 lekë, nga koha e vet zotit Rama. Vazhdoi të rritet dhe më tej dhe, zoti Rama, në vitin 2009, e bëri 1500 lekë. Për të shkruar emrin tënd, të duhej të paguaje tabelën sa frëngu pulën. Sa është kjo taksë tani? Ajo është 10 herë më e vogël, është 1 euro dhe këtë e bëmë ne. Emrin ta gëzosh, sepse ne nuk mund të të gjobisim për emrin që t’i ve në biznesin tënd. Kur e pate ti në dorë, zoti Rama, deri sa ne ndërhymë me ligj, e çove 15 herë më të lartë se kjo e sotmja. Taksën e pastrimit, zoti Rama e kishte 300 mijë lekë në vitin 2010. Çdo biznes jepte një rrogë për pastrimin. Sot kjo taksë është 78 mijë lekë, që i bie 4 herë më e ulët dhe që pastrimi është shumë herë më mirë. Kjo u bë duke u shtrirë gjithandej në bazë. Nuk janë vetëm biznesmenët që ndotin qytetin dhe krijojnë ndotje, jemi të gjithë ne që krijojmë hedhurina dhe duhet të paguajmë për këtë. Pra, u ul me 4 herë kjo taksë. Taksa e gjelbër. Nuk e di se çfarë e ka kapur meraku zotin Rama me kumbullat e kuqe që nuk bënë kurrë kumbulla. Këtë ai e di vet. Ai i merrte biznesit të vogël për këto kumbulla e kajsi, 120 mijë lekë. Kjo taksë tani është zero”, tha ai.
Kryeministri Berisha garanton biznesin e vogël se qeveria nuk do të lejojë arbitraritete.
“Sepse, kur ai rriti këto taksa, ne çuam ligjin në Kuvend për t’ia vënë ‘kufirin te thana’, duke specifikuar vetëm 10 për qind mundësi rritjeje të kësaj takse. Ndaj, unë e ftoj zotin Rama të bëhet serioz. Politikat fiskale janë politika jetike dhe ato kanë të bëjnë, më shumë se me çdo gjë tjetër, me jetën e qytetarëve shqiptarë, me rrugët, me ujin, shkollat, kanalizimet, rrogat, pensionet, shërbimin shëndetësor, etj. Ne i kemi përgjysmuar këto taksa, por shkatërrim sistemi nuk mund të bëjmë. Zoti, Rama, mos do t’u thuash shqiptarëve njëlloj siç u thoshte paraardhësi yt se ‘jemi vendi i vetëm në botë pa taksa?’. Me këtë slogan shqiptarët janë të ngopur më shumë se kushdo tjetër, sepse punonin si skllevër 7 deri në 8 muaj në vit për diktatorin e bunkerët dhe u thuhej 30 herë në ditë se jeni të lumtur, pa taksa”, tha Berisha.