E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Do të na prishte punë nëse do ekspozonte pikturat e tij”

25-09-2012 / Gazeta 55

Ekspozita e PS në Bruksel, Berisha ironizon Ramën

Në fjalën e tij përpara ligjvënësve demokratë, shefi i mazhorancës komentoi dhe ekspozitën e Partisë Socialiste në Bruksel, e cila sipas selisë rozë u çel për të njohur përfaqësuesit e BE me historikun e Shqipërisë në prag të shpalljes së progres-raportit të Komisionit Evropian. Duke përgëzuar ekspozitën me hartat e Artan Lames, Berisha ironizoi Edi Ramën, duke theksuar se, “bëri mirë që nuk paraqiti pikturat e tij se do na prishte punë”.
“Dua ta përgëzoj zotin Rama për suksesin e ekspozitës që pati në Bruksel, por përgëzimi im ka një specifikë, dua ta përgëzoj e ta falënderoj që paraqiti hartat e Artan Lames dhe jo pikturat e tij, se do të na kishte turpëruar. Që paraqiti hartat, bëri një gjetje të goditur dhe meriton të lavdërohet, që arriti për herë të parë të dominojë ambiciet e papërmbajtura të tij”, u shpreh Berisha.
Duke vijuar dozat e forta të ironisë, Berisha tha se kreut të PS-së i ka ndodhur më parë që ia kanë hequr nga ekspozita tablotë e punuara prej tij, sikurse e kanë etiketuar si piktor të dështuar.
“Druaj se edhe aty mund të ketë vendosur ndonjë pikture, sepse a e dini se çfarë bën? Ka sot shqiptarë që janë ndër më të shquarit, në Evropë e më gjerë, në artet e aplikacioneve, si Hanry Sala, Anila Rubiku, etj. Ndodhi njëherë që një artist hapi një ekspozitë në një nga vendet më prestigjioze dhe zoti Rama shkoi e vendosi 3 tablo të tijat atje. Kuratori ia hoqi menjëherë. Vuri dhe emrin që ishte ekspozitë edhe e tija. Por ia hoqën edhe emrin. Kjo e bëri të nxjerrë mësim e të heqë dorë nga ekspozimi i krijimeve të tij, tashmë të dështuara dhe të kthehet te hartat e antikitetit. Hartat janë harta dhe në çdo kohë janë për t’u parë, për t’u studiuar. Për këtë unë e përgëzoj”, theksoi Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›