E Diel, 1 Nëntor 2026

Krerët e Kosovës: Zgjedhjet e 15 nëntorit, më të rëndësishmet pas pavarësisë

Liderët kryesorë të Kosovës i kanë cilësuar zgjedhjet vendore të 15 nëntorit si shumë të rëndësishme, pasi ata personifikojnë votimet e para demokratike në vend pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008. Në emisionin "Top Story" të gazetarit Sokol Balla, në "Top Channel", krerët kryesorë shtetërorë dhe politikë të Kosovës kanë lëshuar mesazhet e fundit politike, por si bazë kanë pasur sfidën që këto zgjedhje paraqesin për Kosovën.

Sejdiu

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili është edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës deklaroi se votimet e së dielës janë "Zgjedhjet e para pas pavarësisë. Nga ne kemi gatishmëri për të organizuar zgjedhje të mira dhe të prezantojmë imazhin e një figure të mirë publike". Presidenti Sejdiu, duke iu referuar vizitës në Kosovë të ish-presidentit të SHBA-së, Bill Klinton, deklaroi se "vizita e Klinton, ishte kënaqësi e madhe, pasi ai është një nga mbështetësit e mëdhenj të Kosovës për të shpëtuar popullin nga vrasja e planifikuar". Sejdiu, duke iu referuar problemeve kryesore që paraqiten para shtetit më të ri në botë, theksoi se "duhet të kapërcejmë testin e demokracisë që e kemi për herë të parë. Sipas tij, Kosova duhet të ballafaqohet me një fenomen që është pjesëmarrja më e madhe. Kreu i shtetit të Kosovës ka vlerësuar punën e bërë nga dy partitë e koalicionit qeverisës PDK-LDK. Në lidhje me garën e fortë për Prishtinën, ku po konkurrojnë Isa Mustafa i LDK-së dhe Astrit Salihu i PDK-së, Sejdiu tha se kjo është një veprimtari normale e demokracisë.

Në lidhje me votimin e pakicës serbe, Presidenti Sejdiu theksoi se "qytetarët e pakicës serbe duhet të mos bëhen peng i Beogradit dhe të lënë të shkuarën e pakëndshme. Shanset e tyre janë në Kosovën e pavarur".

Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur i bindur se qytetarët e Kosovës do të konfirmojnë PDK-në si partinë e parë të vendit, pasi ajo ka paraqitur ofertën më të mirë për qytetarët.

Kryeministri i Kosovës ka deklaruar për "Top Channel" se "Zgjedhjet e 15 nëntorit kanë një mesazh historik për shtetin tonë, pasi janë të parat në Kosovën e pavarur. Deri tani kemi dëshmuar se fushata ka qenë model edhe për rajonin është një betejë demokratike". Në lidhje me pjesëmarrjen e serbëve, Thaçi deklaroi se "Unë besoj se do të kemi pjesëmarrje masive për të gjithë qytetarët e Kosovës ashtu edhe për qytetarët serbë. Liderët lokalë të pakicës do të jenë liderët legjitimë". Ndërkaq, për mesazhin e zgjedhjeve të 15 nëntorit, Thaçi deklaroi se "këto zgjedhje kanë karakter jo vetëm lokal, por edhe nacional. Projektet që janë ofruar kanë rritur standardin e konkurrencës dhe nivelin e demokracisë. Oferta jonë është ofertë për qytetarët që duhet të reflektojnë te besueshmëria. Edhe në vitin 2007 kemi paraqitur oferta që janë realizuar. PDK do të realizojë vizionet që ka paraqitur para qytetarëve të Republikës e Kosovës". Kryeministri theksoi se "unë do të bashkëpunoj me të gjithë krerët e komunave që do të zgjidhen më 15 nëntor nga të gjitha partitë që të jenë ato". Në lidhje me sulmet ndaj qeverisë, Thaçi theksoi se "opozita ka zgjedhur rrugën e vet të sulmeve dhe jo të ofertave. Qytetarët nuk do të zgjedhin ndonjë lider të mllefosur". Thaçi u shpreh i bindur për vazhdimësinë e koalicionit mes PDK-së dhe LDK-së.

Haradinaj

Lideri i opozitës së Kosovës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se qytetarët e Kosovës do të japin shenjat e një ndryshimi, duke mbështetur propozimin e opozitës dhe kritikat e saj ndaj qeverisjes. Kreu i AAK-së, theksoi se "praktikat qeverisëse nuk i kanë sjellë të mira Kosovës, ndaj Progres-Raporti dha vërejtje serioze si: korrupsioni, ekonomia, drejtësia, mediat e lira". Në lidhje me problemet e Kosovës, Haradinaj theksoi se ato janë: gjendja ekonomike, papunësia dhe korrupsioni".

Përgatiti Y.Pata

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›