E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi mbi bazë etnie, pro dhe kundër

Flasin Sabri Godo, Myzafer Korkuti, Pëllumb Xhufi, Andon Andoni dhe Arben Haxhiymeri
Projekti i regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare duket se nuk do të kalojë pa debate. Akademikë dhe historianë të njohur në vend shfaqen kundër kësaj nisme, duke dhënë edhe arsyet se pse në Shqipëri nuk është i nevojshëm regjistrimi mbi bazat etnike. Nisma e deklaruar nga ministri i Shtetit, Genc Pollo, përbën një projekt që do të realizohet brenda vitit 2011. Sipas asaj çka bëhet publike, në pyetësorin që do të përdoret do të kërkohet informacion i detajuar që nga hidroizolimi apo jo i banesave, adresat, njohuritë e gjuhëve të huaja, njohuritë në kompjuter, përkatësia etnike, feja etj. Deri në mesin e këtij viti pritet që të miratohet në mënyrë përfundimtare pyetësori dhe më pas të fillojë puna konkrete për mbledhjen e të dhënave. Ministri i Shtetit, Genc Pollo, ka lënë të kuptohet se një kërkesë për regjistrimin e popullsisë mbi bazën e etnisë dhe fesë ka ardhur edhe nga Bashkimi Europian.
Sabri Godo Kryetari i Nderit të Asamblesë së Përgjithshme të PR
Unë kam qenë dhe jam kundër që popullsia e vendit tonë të regjistrohet në baza etnike. Boll spekulime janë bërë në të kaluarën tonë me këtë çështje. Në zonat e jugut është abuzuar sistematikisht me marrjen e etnisë greke dhe ka ardhur momenti që këto deformime të rregullohen dhe të mos hapet më çështja e etnisë, të paktën për momentin.
Andon AndoniShkrimtar, drejtues i gazetës “Mësuesi”
është e domosdoshme mendoj të merret një nismë e tillë. Dua të sjell në vëmendje një fakt që ka ndodhur me komunitetin boshnjak dy vite më parë në vend. Ata kërkonin që nëpërmjet Ministrisë së Arsimit të hapnin shkolla në komunitetin e tyre dhe në gjuhën e tyre. Por çështja mbeti pezull, për shkak se shteti duhet të vërtetonte në radhë të parë identitetin dhe etninë. Sipas procedurave, duhej që më parë të njihej etnia dhe më pas të miratohej hapja e një shkolle. Në këtë rast ne kishim një handikap, sepse në dokumentet figuronte vetëm kombësia shqiptare. Për sa i përket çështjes së deklarimit të fesë, mundet që në kohët e para të ketë pak shqetësim, nisur edhe nga fakti se Shqipëria është një vend ku mbizotëron harmonia fetare. Por mendoj se këto janë gjëra që do të kapërcehen me kalimin e kohës dhe në tërësi e shikoj këtë nismë si të mirë.
Arben HaxhiymeriDrejtues i katedrës për edukimin qytetar“Aleksandër Xhuvani”, Elbasan
Kohë më parë e kam menduar këtë si problem. Kjo, sepse jemi ndeshur përpara disa viteve me situata jo normale, ku qarqe të vendeve të ndryshme kufitare me ne, kanë pasur programe që kërkonin të impononin etninë e tyre te shqiptarët. Madje do të ishte e udhës që të merrej një nismë për kthimin e emra të shqiptarëve në disa zona të vendit, nisur edhe nga fakti se një pjesë e tyre i kanë ndërruar ata, për arsye krejt banale, për të pasur një vend pune në Greqi apo në vende të tjera. Pra, para 10 ose 15 viteve ka qenë e vështirë për të bërë një regjistrim normal të popullsisë mbi baza etnike, nisur nga situatat e vështira që ka hasur vendi ynë. Por sot mendoj se situata është përmirësuar. Por, nga ana tjetër, mendoj se është e udhës të ndërmarrim hapa paraprakë për këtë çështje. Duhet të kemi kujdes që këtë proces mos ta fillojmë njësoj me vendet fqinje, duke qenë se ata mund ta detyrojnë një pjesë të popullsisë tonë të marrin etninë e tyre. Duhet të theksoj gjithashtu se përpara se ta marrim këtë hap, duhet të testojmë dhe të bëjmë një vlerësim real të situatës se ku ndodhemi. Por mendoj se jemi në një moment të ngritjes kombëtare dhe besoj se po të gjenden modalitetet e duhura për regjistrimin e popullsisë dhe të bëhet një fushatë e zgjuar në lidhje me këtë çështje, ne mund t’ia arrijmë me sukses kësaj nisme, pa pasur pasoja negative.
Pëllumb Xhufi Historian
Së pari, dua të them se z. Berisha ka zgjedhur njeriun e duhur dhe ky është z. Pollo, për të vënë në rrugën e zbatimit një nga veprat më të pista antishqiptare që kjo qeveri ka ndërmend të bëjë. Të gjithë e dinë që regjistrimi i popullsisë mbi bazë kombësie e besimi është një nga 6 pikat e ultimatumit shovinist që ish-kryeministri Micotaqis i paraqiti Berishës në korrik të vitit 1993. Atë kohë, z. Berisha nuk guxoi të avancojë aq shumë: në fakt ai sapo kishte shitur autoqefalinë e kishës ortodokse te grekët (2 gusht 1992). Por sot, gjatë periudhës së dytë të sundimit të tij, ai mund të krenohet se i ka kryer të gjitha “detyrat” që në 1993-shin Micotaqis ia përplasi në sy gjithë arrogancë: ka pranuar shtrirjen pa hesap të konceptit të minoritetit grek, duke njohur të tillë Himarën, ka hapur shkolla greke anembanë gjithë Shqipërisë e në veçanti në Himarë e në Korçë, ndërkohë që dalëngadalë i ka detyruar nxënësit shqiptarë të braktisin shkollat publike, duke i lënë ato pa çati, pa dyer e pa dritare; ka pranuar “të mbillet” me varreza greke krejt vija imagjinare e të ashtuquajturit “Vorio-Epir”, ka shkrirë repartet ushtarake e ato të ndërhyrjes së shpejtë në Gjirokastër, Dragot, Përmet etj., duke e bërë Shqipërinë e Jugut, ashtu si gjithë Shqipërinë, një “han pa porta”, ku Fazlliçët, Gaxojanët e konsujt e Greqisë bëjnë ligjin.
Sali Berisha bëri edhe një “detyrë” jashtë radhës, ia shiti Greqisë edhe kufijtë e Shqipërisë së Ismail Qemalit, që edhe ashtu ishin boll të ngrënë nga ai krah. Kjo e regjistrimit të popullsisë, sipas modelit “Micotaqis”, është një detyrë e “prapambetur”, që në fakt z. Berisha u angazhua ta kryejë menjëherë sa të vinte në pushtet, gjatë fushatës elektorale të vitit 2005. Z. Dule ka qenë i pamëshirshëm me Kryeministrin nga Tropoja, kur i ka kujtuar atij herë pas here “fjalën e dhënë” Athinës. Megjithatë, regjistrimi i popullsisë është një kockë e fortë për stomakun e shqiptarëve, ndaj, me sa duket, z. Berisha priti një moment të përshtatshëm, kur shqiptarët “mos ta kishin mendjen”, siç është ky i tanishmi, pas mynxyrës së përmbytjeve në veri, që ai dhe qeveria e tij ua bënë peshqesh të radhës shqiptarëve. Tani, a është e detyruar Shqipëria ta bëjë një regjistrim të popullsisë mbi baza etnike e fetare? Absolutisht jo, sepse ajo ka një Kushtetutë, e cila bazohet në konceptin më të përparuar: atë të qytetarit, të qytetarit pa dallim feje e kombësie. Sipas saj, të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht besimit e prejardhjes etnike, janë njëlloj të barabartë përpara ligjit, kanë të njëjtat obligime e gëzojnë të njëjtat të drejta. është e papranueshme, që një vend si Greqia, i cili me Kushtetutë deklarohet “vendi i grekëve dhe i ortodoksëve”, që ua njeh të drejtat qytetare vetëm grekëve, u njeh të drejtën për t’u grumbulluar, për t’u organizuar në parti e shoqata, si edhe të drejtën për të punuar në sektorin publik vetëm grekëve, t’i kërkojë dhe t’i imponojë një qeverie shqiptare një regjistrim të tillë me frymë antieuropiane.
Vetë Greqia nuk ka bërë ndonjëherë regjistrim popullsie me bazë etnike e fetare, shumica dërrmuese e vendeve të BE-së, gjithashtu, edhe pse për arsye krejt të tjera nga arsyet bizantine të Greqisë. Vetë z. Berisha e ka deklaruar hapur, që partnerë ndërkombëtarë e kanë këshilluar qeverinë shqiptare mos ta bëjë një regjistrim të tillë. Të paktën mos ta bëjë sot, kur shqiptarët ndodhen në vështirësi materiale e ligjore të tilla, që mund t’i shtyjë shumë syresh të deklarojnë një kombësi të paqenë greke, aq më shumë që për një gjë të tillë i joshin autoritete zyrtare e fetare të shtetit fqinj, duke u ofruar viza, pensione, punë, dokumente e pasaporta greke. Z. Berisha ka bërë edhe një poshtërsi tjetër, ka pranuar pa kushte konceptin e “deklarimit të kombësisë”, ashtu siç ia kanë kërkuar. Por kombësia është një e dhënë objektive, që varet nga personi dhe lidhjet që ai ka me mjedisin gjeografik e njerëzor (prindërit).
Në Lidhjen e Kombeve, në vitin 1921, u përcaktuan qartë se cilat ishin ato fshatra të Shqipërisë së Jugut (rreth 70), të cilat banoheshin nga popullsi me origjinë greke. Greqia në atë kohë u pajtua plotësisht me përcaktimet e Lidhjes së Kombeve, por sot kërkon të “inventojë” fshatra e qytete të tëra “greke” në Korçë, Përmet e tutje, deri në Lezhë. Ajo që mund të them është se z. Berisha, që edhe ashtu ka një inventar tepër të rëndë në lëmin e shitjes së interesave kombëtare, do ta ngarkonte veten tej mase nëse do t’i shkojë deri në fund edhe kësaj aventure të tij të re.
Myzafer KorkutiZëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave
Etnia është përcaktuar që në momentin që ka lindur personi. çdo të thotë kjo? As që mund ta mendoj. Kush e ka propozuar kështu këtë gjë? Jam diametralisht kundër kësaj. Ai që ka lindur në Shqipëri është shqiptar me tokë dhe me prindër shqiptar, si mund ta ndryshojë përkatësinë etnike duke shprehur etninë e tij. Ato janë përcaktuar në bazë të kritereve, s’është çështje dëshire kjo. Kjo është një nismë e papjekur, e pa studiuar dhe duhet trajtuar në këndvështrimin historik të të gjithë popujve. Si mund ta ndryshojë përkatësinë etnike tjetri? është tjetër detaj përkatësia politike, por për përkatësinë etnike, ky është themeli i çdo popullsie në çfarë studiojmë në histori, përkatësinë etnike që nga lashtësia deri në ditët tona.
Ky është kriter themelor, nuk ka lidhje me atë që ka dëshirë një person që ta përcaktojë këtë gjë. Nëse shkelen këto kritere themelore mund të ketë edhe abuzime. Këtu ka ca pyetje pastaj që nuk janë objektive, por që kanë lidhje me çështje politike, çështje tendencioze. Nëse nuk mbahen parimet bazë, pastaj ka të nënkuptuar arsye të tjera. është e pastudiuar, nuk është menduar në logjikën e zhvillimit historik të çdo populli dhe njeriut dhe pastaj s’ka pse të ketë nxitim në përcaktimin e etnisë, kur ne na mungojnë të dhëna themelore të popullsisë, p.sh. ne nuk dimë sa analfabetë kemi sot. Këto janë imediate.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›