E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Kulturës apo e Turpit, Vodafon një përdhosje ndaj kulturës kombëtare

Ajo që po ndodh sot vetëm disa metra larg Ministrisë së Kulturës, është një përdhosje e kulturës sonë kombëtare. Prej disa muajsh Mozaiku në Muzeun Historik Kombëtar po qëndron i mbërthyer nga skelat dhe nga imazhi i një kompanie, e cila

për qëllime fitimi është kthyer në një turp për atë që po i bën sot kësaj vepre arti. Prej disa kohësh zëri i personaliteteve të artit shqiptar, por dhe më gjerë ka rënë në vesh të shurdhër të Ministrisë së Kulturës, e cila nga dita në ditë po e shton dhe më shumë peshën e fajit. Po shkelet hapuri ligji, dhe nuk ka asnjë reagim të këtij institucioni, i cili të dalë në mbrojtje të kësaj përdhosje që po i bëhet kësaj vepre arti në vendin tonë. Mashtrimi që po i bëhet qytetarëve shqiptarë, duket fare qartë në kontratën që bëri publike gazeta SOT para disa ditësh, e cila tregonte fare hapur se ligji mbi këtë vepër arti po shkelet me të dyja këmbët. Ministria e Kulturës është institucioni, i cili duhet të merret me politika për zhvillimin e artit dhe kulturës në vendin tonë, por me këtë bastardim që po i bëhet sot kësaj vepre arti, zor se ajo mund të quhet e denjë ta mbajë më këtë emër. Vetëm pak metra larg saj, po përdoret fare hapur për qëllime biznesi një vepër, e cila është realizuar para disa dekadash, por që mbart dhe një pjesë të historisë  së popullit tonë. Verbëria që ka sot ky institucion ndaj këtij bastardimi që po i bëhet sot kulturës kombëtare, kur shkelet fare hapur ligji, pa dyshim që sot nuk mund të quhet më Ministri e Kulturës por Ministri e Turpit. Janë 440 metra katrorë që po shfrytëzohen në mënyrën më të keqe për qëllimi fitimi në biznes, e ndërkohë që duket ende e largët dita kur do të nisë ai projekt restaurimi në mënyrë që kjo vepër arti të rikthehet në identitetin saj. Mozaiku në Muzeun Historik Kombëtar prej disa muajsh po rënkon nga padrejtësitë që po i bën vetë ajo që është përgjegjëse për ruajtjen e tij, Ministria e Kulturës, por ajo hesht para këtij shkatërrimi. Një projekt, i cili në vend të restaurimit, po sjell degradimin e vlerave të kulturës sonë kombëtare, tregon më së miri se çfarë bën ky institucion ndaj veprave të artit në vendin tonë. Në një kohë kur duhet që ato të ruhen, ato shkatërrohen, kur duhet të restaurohen ato dëmtohen dhe më shumë, e gjithë kjo patjetër që tregon se sot e gjithë trashëgimia kulturore shqiptare është lënë në mëshirë të fatit. Zëri i intelektualëve ka rënë prej kohësh në vesh të shurdhër, pasi etja për para ka bërë që zyrtarë të këtij institucioni të braktisin vlerat e kulturës kombëtare. Në të gjithë botën, popujt krenohen me kulturën e tyre, e ruajnë ato, por në vendin tonë me këtë që po ndodh sot ndaj kësaj vepre arti, tregohet fare qartë që punohet për të kundërtën, për ta çuar atë drejt degradimit. Korrupsioni që ka përfshirë zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, tashmë duket qartë nga gllabërimi, që kompania Vodafon, prej muajsh i ka bërë sipërfaqes prej 440 metra katrorë, të Mozaikut në Muzeun Historik Kombëtar. Megjithëse u bënë muaj që flitet për këtë projekt restaurimi, Mozaiku vazhdon të jetë i mbërthyer nga skelat dhe baneri i kësaj kompanie celularësh, e cila nuk ekziston fare në kontratën që u bë për të restauruar këtë vepër arti, por që në fakt po shërben për të përfituar biznesi. Tashmë Mozaiku e ka humbur funksionin e tij si një vepër arti, duke u kthyer në një fasadë për publicitet. Nëse mund të abuzohet në një mënyrë kaq brutale me një vepër që sot është monument kulture dhe përmban një epokë të caktuar të historisë sonë, këtë mund të na e thonë vetëm zyrtarët dhe drejtuesit e Ministrisë së Kulturës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›